Diplomati Bashkim Zeneli prezanton librin, “Për Gjermaninë”, histori politike dhe kujtime

472
Diplomati Bashkim Zeneli prezantoi dje në ambientet e “Tirana Internacional Hotel”, librin e tij të parë “Për Gjermaninë”, histori diplomatike dhe kujtime, një botim i ‘UET PRESS’. Në këtë libër përfshihen të pathëna historike, rrugët e errëta që çuan në ndërtimin e Murit të Berlinit, i cili ndau Gjermaninë, duke krijuar kështu dhe një ndarje të popullsisë. Takime dhe kujtime nga jeta e ish-ambasadorit Zeneli gjatë mandateve të tij në Gjermani. Libri është një histori politike e diplomatike e Gjermanisë dhe vlerësim i madh i është bërë Bashkim Zenelit si një shqiptar që shkruan mjaft mirë historinë e Gjermanisë. “Për Gjermaninë” nuk është thjesht një libër-dokument, i cili përshkruan historinë pas Luftës së dytë Botërore në Gjermani, por kërkimet dhe shfletimet e mijëra librave të tjerë kanë qenë pjesë e pandarë gjatë shkrimit të këtij libri. Detaji është ai që bën diferencën, kështu u shpreh gjatë fjalës së tij të mbajtur, Paskal Milo, i cili ka shkruar parathënien e librit. “Libri përcjell në detaje dramacitetin e çështjes gjermane në periudhën e Luftës së Ftohtë që rrezikoi dy herë t’i çonte Fuqitë e Mëdha në rrezikun e konfrontimit me armë. Për lexuesin shqiptar ky libër mund të quhet fare mirë edhe një histori e kësaj Lufte”. Por në këtë promovim nuk mungoi as fjala e mbajtur nga Ambasadori Helmut Hoffman, i cili shprehu edhe falënderoi diplomatin Zeneli që ka sjellë një botim kaq voluminoz dhe me vlera për historinë edhe shqiptare edhe atë gjermane. Ambasadori Hoffman u shpreh: “Ju keni qenë në një periudhë interesante ambasador dhe marrëdhëniet mesh Shqipërisë dhe Gjermanisë janë të ngushta. Ju në këtë libër përfshini ngjarje me rëndësi, siç është Luftë e Kosovës, konflikt i cili duhet menaxhuar me sukses. Jam mjaft i bindur që keni dhënë me këtë libër një kontribut të rëndësishëm, pasi është në natyrën tuaj.” Bashkim Zeneli falënderoi të gjithë të pranishmit dhe në fjalën e tij, duke u premtuar të pranishmëve që së shpejti do të kemi edhe një botim tjetër nga ai. Në këtë promovim ishin të pranishëm familjarë dhe miq si nga bota e medias dhe asaj e politikës, ku mes tyre ishin të pranishëm edhe Kryeministri i vendit, Edi Rama, Kryeparlamentari Ilir Meta, Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrat; Ilir Beqaj, Arben Ahmetaj, Blend Çuçi e të tjerë.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 12.12.2015
Sigal