Dibër, dëbora pritet të përkeqësojë situatën e rënduar nga reshjet

530
Sigal

Shtabi i Emergjencave Civile në Qarkun e Dibrës ka diskutuar situatën e krijuar nga reshjet e fundit të shiut, ndërkohë që dëbora, e cila sapo ka nisur, pritet ta përkeqësojë gjendjen.

Më emergjente, situata paraqitet në njësinë administrative Gjoricë të Bashkisë së Bulqizës, ku rreth 200 banesa rrezikojnë të përmbyten si pasojë e fryrjes së lumit Okshtun. Forcat e ushtrisë po u vijnë në ndihmë banorëve dhe bordit të kullimit.

Në Dibër ishte dhe ministrja e Mbrojtjes, e cila tha se janë bërë ndërhyrje në disa segmente rrugore, në argjinaturën e Gjoricës, për t’u ardhur në ndihmë njerëzve e për të bërë të mundur shmangien e përmbytjes së shtëpive dhe kafshëve.

“Është e pamundur të ndërhyhet plotësisht pa pushuar reshjet. Pas shiut pritet dhe rënia e dëborës, gjë që mund të përkeqësonte më tej situatën në vend. Do ta përcjell në qeveri të gjithë problematikën e krijuar në këtë qark, duke vendosur më pas dhe prioritetet, siç janë dhe rrugët nacionale, e për të bërë të mundur të ndërhyhet në kohë”, tha Mimi Kodheli.