Dibër, përgjegjësi i HEC-it në Kacni u vetëplagos aksidentalisht

591
Sigal

Policia e Dibrës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur një ditë më parë, ku në spital u paraqit një 39-vjeçar me plagë në këmbë. Sipas policisë, Andi Losha 39 vjeç,  me detyrë përgjegjës i HEC në Kacni ka bërë kallëzim të rremë, pasi ai është vetëplagosur dhe në spital u paraqit me arsyetimin se e kishin qëlluar me armë.

Policia sqaron se: Pas veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga ana e Specialistëve  për Krimet e Rënda në D.V.P.Dibër në bashkëpunim dhe me Prokurorinë Dibër, është bërë e mundur  zbardhja  dhe dokumentimi i plotë i ngjarjes ku ka rezultuar se i dëmtuari është vetplagosur aksidentalisht me një armë zjarri Pistoletë.

Pak metra me larg vendit të ngjarjes Policia ka gjetur të fshehur armën e zjarrit  e cila është konstatuar së bashku me gëzhojën e bllokuar në folenë e fishekut.

Policia e Dibrës informon se: Është ndaluar Andi Losha 39 vjeç,  banues në Kacni, Dibër, me detyrë përgjegjës i HEC në Kacni. Janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale  rrobat e dëmtuara nga arma e zjarrit, pasi pas vetplagosjes shtetasi Andi Losha i kishte ndërruar rrobat dhe i kishte fshehur. Si dhe është sekuestruar predha e nxjerrë nga trupi i Andi Loshës.

Provat materiale do të dërgohen për ekzaminim në laboratorin kriminalistik në Tiranë.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Dibër për veprat penale “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “Kallzim i rremë”, parashikuar nga nenet 278/3 dhe 305 të Kodit Penal.