“Diabeti” korruptiv prek Këshillin Drejtues të ISKSH, 289 mijë “Insulina” rimbursim fals në vit

530
Gazeta “Telegraf”, ka denoncuar qysh në 20 janar 2014 skandalin me rimbursimin fiktiv të ilaçeve dhe kryesisht me rimbursimin fals të ilaçit jetik të pacientëve diabetikë të çdo kategorie, të quajtur “Insulinë”, duke zbardhur skemën që realizohej në 193 farmacitë pronë private e klientliste të “besuara” të klikës mjekësore shtetërore në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Shkodër, Kukës e Dibër, me të cilat “punonin” Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, 7 drejtorë të tij në ministri e në qendrat spitalore shtetërore, 69 familjarë deputetësh dhe 11 deputetë, të cilët kishin krijuar dhe po vazhdojnë të kenë monopolin e rimbursimit të “Insulinës” e të 159 ilaçeve bazë. 
Gazeta “Telegraf”, datë 20 janar 2014: Po vidhen 6 miliardë lekë rimbursime nga “Insulina”
Fakti që ka denoncuar gazeta “Telegraf” në 20 janar 2014 është ky: Çdo muaj në Shqipëri, deri në janar 2014, vetëm nga një monopol me inicialet “P.P”, importoheshin 10 mijë ilaçe “Insulinë”, por “çuditërisht” ne letrat e farmacive, në llogaritë e ISKSH dhe në buxhetin e shtetit rimbursoheshin… 26 mijë ilaçe “Insulinë”! Mjafton vetëm ky fakt, nga shumë fakte të tjera prej 3 distributorëve të leicencuar për importin e ilaçit “Insulinë”, për të provuar denoncimin që ka bërë gazeta “Telegraf” 18 muaj më parë. Ky abuzim financiar me rimbursimin e ilaçeve, ka vazhduar deri 10 ditë më parë, kur ky skandal shtetëror u shpall si fakt i zyrtarizuar dhe i çuar në tavolinën e drejtësisë shqiptare, pavarësisht se deri tani, janë arrestuar vetëm 2 persona: drejtori i DFSKSH që nuk po “flet” dhe një administrator i 4 farmacie të zonave rurale të Tiranës, i cili ka pranuar abuzimin me rimbursimet. deri në janar 2014, u denoncua vjedhja e 6 miliardë lekëve çdo vit, vetëm nga “Insulinat”. Zbardhja e këtij krimi financiar, që kishte lidhje me vjedhjen e ilaçeve të pacientëve nëpërmjet recetave false, siç dihet e ka çuar shumën e vjedhur në 7.3 miliardë lekë. Burime nga grupi hetimit, thonë për gazetën ”Telegraf”, se kjo shumë po shkon drejt shifrës 200 milionë euro të vjedhura nga 200 farmaci, me të cilat kupola e Ministrisë së Shëndetësisë, ka bërë pazaret e këtij skandali, duke përdorur 193 vulat që u janë grabitur qëllimisht mjekëve të familjes në Tiranë e në rrethe, për të realizuar këtë vjedhje gjigande, që po shkon sa borxhi që FMN dhe BB i kanë dhënë në 2 vjet Shqipërisë, për të dalë nga kriza ekonomike! 
Me 2 lloje “Insulinë”, në 5 muaj janë vjedhur 3.8 miliardë lekë 
Në dosjen e hetimit, që duket se prokuroria po e zbardh realisht dhe me informim të publikut, rezulton, se vetëm me 2 tipe “Insulinë”, në 5 muajt korrik-dhjetor 2014 janë vjedhur 388 milionë e 320 mijë lekë. Të gjitha veprimet janë bërë nën kujdesin e ministrit Ilir Beqja! Kompania pranë Ministrit Beqja, vetëm me rimbursimin e 2 tipeve “Insulinë” ka vjedhur 388.320.000 lekë të reja. Kemi të bëjmë me një vjedhje në vazhdimësi me shifra të mëdha për buxhetin e Fondit. Ja shembulli i 2 “Insulinave” me të përdorshme për 3-mujorin e parë të vitit 2015. po e konkretizojmë: “Insulinë e thjeshtë bazë”. Janë rimbursuar nga Fondi i ISKSH 41.000 pena, ndërkohë që janë shpërndarë nga depoja importuese vetëm 7.200 pena. Pra, 33 mijë e 800 pena, janë rimbursuar me receta fiktive. Vlera totale e vjedhjes shkon në 24.674.000 lekë te reja. Kurse në total, prej muajit nëntor 2013, shifra shkon 123.370.000 lekë të reja. Ky abuzim, lidhet me depon farmaceutike “Omegafarma” e cila për 3-mujorin e parë 2015 është furnizuar nga importuesi vetëm me 2.400 pena dhe ka lëshuar fatura për 33.600 pena, duke mbuluar një vjedhje prej 31.200 pena me fatura fiktive, të cilat kapin vlerën 22.776.000 lekë të reja. Për 1 “Insulinë e përzier”, janë rimbursuar nga Fondi i ISKSH 80.000 pena, ndërkohë që janë shpërndarë nga importuesi vetëm 13.000 pena, pra 67.000 pena janë rimbursuar me receta fiktive, me vlerë totale 52.930.000 lekë të reja. Abuzimi prej muajit nëntor 2013, kap vlerën 264.650.000 leke të reja. Po e njëjta depo farmaceutike “Omegafarma”, për 3-mujorin e parë 2015 është furnizuar nga importuesi me 4.600 pena dhe ka lëshuar fatura për 67.000 pena, duke mbuluar një vjedhje prej 62.400 pena, ose 49.296.000 lekë të reja. Vetëm për këto 2 “Insulina”, abuzimi kap shifrën 388 milionë e 320 mijë lekë të reja. Vetëm për këto dy barna, kompania pranë Ministrit Beqja është lejuar të vjedh rimbursim fiktiv ilaçesh në shifrën 72.066.000 lekë të reja vetëm në 3 muaj. Kurse për gjithë periudhën që i është rimbursuar kompanisë “Omegafarma”, shifra vetëm për këto 2 barna është 360.330.000 lekë të reja. Fakti është ky: për periudhën janar 2014-prill 2015, ministria e shëndetësisë, me firmën e ministrit Beqja, ka likuiduar rimbursimin e 289 mijë ilaç “Insulinë”. Llogaria e vjedhjes, bëhet lehtë, referuar sipas çmimit që ka vendosur po ministri Beqja! 
Abuzimi/ 60% e abuzimit me ilaçet e të sëmurëve rëndë
Skandali i rimbursimit fiktiv të ilaçeve të pacientëve me sëmundje të rënda, sipas provave që ka prokuroria, rezulton se e ka ”rezidencën qendrore” në kupolën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe në kupolën e ISKSH, menaxhuar nga zv/drejtori i ISKSH Sokol Skuraj ose sekseri i ministrit Beqja dhe i përkëdheluri i deputetit të Librazhdit, që e ka “graduar” në atë detyrë, për të bërë këtë biznes të pistë, ku sipas hetimeve të derisotme të prokurorisë, ky grup i strukturuar i krimit të tregut dhe rimbursimit fiktiv të ilaçeve, kontrollon biznesin e 133 farmacive në qarqet Elbasan, Fier, Durrës, Korçë, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Gjirokastër e Tiranë. Sipas hetimeve të deritanishme, rezulton se abuzimi me rimbursimin me recetat false është 60% me ilaçet e pacientëve me sëmundje të rënda dhe ja konkretisht: 
1. Pacientët me sëmundje të rënda degjenerative nervore dhe muskulore (skleroza multiple), e cila çon drejtë invalidizimit të pacientit. 
2. Raste që vijnë për miratim të vazhdimit të trajtimit në ISKSH, që kanë kaluar periudhën 2/vjeçare të trajtimit, sipas kufizimeve të listës së barnave të rimbursueshme, pra nuk vijnë për herë të parë në skemë. 
3. Pacientë të siguruar, me dosjet të filtruara paraprakisht nga DSSH pranë QSUT.
4. Raste të paraqitura për trajtim në Këshillin Administrativ për të cilat ka vendimmarrje të mëparshme të Këshillit Administrativ, pra janë të përsëritura.
5. Kategori pacientësh me probleme të theksuara në aktivitetin fizik të përditshëm, pasi vetë sëmundja nuk i lejon ata që të jenë aktiv. 
6. Pjesa dërmuese e këtyre pacientëve përfitues që trajtohen në mënyrë të përsëritur nga KA, janë në kushtet e pamundësisë reale fizike madje dhe mendore për të rinovuar në mënyrë periodike vjetore sistemin dokumentar të përcaktuar me aktet e sipërcituara.
Skandali/ Tre kompanitë që importojnë “Insulinë”, nuk japin të dhëna
Në Shqipëri janë tre kompani, që sjellin insulinën dhe janë ndër tre kompanitë më prestigjioze dhe më me peshë në botë. Ato janë “Eli”, “Lili Novonordis” dhe “Sanofi”. Këto tre kompani, importojnë “Insulinë” dhe ilaçet bazë, duke e futur në dogana dhe e shpërndajnë nëpërmjet distributorëve. Janë pikërisht disa nga distributorët dytësorë, të cilët në bashkëpunim me mjekun e familjes, farmacistët, ata kanë realizuar lirshëm dhe madje me leje të ministrisë së shëndetësisë krimin e rimbursimit me receta false. Nëse shteti, do që ta zbuloj deri në fund këtë skandal gjigand me ilaçin “Insulinë”, nuk e ka aspak vështirë të zbuloj autorët, masën e krimit, urdhëruesit, përfituesit dhe mbrojtësit shtetërorë të këtij krimi. Mjafton të marrë recetat e mjekëve dhe farmacitë ku është shitur “Insulinë”. Dhe do të konstatojë, se p.sh, 1 farmaci është furnizuar nga “x” distributor dytësor, me 100 Pena “Insulinë” me faturë, por rezulton se ka shitur 300, 500, 1000, 2000 e 3000 “Insulinë”. Atë që fshehin depot dhe faramacitë e ka publikuar ”pa dashje” ministri Ilir Beqja, në një konferencë mjekësore kombëtare në tetor 2014, duke thënë: “Të dhënat me të fundit që kemi, tregojnë se në 12 muajt e fundit ISKSH tetor 2013-tetor 2014, janë rimbursuar çdo muaj rreth 2500 Pena “Insulinë” më tepër, se sa rezulton të jenë importuar në Shqipëri, në krahasim me 3 muaj më parë (korrik-gusht-shataor 2014). Rimbursimi i 1 “Pene Insulinë” kushton 8,25 USD. Po 3 mijë më tepër se sa importi, sa kushtojnë? Po 289 mijë “Insulina” rimbursim fals në vit, që janë bërë që prej tetorit 2014 e deri 10 ditë më parë që u zbulua skandali, sa kushtojnë? Llogaria sipas “”lapsit” të ministrit Beqja është kjo: Në 1 vit vetëm nga rimbursimi i ïlaçit “Insulinë”, humbja për Fondin e Sigurimit Shëndetësor është 2500 “Pena Insulinë” në muaj. Ndërsa në 12 muaj humbja është 30 mijë “Pena Insulinë”. Nëse këtë sasi e shumëzon me 8.25 dollarë për 1 “Pena Insulinë”, humbja shkon në 247 mijë e 500 dollarë. Ndërsa sipas “”lapsit” të drejtësisë, vlera e vjedhjes me rimbursimin e ilaçit “Insulinë” dhe medikamenteve të tjera të rimbursueshme, pritet të shkoj në 200 milionë euro vjedhje. Kujtojmë, se në Shqipëri, çdo vit harxhohen 240 milionë euro për ilaçet, nga të cilat shteti rimburson vetëm 61 milionë euro, ndërkohë që 70% e ilaçeve që përdoren në shërbimin mjekësor, paguhen nga xhepat e qytetarëve. Kujtojmë faktin tjetër, që ISKSH, vetëm për vitin 2014 ka pasur 192 milionë euro fond për ilaçet, shërbimet dhe pagat e punonjësve të institucionit. 
Sigal