Dhurata Çupi: PD gati për zgjedhje të lira, qeveria i bllokon me mungesën e reformës zgjedhore

53
Dhurata Çupi është një ndër deputetet më aktive të parlamentit shqiptar. Në një intervistë për Gazetën “Telegraf” ajo flet për problemet e Qarkut Dibër atje ku është dhe deputete dhe thotë se; nuk është bërë asgjë në infrastrukturë, në punësim si dhe në asnjë dikaster tjetër. Çupi gjithashtu flet për situatën politike në vend, por nuk lë pa përmendur edhe zgjedhjet e ardhshme për të cilat thotë se PD është gati për zgjedhje të lira, por që Qeveria Rama bllokon me mungesën e reformës zgjedhore. Gjithashtu Dhurata komenton dhe zgjedhjen e saj si kryetare e aleancës së deputeteve femra. 

Si e nis Dhurata Çupi ditën e saj të punës?
Për një politikan asnjë ditë nuk është e zakonëshme, por është impenjim dhe angazhim si në Parlament ashtu dhe në aktivitete të ndryshme politike, e, sidomos takime me qytetarët që për fat të keq ata me shumë halle janë të shumtë, e po shtohen çdo ditë më tepër. Megjithatë duhet të them se dita nis si deputete në komisionet parlamentare dhe vijon në varësi të agjendës politike.

Si ka nisur rrugetimi juaj në politikë? 
Angazhimet e mia në politikë ishin dhe janë në shërbim të demokracisë. Ato zënë fill që në fillim të viteve ’90. Bindja ime politike është mbrujtur fillimisht në familjen time biologjike, si pjesë e familjes së madhe të PD. Që në vegjëli jam mësuar me diskutimet politike, duke qenë se vij nga një familje intelektuale që jetonte me shqetësimet e kohës. Pas rënies së “murit” komunist jam angazhuar shkallë shkallë në angazhime qytetare dhe në karrierën politike-partiake për të mbërritur deri në zgjedhjen si deputete në Parlamentin e Shqipërisë. 

Ju jeni deputete e Qarkut të Dibrës, sipas jush cilat janë problemet më të mëdha të këtij qarku dhe cilat janë marrëdhëniet tuaja me banorët e këtij qarku? 
Shqipëria është vend i pasur për nga bukuritë natyrore, por gjendja ekonomike e shqiptarëve është tejet e varfër. Të njëjtën gjë mund të them edhe për zonën e Dibrës dhe Matin, zonë nga ku kam dalë deputete. Zoti i ka falur bukuritë natyrore asaj zone, por në këto 5 vitet e fundit është “punuar” për ta varfëruar jetesën e banorëve. Asgjë nuk është bërë për infrastrukturën rrugore, e cila është në kushte mizerabël. Projekti i lançuar me kohë nga qeveria e mëparshme e demokratëve për rrugën e Arbrit vijon të jetë një projekt në letër që propagandohet në kohë fushate nga kjo qeveri që nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ta ndërtuar siç premtoi. Mos flasim pastaj për politikat e punësimit apo të zhvillimit të kësaj zone, sepse asnjë hap nuk është ndërmarrë, përkundrazi janë lënë në harresë, madje mijëra banorëve iu ndërpre edhe ndihma ekonomike, me arsyetimin që kanë aparat televizori në shtëpi. Kjo qeveri duhet të ishte për shtresat e varfëra sociale, por veprimet e saj janë krejtësisht të kundërta 

Z. Dhurata cili do të ishte komenti juaj mbi situatën më të fundit politike në vend?
Opozita Shiptare ka muaj që proteston a do të vazhdojë me të njëjtin ritëm. Për sa i përket situatës aktuale politike duhet të them, se ndërsa ne presim një dritë jeshile për procesin integrues, qeveria nuk ka treguar vullnet dhe seriozitet për të bërë detyrat që iu lanë për të marrë lajmin e shumëpritur në qershor. Vijon fasada, ndërsa shqiptarët janë në një pritje legjitime të ndryshimit dhe reformave , të cilat u premtuan, por nuk po duken. Të mos flasim pastaj për situatën e kriminalitetit apo të pasigurisë për shqiptarët, ndërsa miqtë e Ramës janë angazhuar për të përvetësuar pasuritë publike përmes PPP. Kjo situatë është e papranueshme dhe opozita po denoncon çdo ditë me fakte gjithçka që errëson jetën e shqiptarëve. 

Cilat do të jenë masat që do të marrë opozita në ditët në vijim? 
Natyrshëm lind pyetja: Çfarë kërkon Opozita nga kjo qeveri? Mjeti i vetëm që ka opozita përballë kësaj situate që po kalon vendi është protesta dhe mos-pajtimi me këtë të keqe. Nuk mund të pranojmë të bëjmë sehir me fatin e shqiptarëve, të cilëve çdo ditë u shtohen taksat e u mohohen të drejtat dhe mundësitë. I referohem këtu edhe protestës legjitime të banorëve të Kukësit. Protestat po vijojnë e do të vijojnë në çdo cep të Shqipërisë, ashtu siç është vepruar gjatë gjithë kësaj kohe. PD nuk pajtohet me paligjshmërinë dhe arrogancën e kësaj qeverie. Përballja do të vijojë, protesta e opozitës nuk mund te ndalet. Heshtja është pranim i realitetit, ndaj ftesa e PD, e kryetarit Basha, është për çdo qytetar që t’i bashkohet zërit të revoltës. Minimumi, mos ta lejojmë qeverinë të vijojë maskaradën e saj, e sigurisht ne duhet t’i shkurtojmë ditët një maxhorance të dalë me votën e tjetërsuar të vullnetit të qytetarëve. 

Jemi pathuajse një vit larg zgjedhjeve lokale, a është gati Partia Demokratike për të hyrë në këto zgjedhje?
PD sapo ka miratuar kodin e saj të brendshëm të rregullave të qarta për hapjen dhe demokratizimin e saj në çdo cep të vendit. Çdo strukturë dhe degë e PD shumë shpejt do të jetë në këmbë dhe e mirëorganizuar për t’u përballur në zgjedhje me këtë mazhorancë, por për zgjedhje të lira duhet ligj i dakortësuar nga dy palët për të garantuar proces me standarte. PD me kohë ka kërkuar realizimin e reformës zgjedhore që garanton votën e lirë. Sigurisht ne kemi bërë prej shumë kohësh propozime konkrete me një paketë të plotë. Shumica ende hesht, ndërsa koha fluturon. 

Ju keni pak muaj që jeni zgjdhur kryetare e aleancës së grave parlamentare, cilat do të jenë synimet kryesore për të lobuar gjatë këtyre katër viteve dhe sa të mbrojtura janë gratë sot në Shqipëri?
Më është besuar një detyrë që bashkon zërin e gruas në parlament, pavarësisht forcës politike që përfaqëson që gjej rastin të falenderoj secilën kolege deputete për këtë besim e njëkohësisht edhe përgjegjësi. Vëmendja ime e shtuar do të jetë e fokusuar te gruaja dhe të drejtat e saj. Për mbrotjen e grave kemi legjislacion evropian, ndërsa së fundi, parlamenti miratoi edhe një rezolutë, por zbatimi në praktikë i këtij legjislacioni për ta mbrojtur atë është në nivele krejtësisht të ulëta. Do të maksimalizojmë çdo përpjekje ligjore e institucionale për rritjen e rolit të gruas, jo vetëm në familje, por edhe në shoqëri e politikë-bërje. Një grua me të drejta të plota siguron familje të shëndetshme e, rrjedhimisht, një shoqëri të tillë. Jemi ende shumë larg kësaj, por me punë mund të arrijmë ta përmirësojmë këtë situatë. 

Intervistoi: Era Çela