Dimensioni ushtarak i Isa Boletinit

729
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Zotërim të artin tradicional popullor
Isa Boletini është figurë madhështore e atdhetarit të flaktë dhe propagandistit të shquar të historisë së popullit shqiptar. Ai në rrugën e tij të stërmundimshme për pavarësinë dhe krijimin e shtetit shqiptar, ka shpalosur në të gjithë veprimtarinë e tij të gjatë dhe të pasur luftarake, edhe një dimension tjetër, pak të rrahur dhe të analizuar. Ky dimension më pak i njohur është ai prej prijësi dhe lideri ushtarak. Këtë dimension me dukuritë dhe të veçantat e tij, përpiqemi të zbulojmë dhe rindërtojmë. Ndonëse ai nuk kishte ndjekur studimet dhe nuk kishte diplomë të ndonjë shkollë apo akademie ushtarake klasike, ndonëse nuk kishte njohur për artin ushtarak dhe studime mbi mendimin dhe teoritë ushtarake, sepse nuk kishte lexuar Zhominin, Klauzeviçin apo Makiavelin, Isa Boletini me zgjuarsinë dhe intuitën natyrale njihte dhe kishte përvetësuar në arsenalin e tij një numër të madh elementësh të artit ushtarak të zbatuar në mënyrë krijuese, të pleksur mirë me artin tradicional popullor, në kushtet e teatrit karakteristik dhe të ushtrive jo të rregullta me luftëtarë vullnetarë dhe me taktikën e luftës popullore të trashëguara nga paraardhësit. Në arsenalin e taktikave që përdorën shqiptarët, në luftimet e zhvilluara në kuadrin e viteve 1910-1912, ku ndikim të dukshëm pati edhe Isa Boletini, me idetë dhe veprimtarinë luftarake të tij, bien në sy disa veçori mjaft domethënëse. Duke përshkruar disa nga këto veçori, edhe shtypi evropian i kohës vinte në dukje se, duke u nisur nga numri më i pakët i forcave, mungesë e ushtrisë së rregullt, e armatimeve të kohës, sidomos ato të rënda, si dhe i municioneve, shqiptarët zbatuan një taktikë përmes së cilës e lodhnin dhe e rraskapitnin ushtrinë turke. Përmes kësaj taktike shqiptarët përhapeshin sa herë që ushtria turke sulmonte me forca shumë më të mëdha se sa ata, ndërkohë papritmas shfaqeshin dhe i binin armiqve nga pritat ndërsa ata marshonin. Sipas kësaj taktike luftëtarët shqiptarë sulmonin në befasi rojat turke përgjatë nyjeve rrugore, grykave apo qafave të maleve dhe qyteteve të vendit. Po sipas këtij kodi taktik shqiptarët godisnin në fshehtësi karvanët me furnizime të armikut, me armatime, municione dhe ushqime dhe nëpërmjet sulmeve natën godisnin kampet me tenda ushtarake dhe asgjësonin oficerët turq, duke i goditur ata në gjoks e lart.
Gjeneralët me tirq
Taktika dhe metoda e luftimit të “gjeneralëve me tirqe” si Isa Boletini, Idriz Seferi, Hysen Hasan Budakova, të cilët kishin vetëm diplomën e akademisë së luftës dhe komandonin forca shumë herë më të pakta e mundën me turp kryekomandantin e ushtrisë turke në Shqipëri, Muhamet Shefqet Pashën, i cili vetëm në betejat e fundit la në shesh betejë 1000 ushtarë dhe 90 oficerë të lartë. Përdorimi i rezervës (si parim) në betejën e Cernalevës, marshimi me ruajtje dhe masa sigurie, si dhe organizimi i shërbimit të prapavijave për furnizimin me ushqim i çdo luftëtari, aty ku ishin vendosur e pozicionuar për luftim. Për të përballuar këtë shërbim me rëndësi të veçantë jetikë, kishte mjaft vështirësi për arsye tek forcat vullnetare siç janë ato kryengritëse nuk kryhet dot ndryshe për shkak të mungesës së forcave të specializuara për këtë lloj shërbimi, pra mungon ky dhe shërbime të tjerë të veçantë. Për këtë shkak, me fillimin e kryengritjes, ndërsa filloi lëvizja dhe marshimi i forcave kryengritëse kosovare drejt jugut, në tri drejtime kryesore, të prirë njera kolonë drejt Cernalevës e prirë nga Isa Boletini, kolona e dytë për të zënë shkallën e Kaçanikut e drejtuar nga i mirënjohuri Idriz Seferi, kurse e treta e prirë nga Hasan Hyseni i Podgorës drejt Jezercës, u ndërmorën shumë masa paraprake. Sipas një plani të menduar mirë, krejt të ngjashëm me ushtritë e rregullta klasike, prijësit e tyre pa uniforma dhe grada ushtarake organizuan marshimin me masa ruajtjeje, njëherazi duke mbledhur gjatë rrugëkalimit si në Isniq, Podgor të Pejës, Gashit, Drenicës etj., vullnetarë të shumtë. Më tej: përpara shpërndarjes së forcave sipas drejtimeve të luftimit, pikërisht për të kryer furnizimin, u ngrit Këshilli i Furnizimit, i përbëra nga fshatarët e zonës së veprimeve luftarake, i cili u ngrit në mungesë të Forcave të Shërbimit të Prapavijës ose Intendencës. Tek figura e Isa Boletinit gjendej mjaft qartë edhe dimensioni ushtarak i spikatur. Ndonëse i pashkolluar, edukuar dhe i paformuar në shkollë apo akademi ushtarake të asaj kohe, ai ishte një ushtarak i lindur, tek i cili ishin ndërthurur nga natyra mjaft në harmoni zgjuarsia, njohja dhe përvetësimi i artit ushtarak përmes pjesëmarrjes dhe përvojës së fituar në dhjetëra luftime dhe beteja, disa nga të cilat shumë të njohura në historinë ushtarake të popullit shqiptar. Përveç kësaj kjo njohje e artit ushtarak dhe përvoja luftarake e pasur ishte e ndërthurur shumë fort e natyrshëm me artin luftarak tradicional, të trashëguar nga të parët por të pasuruara me element të tjerë të rinj dhe për shkak të armatimeve dhe teknikave të reja të kohës. Po t’u shtosh atyre njohurive edhe aftësitë drejtuese, njohjen dhe shfrytëzimin e vendit dhe të armikut me forcat, armatimet dhe taktikat e tij të luftimit, si dhe gjakftohtësinë, guximin dhe trimërinë e rrallë, aq më tepër po të mendosh se ai komandonte dhe drejtonte të forca të përbëra në masë nga rezervistë dhe vullnetarë dhe jo ushtri të rregullta.
Krijues i vërtetë i luftimeve në prita
Isa Boletini ishte një mjeshtër i vërtetë i organizimit dhe drejtimit me zgjuarsi dhe krijues i vërtetë i luftimeve në prita dhe terrene të mbyllura, por edhe të luftimeve të hapura e të zgjatura, me ndjekjen e shumë forcave, në hapësira me përmasa të mëdha. Shpesh në to ai e tregon veten në përmasat e një strategu të vërtetë, largpamës dhe vizionar. Isai kishte aftësinë e çmuar dhe të rrallë për çdo komandant të çdo ushtrie të komandimit dhe të marrëveshjes, kod i së cilave ishte besëlidhja gjë që i siguroi atij dhe bashkëpunëtorëve të tij mbështetjen dhe bashkëpunimin e shumë prijësve krahinorë dhe mijëra luftëtarë për luftimet dhe betejat në kuadrin e Kryengritjeve të mëdha shqiptare, sidomos atyre të viteve 1910-1912. Veprimet luftarake të këtyre viteve çuan në finalizimin e përpjekjeve të shqiptarëve për të shpallur pavarësinë dhe krijimin e shtetit të parë të pavarur, për herë të parë në historinë e tyre. Janë shumë të njohura marrëveshjet dhe besëlidhjet e Isa Boletinit me prijës të njohur shqiptarë të asaj kohe si Idriz Seferi, Bajram Curri, Hasan Prishtina etj. Kësisoj në vitet 1910-1912, teksa përgatitej të shpërthente Kryengritja e Madhe, kudo, deri në kryeqytetin e Perandorisë përflitej se kryetari i të gjithë forcave shqiptare ishte Isa Boletini. Dhe të mendosh se marrëveshja apo besëlidhja si kod dhe bashkëpunimi janë baza të fuqishme, të pazëvendësueshme të fitores, në çdo betejë apo luftë, edhe në atë popullore, ku veprojnë të njëjtat ligjësi, si dhe në artin ushtarak të ushtrive të rregullta aktive. Aleancat, të mëdha apo të vogla janë kurdoherë arsye për të qenë më i fortë dhe për të qëndruar, për të fituar, dhe Isai e dinte mirë këtë fakt. Isa Boletini jetoi, luftoi dhe u formua si një prijës dhe luftëtar i madh në kohëra të rëndësishme për lirinë, pavarësinë dhe krijimin e shtetit shqiptar. Ai jetoi ndërkohë që jetuan dhe vepruan edhe shumë prijës dhe luftëtarë shumë të njohur shqiptarë, si Idriz Seferi, strategu i Kaçanikut, luftime në të cilën u shtrinë në një hapësirë të madhe, prej Kaçanikut deri në Kumanovë. Gjatë zhvillimit të veprimeve luftarake me forcat që drejtonte Boletinit ju desh të luftonte shpesh në kushte pabarabarta në forca, armatime dhe furnizime, por edhe i gjendur jo rrallë përpara të papriturave luftarake të pakëndshme dhe dramatike. Pikërisht në këto çaste përcaktuese për jetë a vdekje, Isa Boletini me talentin dhe burrërinë, u ngrit mbi to dhe gjeti zgjidhjen e duhur.
Sigal