Digjitalizimi, transparenca dhe besimi publik: Mundësitë dhe sfidat e KLSH-së

827
Tranzicioni i gjatë dhe i vështirë që vendi ynë po kalon prej gati tre dekadash, si dhe debatet e shumta mediatike mbi nivelin e lartë të korrupsionit në organet e drejtësisë si dhe në institucionet shtetërore e kanë sfilitur besimin e njerëzve ndaj transparencës dhe efikasitetit të punës së këtyre institucioneve. Tendenca e përfitimive korruptive po rrënon më tej besimin publik duke krijuar një situatë tepër shqetësuese ku të gjithë, në një formë apo në një tjetër, humbasim kolektivisht. Besimi publik ndaj institucioneve shtetërore shërben si një katalizator i fuqishëm për avancimin e reformave në të gjitha hallkat e qeverisjes, prandaj ringritja e këtij besimi mbi baza te shëndosha mbetet një nga prioritetet kryesore, pa të cilin këto reforma vështirë që mund të arrijnë objektivat e planifikuara. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka një rol kyç në rifitimin e besimit tek institucionet shtetërore duke rritur transparencën dhe llogaridhënien në lidhje me përdorimin e fondeve publike. Transparenca promovon parimet themelore demokratike, që ndikojnë pozitivisht për të shndërruar cinizmin mbizotërues të qytetarëve ndaj qeverisjes në një pjesëmarrje aktive të tyre në debatet për çështjet publike. Gjithashtu, transparenca rrit përgjegjshmërinë dhe përkujdesjen e administratës publike në menaxhimin e fondeve publike. KLSH synon të sigurojë që në të gjitha transaksionet ku përfshihen shpenzime publike, të mbizotërojnë transparenca dhe përgjegjësia në mënyre që të fitohet besimi i publikut. Ndërkohë, vendi ynë është përfshirë në revolucionin mbarëbotëror të dixhitalizimit, i cili parashikohet të transformojë tërësisht pjesën dërmuese të aktivitetit njerëzor. Shpesh herë, dixhitalizimi perceptohet si një burim i pashmangshëm i transparences. Sa është kjo e vërtetë? Gjithashtu, në kushtet kur dixhitalizimi është ende në hapat fillestare, është shumë e rëndësishme të shtrohet pyetja se cili do të jetë impakti i këtyre transformimeve në besimin e njerëzve tek institucionet publike? Si mund të ndihmojë procesi i dixhitalizimi në kryerjen sa më mirë të misionit të KLSH-s? Digjitalizimi ofron mundësi të mëdha për ndryshime të qëndrueshme që synojnë përmirësimin e besueshmërisë së marrëdhënieve midis individëve, organizatave dhe institucioneve publike. Zhvillimi i jashtëzakonshëm i mediave sociale, e-government, revolucioni i katërt industrial ose Industry 4.0 (si do të revolucionarizohet prodhimi industrial nga interneti i objekteve), janë faktorë që favorizojnë transparencën e shkëmbimeve ekonomike dhe sociale. Por, problemet e shkëmbimeve në një kontekst dixhital janë ngushtësisht të lidhura me ato të shkëmbimeve në një kontekst tradicional (analog). Një shoqëri ku tradicionalisht mbizotëron fryma e mosbesimit, do të ‘trashëgojë’ eventualisht këtë mosbesim dhe në botën e dixhitalizuar. E thënë ndryshe, dixhitalizimi nuk është një shkop magjik që zgjidh menjëherë problemet aktuale shumë akute. Përkundrazi, ai mund t’i thellojë ato në rast se nuk merren masat e nevojshme për të kuptuar e kontrolluar ecurinë e këtij procesi me të gjitha pasojat e tij. Rritja e manipulimeve në sektorin financiar dhe ekonomik, sulmet kibernetike të natyrave të ndryshme, rastet e plagjiaturës dhe falsifikimit janë disa nga rreziqet që shoqërojnë procesin e dixhitalizimit dhe që dëmtojnë besimin e përdoruesve të shërbimeve dixhitale. Disa faktorë të tjerë që lidhen me menaxhimin e teknologjive të reja, shkaktojnë krizë besimi tek përdoruesit e tyre. Kështu për shëmbull, mungesa e rregullave dhe standarteve të qarta të lojës shkakton reaksione të forta në pranimin e modeleve të reja të biznesit. Kjo po ndodh për shembull me platformat dixhitale Uber ose Airbnb. Kujtojmë këtu se Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka vendosur që platforma dixhitale Uber të konsiderohet si kompani transporti për sa shfrytëzon aplikacione të ndryshme për ofrimin e shërbimeve në fushën e transportit. A po veprojnë këto kompani – platforma dixhitale në përputhje me rregullat e normat e lojës ekonomike? A po ushtrojnë këto platforma një konkurencë të ndershme ndaj ndërmarrjeve të taksive apo të hotelerise? Meqë besimi shkatërrohet shumë më shpejt se sa ndërtohet, mosnjohja e dinamikave të adoptimit të teknologjive të reja dhe indiferenca ndaj tyre mund të sjellin pasoja shumë negative në lidhje me të ardhmen e sektoreve të prekur nga këto teknologji. Një shembull tjetër i tensionit ndërmjet avantazheve dhe disavantazheve të dixhitalizimit është ai që lidhet me datafikimin (një pjesë gjithmonë e më e madhe e informacioneve ‘datafikohet’ ose shndërrohet në ‘të dhëna dixhitale’). Datafikimi e prek drejtëpërsedrejti misionin e KLSH-s. Nga njëra anë, datafikimi përmirëson praktikat e kontrollit duke mundësuar aksesin në të dhënat e ndryshme që kanë mundësi të rrisin transparencen e aktiviteteve të institucioneve publike. Duke pasur më shumë të dhëna që lidhen me zbatimin e aktiviteteve publike mundësohet analiza e këtyre aktiviteteve e mbështetur në evidencën faktuale (Evidence-based approach). Efektiviteti i kësaj mënyre analize është provuar gjërësisht në fusha nga më të ndryshmet (nga mjekësia deri në administatën publike). Si rrjedhojë, transparenca më e madhe do të ndikojë pozitivisht në një besim më të madh të qytetarëve në këto institucione. Por, nga ana tjetër, datafikimi ushtron presion për ndryshimin (zgjerimin) e mandatit të KLSH-s duke tërhequr vëmendjen në rrezikun e sulmeve kibernetike. Datafikimi rrit mundësine e ‘rrjedhjes’ së informacionit në mënyrë të paautorizuar dhe për pasojë rrezikon aktivitetet e personave fizikë apo juridikë aktiviteti i të cilëve lidhet me këto të dhëna. Sa të sigurta ndaj sulmeve kibernetike janë shërbimet qeveritare të dixhitalizuara? Një tjetër shtysë për zgjerimin e mandatit ‘tradicional’ të KLSH-s është dhe nevoja për të matur njëherazi efikasitetin dhe koherencën e iniciativave publike të dixhitalizimit. Në ç’masë këto iniciativa kanë realizuar objektivat e tyre për përmirësimin e shërbimeve qeveritare ? Në ç’masë këto iniciativa janë komplementare, pra plotësojnë njëra-tjetrën? Sikurse rezulton nga përvoja ndërkombëtare, shumë shpesh, suksesi i një projekti apo programi është i ndërlidhur me suksesin e një projekti apo programi tjetër. Mosrespektimi i këtij parimi ekonomik që quhet ‘supermodularitet’ sjell humbje të mëdha në dy drejtime: i) në se nuk zhvillohen njëkohësisht projektet komplementare, asnjëri prej tyre nuk do të jetë efikas sa dhe si duhet; ii) gjithashtu, ndodh shpesh, kur konstatohet mungesa e efikasitetit të një programi, në vend që të investohet në drejtim të projekteve që janë komplementare me të, ndërpritet projekti i avancuar, duke çuar dëm fondet e përdorura për të. Parimi i ‘supermodularitetit’ është shumë i pranishëm në kushtet e dixhitalizimit. Kështu për shëmbull, duhet të sigurohemi që rritja e numrit dhe nivelit të automatizimit të shërbimeve qeveritare dixhitale të realizohet paralelisht me programet që garantojnë sigurinë e informacioneve qeveritare si dhe me programet që vendosin përdoruesit e këtyre shërbimeve (qytetarët) në qëndër të strategjise qeveritare të dixhitalizimit. Në se njëri nga këto aspekte injorohet, kompromentohet në mënyrë të pashmangshme suksesi i aspekteve të tjera. Një kontribut të veçantë në përcaktimin e hapave të mëtejshëm të KLSH-s ndaj dixhitalizimit, kanë shkëmbimet e experiencave ndërkombëtare në këtë fushë. Vende të ndryshme të EUROSAI-t po përpiqen të përcaktojnë një seri optimale praktikash që synojnë zgjerimin e hapësirave të kontrollit dhe rritjen e efikasitetit të tij përmes dixhitalizimit. Bashkëpunimi ndër-institucional, brenda dhe jashtë vendit, është një domosdoshmëri që kushtëzohet nga fakti që dixhitalizimit është një proces kompleks ngushtësisht i lidhur me konceptin e network-ut (rrjetit). Shkëmbimi i praktikave të pjesëmarrësve të ndryshëm të network-ut ndihmon në identifikimin e praktikave më të mira që në një fazë të dytë (kur teknologjia dhe efektet e saj të njihen më mirë) mund të standartizohen. Kështu për shëmbull, në kërkim të praktikave më të mira të auditimit të e-government, një grup pune mbi teknologjitë e informacionit (IT) i përbërë nga disa vende të EUROSAI-t, ka sugjeruar krijimin e një ‘intelligent database’ në internet në të cilën mund të depozitohen raportet e auditimit të e-government nga vende anëtare të SAI si dhe artikuj, prezantime, metodologji e materiale të tjera që lidhen me praktikat e kontrollit dixhital. Ideja është që të mundësohen kështu analiza të thella për menaxhimin efikas të kontrollit të dixhitalizuar, rastet e rrezikut që shoqërojnë përdorimin e tij, si dhe projekte të ardhshme që paraqesin interes në këtë fushë. Ky ‘brainstorming’ kolektiv është dizenjuar në mënyrë të tillë që të angazhojë në diskutim jo vetëm auditet publikë që punojnë në fushën e e-government, por dhe të gjitha palët e përfshira në auditimin modern të IT-së.

Zgjedhjet e duhura të objektivave dhe praktikave të punës së KLSH-s në funksion të dixhitalizimit, mund të arrihen në se do të mbështeten në themele të sigurta si: 
1) Një strategji afatmesme e menaxhimit të transformimeve digjitale të objektivave dhe praktikave të KLSH-s – e konsideruar si një e tërë dhe gjithëpërfshirëse për të evituar parcelizimin e punës dhe përpjekjeve. 

2) Zhvillimi i kapaciteteve të nevojshme njerëzore (know-how) në përputhje me njohuritë dhe eksperiencat e duhura për të vënë në zbatim me sukses mënyrat e reja të punës – ku pavarësisht avancimit të shpejtë të teknologjive digjitale, qofshin ato në infrastrukturë (interneti apo telefonia mobile), në hardware, software ‘intelligent machines’ (makinat që mësojnë); njeriu do të mbetet pjesa qendrore e sistemeve ekonomike dhe sociale. 

3) Vullnet të fuqishëm institucional dhe vijimësi në formulimin dhe zbatimin e programeve dhe projekteve të transformimit kërkon. Në këto kushte, vetëm dëshira e mirë është e pamjaftueshme për të sjellë frutat e duhura nga adoptimi i inovacioneve teknologjike, prandaj kërkohet inisiativë, adoptim dhe përdorim i kujdesshëm i teknologjive digjitale nëpërmjet programeve të zbatuara me rigorozitet. 
Rruga drejt transformimeve është e gjatë dhe e vështirë. Suksesi kërkon parapërgatitje institucionale shumë-planëshe dhe bashkëpunim me të gjithë përdoruesit / përfituesit e eko-sistemit dixhital. Por, sa më herët të kapet roli i leadershipit në rrugën e transformimeve, aq më frutëdhënës do të jetë përdorimi i këtyre teknologjive inovative. Historia e zhvillimeve teknologjike ka provuar se sa më shpejt të kapen dhe të adaptohen arritjet inovative, krijohet një avantazh konkurues shumë i rëndësishëm që vështirë se të mund të kapet nga të vonuarit. Dhe ne kemi gjithë besimin e vullnetin e duhur për të qenë në vagonat e parë të këtyre transformimeve.
Vjollca Selmani (Osmanlliu)
Sigal