Disa kapitele antike nga kisha e Shën Dhimitrit Kokotovë në fshatin Ngurrëz e Vogël

1150
Dr Niko FERRO

Kapitelet për të cilët do flasim më poshtë nuk janë bërë asnjëherë objekt studimi, hulumtimi apo përshkrimi të shkurtër historik. Pikërisht për këto arsye paraqitja e tyre në këtë artikull ka mjaft interes për lashtësinë e zonës së Lushnjës. Në oborrin e kishës së re, dedikuar “Shën Dhimitrit-Kokotovë” ruhen tre kapitele antike. Sipas dëshmive të banorëve vendas këto kapitele kanë qenë murosur në themelet e kishës së vjetër (me të njëjtin emër). Ndonëse kisha e vjetër u shkatërrua deri në themel, në vitin 1967, për fat të mirë kapitelet dhe një pllakë e vogël prej guri me mbishkrim u ruajtën dhe sot janë të ekspozuar në mjediset e kishës së re. Ndërsa pyesim Ikonom Terkion në lidhje me origjinën e tyre, ai na rrëfen një gojëdhënë:

“Thuhet se dy shekuj më parë çobanët e zonës vendosën të ndërtonin këtu një kishë. Mësojmë gjithashtu se fiset Sylari, Bani, Durri e të tjerë ndihmuan për ndërtimin e saj”
Por në lidhje me kapitelet “shenjat” siç i quan ai nuk ka asnjë të dhënë. Megjithatë synimi i këtij artikulli nuk është përshkrimi i gojëdhënës së ndërtimit të kishës por kapitelet që ruhen në të. Kapiteli në fig 1 është prej guri gëlqeror. Kapiteli është me forma gjeometrike, i përbërë nga baza e sipërme, një paralelepiped me përmasa 49 cm x 49 cm dhe lartësi 9 cm. Poshtë ngushtohet në formën e trungut të një koni. Ky kapitel për nga karakteristikat arkitektonike i përket orderit dorik. Ky kapitel datohet në shek. V-IV p.e.s Kapiteli në fig 2 edhe ky është prej guri gëlqeror. Ai është shumë i dëmtuar. Në lidhje me përmasat mund të themi se është gati i njëjtë me të parin. Teknika e përdoruar për gdhendjen e tij dallon shumë me të parin. Punimi është bërë disi më i ashpër. Nga ajo çfarë ka mbetur prej kapitelit mund të themi se i përket orderit dorik dhe datohet në shek. IV p.e.s Kapiteli në fig 3 është i ndryshëm nga dy kapitelet e tjerë. Ky kapitel është gdhendur në gur ranor. Ai është i gjatë 37 cm. Edhe ky është shumë i dëmtuar. Nga ajo çfarë dallohet kapiteli është zbukuruar me dy radhë gjethesh ankanthi dhe në cepat e tij duhet të ketë pasur voluta por që për fat të keq nuk ruhet asnjëra prej tyre. Gjethet e akantit duhet të jenë të tipit me gjemba të mprehtë. Duke qenë një ekzemplar i vetëm të paktën deri më sot i zbuluar në zonën e Lushnjës është vështirë të japim një datim të saktë. Besojmë se i përket shek. V-VI të e. s Pllaka me mbishkrim në greqisht fig 4 ka këto përmasa; ajo është e gjatë 32 cm, e gjerë 33 cm, e trashë 12 cm. Në pjesën e përparme të saj dallohet një kryq i gdhendur, i cili në fund degëzohet. Sakaq në pjesën e përparme ruhet një mbishkrim në greqisht. Që e përkthyer në shqip lexohet “Drita e Shën Dhimitrit, 22 mars 1817”. Kjo pllakë mund të jetë data në cilën është ndërtuar kisha, e cila përkon edhe me gojëdhënën që tregohet. Si përfundim mund të themi se tre kapitelet që kanë murosur në kishën e Shën Dhimitrit Kokotovë janë “spolje” të marra në zona të afërta arkeologjike Apoloni ose Babunjë (Arnisa) Këto spolje (objekte të marra nga një ndërtesë më të hershme) janë të zakonshme për kohën në të cilën është ndërtuar kisha e Shën Dhimitrit (Mitrit). Mund të themi se të gjitha kishat mesjetare të zonës së Lushnjës ruajnë objekte të hershme të murosura në ambientet e tyre. Ndonëse janë vetëm pak objekte ato janë dëshmi të rëndësishme të paraardhësve tanë ilirë, si pjesë e identitetit të historisë sonë të cilat duhet të ruhen me shumë kujdes.
Sigal