DISA PARTI JANË SHNDËRRUAR NË INSTITUCIONE TË SPIUNAZHIT KUNDËR VENDIT TË VET

852
Sigal

Vlora e Flamurit, Perëndesha e Pavarësisë priti bijtë e saj të Labërisë

Për dy ditë rresht, më datën 8-9 Dhjetor 2018, zhvilloi punimet në një atmosferë tepër festive në qytetin e Vlorës , “Princeshës së Pavarësisë”Kuvendi i Gjashtë i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, “Nderi i Kombit”.

Kishin ardhur delegatë nga nëntë degë të rretheve, duke filluar nga; Tirana, Durrësi, Fieri, Patosi, Vlora, Tepelena, Gjirokastra, Saranda dhe Orikumi. Ishin të ftuar edhe shumë personalitete, Baba Mondi, Kryegjyshi Botëror, Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, akademikë dhe profesorë, si Pëllumb Xhufi, Sabit Brokaj, Skënder Gjinushi, Bardhosh Gaçe e Zv/Rektor i Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”, Bilal Shkurtaj. Në këtë event të rëndësishëm nuk munguan as deputetët e Kuvendit si Vullnet Sina, Vilma Bello e Edmond Leka etj. Njëkohësisht merrnin pjesë edhe aktorja ikonë e teatrit dhe filmit shqiptar, Margarita Xhepa “Nderi i Kombit,” artisti i Popullit Birçe Hasko , Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës Aldrin Dalipi, Kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli dhe Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Vlorës Vojsava Shkurti, e shumë të tjerë, që e gjallëruan veprimtarinë e Kuvendit. Në ditën e dytë u bënë diskutime rreth aktivitetit katërvjeçar të shoqatës, u lexua rezoluta e kuvendit nga anëtari kryesisë Kastriot Muço dhe pastaj u kalua në zgjedhjet e organeve drejtuese të shoqatës, ku Kryetari i përfaqësisë Agim Çiraku, me kompetencë drejtoi seancën zgjedhore, duke prezantuar kandidaturat për Këshillin Kombëtar prej 81 anëtarë dhe kryesinë 21 anëtarë. Për kryetar ishin pesë kandidatura Prof. Dr. Ago Nezha, i propozuar nga të gjitha degët e shoqatave në rrethe, DR. Robert Çelo, i propozuar nga tre degë, Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, nga një degë, Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj, i propozuar nga dy degë dhe Ahmet Dema. Tre prej kandidatëve u tërhoqën dhe mbetën në garë Profesor Ago Nezha dhe Profesor Bernard Zotaj. Votimi rezultoi që 8o vota i mori Profesor Ago Nezha dhe 4 vota i mori Profesor Bernard Zotaj. Fitues u shpall Profesor Ago Nezha, Kryetar i Shoqatës “Labëria” “Nderi i Kombit”. Nën/kryetar u zgjodhën Agim Çiraku, Agim Rrapaj, Ahmet Dema, Gafur Duda, Robert Çelo dhe sekretar organizativ u zgjodh Bashkim Qeli. Ky forum do drejtojë shoqatën në periudhën pesëvjeçare mes dy kuvendeve.

Shoqata “Labëria” do ngrihet në lartësi të reja dhe garanci për këtë është fryma shoqërore, idealet e saj të larta që janë një pasuri e madhe intelektuale

Prof. Dr. Ago Nezha

Rruga që ka ndjekur Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, nga Kuvendi i Parë te i Gjashti, ka qenë e vështirë, duke kaluar mes baticave dhe zbaticave për të arritur në majat e suksesit ku ndodhet sot, si simbol i kombit. Për të rrokur këto lartësi investimet kanë qenë tredimensionale: Së pari, ka pasur një angazhim, mirëkuptim, harmoni dhe kontribute kapilare duke filluar nga qendra në bazë, që kanë bërë të mundur organizimin e veprimtarive të shumta, me shtrirje sasiore dhe cilësore, me karakter atdhetar-kulturor, duke filluar nga degët në rrethe deri te Kryesia në qendër.

Së dyti, ka pasur prurje të mëdha me intelektual të shquar që kanë krijuar një sfond të shndritshëm për performancën e shoqatës.

Së treti, numri i biznesmenëve me tipare altruiste, që kanë mbështetur me investime financiare veprimtaritë e shoqatës, ka ardhur duke u rritur progresivisht.

Ky kooperim harmonik, i ngjan tre këmbëve të perustisë, që i ka dhënë suksese lartësire, jetës së Labërisë. Roli i individit me kulturë, përkushtim dhe përgjegjësi, i sjell drejtimit të punëve risi, që të çojnë në portën e suksesit. Modelet si shoqata e Vlorës, është një shembull ku mund të merret shembull për performancën e saj rrezatuese në aktivitete masive, me pjesëmarrje kolor, të majtë dhe të djathtë, me praninë e gjerë të pushtetit vendor duke filluar nga Prefekti, Kryetar i Qarkut, Kryetari i Bashkisë, Kryetarja e Këshillit Bashkiak dhe deputetët. Me prezencën e tyre kanë rritur besimin dhe shpresën dhe kanë treguar faktikisht, se po të jemi të gjithë bashkë pa dallime partiake, krahinore, klienteliste e nepotike, vetëm kështu mund të bëhet Shqipëria. Një eksperiencë për t’u marrë shembull është edhe transferimi i veprimtarive nga qyteti në fshatrat përkatës ku ka ndodhur ngjarja apo vlerësohet një figurë me kontribute të veçanta për Labërinë, veprim që ka gjallëruar fshatin dhe e ka kthyer atë në qendër pelegrinazhi, siç ishte rasti i Sevasterit, Vranishtit, Kuçit, Dukatit etj. Shoqata “Labëria” si kështjellë e atdhetarizmës, ka një rol të madh në njohjen dhe transmetimin e heroikës popullore që na vjen nëpërmjet historisë, të përjetësimit të figurave dhe ngjarjeve, me muze, monumente dhe lapidarë, që fatkeqësisht u shkatërruan nga barbaria e ekstremistëve pseudo-demokratë. Ndjeshmëria që ka krijuar dega e Vlorës, duke rehabilituar disa lapidarë dhe jo vetëm, por duke krijuar një kompleks skulpturor me 12 figurat më të shquara të Lumit të Vlorës në luftërat për liri dhe pavarësi me në krye apostullin e kombit Ismail Qemal Vlorën.

Të largohemi nga egoizmi, megalomania, cinizmi provincial, që na bën të mendojmë, se ajo që bëj unë është më e mira dhe të ndriçohemi nga eksperiencat që feksin në rrugën tonë patriotike-kulturore. Le të kujtojmë thënien lapidar të dijetarit të madh Sami Frashërit se: “Në qoftë se ka dy filozofë që nuk gabojnë, njëri nga këta është përvoja”. Prania në shoqatë duhet kuptuar si harmoni, dashuri, miqësi, afri mes labëve, që i lidhin idealet patriotike, jashtë interesave materiale apo karrieriste. Një tjetër eksperiencë pozitive është dhe ajo e degës së Tiranës, që e ka organizuar shoqatën mbi bazën e rajoneve dhe ka 7 mini-degëve, të cilat funksionojnë në kuadrin e degës së Tiranës, që nëpërmjet veprimtarive të saj vlerëson personalitete nga krahina të ndryshme të Labërisë dhe më kryesorja është se i pasqyron mjaft mirë në gazetën “Labëria”. Një eksperiencë specifike është edhe ajo e degës së Fierit dhe Patosit me Kryetarët dhe sekretarët respektivë Pasho Zhupa dhe Engjëll Shameti, dhe Mersin Balili dhe Myfit Mema, që kanë organizuar ekskursione në zona të thella të Labërisë, ku komuniteti lab që jeton në Fier e Patos të njihet me vend-origjinën e tyre. Secila prej degëve sjell përvojën e vet, duke filluar nga Gjirokastra, me kryetar Murat Kërri, Saranda, me Rustem Dukën, Tepelena, me Qemal Danaj, Orikumi, me Neki Haskoçelën e Saimir Brahimi dhe Durrësi, me Julian Mehmeti, që në mënyrë të ndërsjellë, duhet njohur e implementuar në kushte konkrete. Një dukuri negative që vërehet te të gjitha degët dhe që në të ardhmen kërkon më shumë vëmendje nga forumi shoqatës, është mungesa e pjesëmarrjes së rinisë në shoqatë. Ndjeshmëria dhe reagimi i Shoqatës “Labëria” ndaj ngjarjeve dhe fenomeneve që cenojnë integritetin e vendit tonë, ka qenë në kohezion me situatat konkrete që kalon vendi ynë, duke i ndjekur rast pas rasti. Mjafton të sjellim në vëmendjen e këtij kuvendi qëndrimet refraktare të shoqatës “Labëria”, ndaj ngritjes së varrezave greke në trojet shqiptare si në Boboshticë të Korçës dhe në Kosinjë të Përmetit, hapjen e shkollave greke në Himarë dhe Korçë, ndërhyrjet e herë pas hershme të qarqeve shoviniste greke të alternuar me Shoqatën OMONIA të përkrahura dhe nga deputetë dhe përfaqësues politik të PBDNJ-së dhe disa sillogje nacionaliste greke me qendër në Athinë, që duan ta quajnë minoritet popullatën himarjote, që dihet se dikur ka qenë kryeqendra e Labërisë, me 52 fshatra nën juridiksionin e saj. Ne, si Shoqatë “Labëria” në mënyrë koherente kemi qenë përkrah Shoqatës “Çamëria”, në çdo tubim që kanë demonstruar për të drejtat e tyre të mohuara nga qeveritë greke dhe i kemi mbështetur edhe nëpërmjet deklaratave eventuale. Po kaq kritik jemi deklaruar dhe për krijimin e asosacioneve serbe në Kosovë, që rrezikojnë të krijojnë shtet brenda shtetit, me synime afatgjata, uzurpuese. Shoqata Labëria ka ndërhyrë me opinionin e saj duke marrë rolin e liderit dhe tërhequr pas vetes dhe shumë shoqata të tjera për të shtensionuar situatat kritike që janë krijuar nga politika konfliktuale, siç ishte rasti i zbatimit të reformës në drejtësi, për vettingun, për çështjen e detit etj. Në vështrimin tonë, ka një shkujdesje dhe harresë ndaj shumë ngjarjeve dhe figurave që kanë bërë histori për kombin shqiptar. Monumenti i Ismail Qemalit, është vendosur në një shesh qendror në Prishtinë, me kontributin e biznesmenëve vlonjatë nën kujdesin e Dr. Bujar Leskaj. Bashkia e Tiranës, e prirur nga preferenca politike apo oportuniste, ka gjetur vend kryesor për të vendosur buste e monumente për figura të pamerituara, deri edhe tradhtarë, por nuk arrin dot të gjejë një vend nderi për një monument madhështor për Ismail Qemalin. Një vend që nderon tradhtarët dhe mohon çlirimtarët, s’ka të ardhme. Krahas kësaj kërkese sensitive, ne i kemi apeluar qeverisë se duhet të bëjë më shumë kujdes për figura që lidhen me historinë e kombit shqiptar, siç është dhe rasti i eshtrave të korifeut të letrave shqipe Fan Stilian Nolit, që prehet në Boston të Amerikës apo bashkëshortes të heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, Donika Kastriotit, që eshtrat e saj prehen ende në dhe të huaj, në Spanjë, si dhe koka e Ali Pashë Tepelenës ndodhet në Turqi përkrah tre varrezave të djemve të tij, që po të vinin në Tepelenë do të ishte një vlerë kombëtare dhe një atraksion i madh turistik. etj.

Një nga dukuritë që vërehet mes dy kuvendeve është se Shoqata “Labëria”, ka dalë nga guaska e saj dhe është bërë mbarëkombëtare dhe në trojet jashtë Shqipërisë. Ajo ka qenë pjesëmarrëse në disa veprimtari mbarëkombëtare ku ka thënë fjalën e saj nëpërmjet përfaqësuesve të saj, si në Kongresin “Uniteti Global Alban”, mbajtur në Prishtinë, me përfaqësues nga diaspora, në përvjetorët e Lidhjes së Prizrenit, në Kuvendin e Lezhës, në Forumin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, në kongresin e Agrobiznesit Shqiptar, në veprimtaritë e shoqatave homologe si “Kosova”, “Çamëria”, “Frashëllinjtë”e Përmetit, shoqatën “Tropoja”, “Sofra Dibrane”, “Mallakastra” etj., etj., ku ka shpalosur misionin e saj patriotik-kulturor. Një shkëndijë që na ndezi fantazinë për më lart, ishte takimi që realizuam në Preshevë me 100 gra dhe vajza me emrin Vlora, në bashkëpunim me Shoqatën “Nermin Vlora”. Shoqata “Labëria” i ka kualitetet intelektuale për të organizuar një sesion me këto pretendime, pasi në përbërje të saj ka intelektualë të shquar, sikurse profesorët e nderuar; Pëllumb Xhufi, Moikom Zeqo, Sabit Broka, Ethem Ruka, Arben Malaj, Bardhosh Gaçe, Bilal Shkurtaj, Bejkush Birçe, Neki Dredha, Robert Çelo, Kastriot Muço, Axhem Gjoni etj, si dhe artistët e popullit Muntas Dhrami e Skënder Kamberi, Bujar Asqeriu, Birçe Hasko, Albert Minga, e shumë të tjerë që meritojnë falënderimet e forumit të shoqatës “Labëria”. Një falënderim të veçantë duam t’ju përcjellim artistëve që nuk janë labë si “Nderi i Kombit” Margarita Xhepa, Mirush Kabashi, Artisti i Popullit Luftar Pajo, që mbajnë dhe titullin mirënjohje të “Labërisë”, por që kanë qenë më tepër se labë, të pa kursyer dhe pjesëmarrës aktivë në shumë veprimtari të shoqatës. Aktivitetet cilësore, mbresëlënëse të Shoqatës “Labëria”, janë realizuar me angazhimin e forcave intelektuale dhe biznesmenëve labë, që kanë kontribuar me sponsorizimet e tyre, si dhe sot për këtë kuvend dhe që çdo aktivitet ka një kosto financiare. Me këtë rast, dua të falënderoj biznesmenin veteran, z. Gafurr Duda, që s’i është ndarë shoqatës qysh nga krijimi i saj si dhe pasuesit e tij Bujar Leskaj, Agim Çiraku, Agim Rrapi, Vullnet Sina, Ardian Resuli, Olsi Idrizi etj, që shembulli i tyre duhet të rrezatojë dhe te shumë biznesmenë labë, që kanë pasuri ekonomike, por u mungon pasuria shpirtërore dhe patriotike e gjenit lab. Veprimtaritë e Shoqatës “Labëria”, kanë pasur jehonë duke u zbukuruar me grupet polifonike labe, që janë perla, gurë xhevahiri në gjerdanin e artë të polifonisë shqiptare. E gjithë kjo pasuri shoqërore e shoqatës “Labëria” është transmetuar në mjedisin lab e më gjerë, nëpërmjet zëdhënëses së saj, gazetës “Labëria”. Përkujdesja e botuesve Agim Çiraku dhe Gafurr Duda, angazhimi i anëtarit të Këshillit Botues, Drejtori i Gazetës “Telegraf”, z. Engjëll Musai ka bërë që gazeta të bëhet tepër e kërkuar për cilësinë dhe koloritin e problemeve që pasqyron në rubrikat e saja. Falënderimin jua përcjellim të dyfishtë si shoqatë dhe si lexues. Duke përfunduar, ne sigurojmë që Shoqata Labëria do ngrihet në lartësi të reja dhe garanci për këtë është fryma shoqërore, idealet e saj të larta, një pasuri e madhe intelektuale dhe kontributeve. Arritjet dhe eksperienca e krijuar, janë një gur prove dhe instrument vital, për të bërë hapa përpara forumi i ri që do dalë nga ky kuvend.

Kuvendi i Gjashtë i Shoqatës “Labëria”- Zëri i gjithmonshëm i Labërisë, i Labërisë që ishte gjithmonë zëri i gjithë-shqiptarisë

 Akademik Rexhep Qosja

Më gëzoi letra e kryetarit Ago Nezha për ftesën që të marr pjesë në Kuvendin e Gjashtë të Labërisë në Vlorë. Është një rast i veçantë ky për mua: që të shihem me njerëzit e mendimeve e të ndjenjave të mia:

e para, me labët dhe labet e Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” dhe me anëtarët e tjerë të saj dhe,

e dyta, që të shoh Vlorën, që të shoh zhvillimet, ndërtimet e saj e të mësoj për gëzimet dhe shqetësimet e saj.

Por, nuk munda të vi. Nuk munda të jem në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit ku isha i ftuar. Dhe, nuk munda të isha as në Panairin e Librit. Megjithatë do të jem me ju me mendime e me dëshira që punimet e Kuvendit të Gjashtë të jenë sa më të suksesshme dhe sa më jehuese në jetën shoqërore, kulturore dhe, pse jo, politike mbarëkombëtare. Në jetën shoqërore, kulturore e politike shqiptare sot po flitet shumë, më shumë se ndonjëherë tjetër në historinë tonë dhe po flitet gjithçka. Po flitet çka duhet dhe si duhet, por edhe çka s’duhet e si s’duhet! Kultura e bashkë-marrëveshjeve, që adhuruesit e fjalëve të huaja i thonë komunikim, e bashkë-marrëveshjeve të dëshiruara politike është zvetënuar pamatshëm. Interesat e përgjithshme, publike, po cenohen rëndë prej disave dhe po cenohen, jo vetëm në institucionet e vendit, të brendshme, por edhe në institucionet e jashtme, të huaja! Disa parti janë shndërruar në institucione të spiunazhit të haptë kundër vendit të vet! Përkatësitë e ndryshme më të ngushta po vihen mbi përkatësitë e përbashkëta, të përgjithshme! Shoqëria shqiptare është rrëgjuar në dy shtresa të mëdha: në shtresën e politikanëve që po pasurohen gjithnjë e më shumë duke shfrytëzuar dhe keqpërdorur postet politike edhe më pamëshirshëm se pushtuesit e dikurshëm dhe në shtresën e popullit që po varfërohet gjithnjë e më shumë! Korrupsioni i të gjitha prejardhjeve, nepotizmi i të gjitha përkatësive, zhvatjet e pasurive kombëtare të të gjitha mënyrave, privilegjet e të gjitha llojeve, lukset, ahengjet, turizmet e të gjitha pasaportave janë bërë mjetet që cenojnë, zhvlerësojnë, përbuzin barazinë e ëndërruar të dinjiteteve, barazinë e ëndërruar shoqërore, aftësitë profesionale, dhuntitë krijuese dhe vlerat e tjera që e kanë mbajtur gjallë e të dinjitetshëm në histori popullin shqiptar! Në Shqipërinë shtetërore po bëhen përpjekje për pengimin dhe mënjanimin e të keqes së madhe: privatizimit të gjyqësorit dhe të shtetit, kurse në Kosovë shteti, nga shumë të këqija i plagosur rëndë, është bërë shtëpi private e sundimtarëve bashkëkohorë shqiptarë! Numri më i madh i intelektualëve, i krijuesve të arteve e të shkencave, si kurrë më parë i shpërfillur e i diskriminuar prej sundimtarëve politikë, vazhdon t’i shikojë gojëmbyllur gjithë këto të këqija të rënda në jetën shoqërore, politike, shtetërore, kulturore! Për të gjitha arsyet e sipërthëna është e nevojshme, shumë e nevojshme, që të dëgjohet shumë më shpesh ,se viteve të fundit zëri i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, zëri i Labërisë. Dhe, të dëgjohet zëri i saj politik pa ngurrime, se është Shoqatë kulturore, vetëm kulturore. Ajo është Shoqatë Atdhetare. Ajo, më në fund duhet të flasë me Zërin e gjithmonshëm të Labërisë, të Labërisë që ishte gjithmonë zëri i gjithë-shqiptarisë.

Juaji me përkushtime vëllazërore, Rexhep Qosja