Dhunohet monumenti i Mine Pezës, shteti dhe veteranët heshtin!?

574
Sigal

Monumenti i Mine Pezës, vetëm pak metra nga qendra e kryeqytetit, tashëm është ‘shpuar’ brinjë më brinjë nga tuba metalikë, duke u bërë pjesë monolite e një godine ngjitur. Ndërkohë, as strukturat shtetërore, Drejtoria e Monumenteve, Ministria e Kulturës dhe as Komiteti Kombëtar i Veteranëve të Luftës, çuditërisht heshtin përballë këtij dhunimi barbar, që u bëhet simboleve të luftës e aktit të pashembullt të atyre që derdhën gjakun për lirinë e vendit. Dhe ky rast, nuk është i vetmi. Numërohen me dhjetëra e qindra në Tiranë dhe në të gjithë vendin! Prej më shumë se dy muaj, gazeta “Telegraf” dha alarmin për dhunimin e shtatores së Ismail Qemalit fare pranë Kuvendit e Kryeministrisë, por askush nuk e vuri ujin në zjarr. Dhe sot e kësaj dite, gjysma e shkronjave të bronzit mungojnë! Pothuaj kudo, në çdo qytet, rrugë apo shesh, konstaton varre të dëshmorëve të shkatërruar, lapidarë të sheshuar, ndërsa “Heronjtë e Vigut” prej vitesh u hoqën nga qendra e Shkodrës dhe është ‘harruar’ mes plehrave diku në periferi. Është pak të thuash që shteti nuk i ka në inventar këto vepra, këto simbole të lirisë e qëndresës së kombit, ndërkohë, përkujdeset për mite të stisura apo kolaboracionistë, të cilëve u janë ngritur shtatore në sheshe e vende publike, deri në mes të kryeqytetit. Po Organizata e Veteranëve të Luftës pse nuk ndjehet?! Thua të mos i shohë këto barbarizma!? Kurrë sesi jo! Po pse hesht, pse nuk jep alarmin, pse nuk proteston!!?? Thjeshtë, me këtë qëndrim, për interesa të drejtuesve të caktuar të saj, është bërë palë apo levë e pushtetit. Të mos harrojmë, se dhunimi i monumenteve të heronjve, dëshmorëve e atdhetarëve, është dhunim i historisë. Ndaj, të gjithë duhet të ngrihen në këmbë për t’i thënë “Stop!” kësaj masakre!