Didi rikthehet në SHBA si pjesë e stafit tonë diplomatik

94
Pas dorëheqjes nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi duket se do t’i rikthehet sërish jetës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por këtë radhë si pjesë e stafit tonë diplomatik atje. Shumë shpejt Didi pritet të emërohet oficer kontakti në ambasadën Shqiptare në SHBA, vend ku ish-kreu i Policisë së Shteti jetonte me familjen e tij para se të emërohej në postin më të lartë drejtues në polici. Lajmi është konfirmuar nga burime të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shteti të cilat thanë se Didi pritet të marrë detyrën e re gjatë javës që vjen.
Ish- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, konfirmoi se kishte marrë disa propozime për të marrë detyra të ndryshme në Policinë e Shtetit, por se nuk kishte asgjë konkrete. Didi jetoi ne SHBA për një periudhë disa vjeçare dhe madje zotëron edhe pasaportën e amerikane.
Artan Didi mori drejtimin e Policisë së Shtetit në tetor të vitit 2013, me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste, duke zëvendësuar në këtë detyrë Hysni Burgajn. Ai dha dorëheqjen në fund marsin e këtij viti pas bllokimit që dy drejtues të lartë të Intepol Tiranës i bënë kërkesave të ardhura nga Belgjika për arrestimin e deputetit Mark Frroku, në lidhje me akuzat që i rëndojnë nga autoritetet belge për vrasjen e një shqiptari. Dorëheqja e kryepolicit erdhi vetëm pak orë pas arrestimit të shefit të Interpol Tiranës Artan Bajraktari tashmë i shkarkuar dhe të specialistes në këtë institucion Laureta Alla.