Diplomat e kualifikimet, caktohen standardet për nxënësit, kursantët dhe studentët. Ndryshimet e ligjit

754
Diplomat e kualifikimet, caktohen standardet për nxënësit e studentët
Qeveria paraqit ndryshimet ligjore në Kuvend. Korniza Shqiptare e Kualifikimeve do të përmbajë 8 nivele
Qeveria ka paraqitur në Kuvend propozimet për ndryshime ligjore lidhur me caktimin e standardeve për mësimin e kualifikimin e nxënësve, kursantëve e studentëve. Qëllimi i këtij propozimi është krijimi i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve (në vijim, KSHK) dhe përcaktimi i parimeve dhe procedurave të krijimit, zhvillimit, zbatimit dhe përditësimit të saj për dhënien e njohjen e kualifikimeve në Shqipëri, bazuar në standardet e njohurive, të shprehive dhe kompetencave më të gjera, që duhet të arrijnë nxënësit, kursantët e studentët. Projektligji propozon edhe nivelet e KSHK-së, të tipave të kualifikimit, të objektivave, të funksioneve dhe të fushave, ku e shtrin juridiksionin e vet, të strukturave përgjegjëse për drejtimin dhe zbatimin e KSHK-së, në bashkëpunim me ministritë përkatëse, institucionet e ndryshme të pushtetit qendror apo vendor, partnerët socialë dhe organizatat jofitimprurëse, që veprojnë për zhvillimin, ofrimin dhe përdorimin e kualifikimeve, si dhe në lidhjen e KSHK-së me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve (KEK) dhe me Kornizën e Kualifikimeve të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (KKZEAL). Korniza Shqiptare e Kualifikimeve është një instrument që përmban 8 nivele. Ajo shërben për klasifikimin e kualifikimeve të përfituara nga individë sipas një tërësie kriteresh, për nivele specifike të të nxënit dhe ka për qëllim përmirësimin e transparencës, aksesit, përparimit dhe cilësisë së kualifikimeve që lidhen me tregun e punës dhe shoqërinë. Sipas përcaktimeve të ligjit, marrja e një kualifikimi profesional të përfshirë në KSHK përfundon me lëshimin e një diplome/certifikate nga ofrues të akredituar. Në rastin e përfundimit të suksesshëm të një pjese të kualifikimit profesional, përfshirë në KSHK, ofruesi i akredituar lëshon një dokument që vërteton arritjet përkatëse. Certifikata apo diploma duhet të përcaktojë nivelin dhe fushën e kualifikimit, në përputhje me nivelet e KSHK-së.


Sigal