Dhoma Amerikane e Tregtisë: Sektorët ku lulëzon korrupsioni

801
Tatimet, lejet, licencat dhe mbi të gjitha vendimmarrjet qeveritare që krijojnë situata monopol, renditen si shqetësimet kryesore
Bizneset e Dhomës Amerikane të Tregtisë janë në të njëjtën linjë me Departamentin Amerikan të Shtetit kur flitet për korrupsionin. Investitorët janë realisht të shqetësuar për marrëdhënien me institucionet shtetërore dhe ryshfetet që duhet të paguajnë për të marrë shërbim apo për t’iu shpëtuar gjobave nga keqinterpretimet që iu bëhen ligjeve. Në Indeksin e Biznesit 2017-2018, publikuar nga Dhoma Amerikane u konstatua një përkeqim i situatës me korrupsionin, reflektuar në grafik me tendencë zbritje. E thënë ndryshe, sa më shumë pikë aq më mirë situata dhe anasjelltas. Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Krauford, tregon për Ekonomix.al sesa shtohen kostot e një investitori nga korrupsioni dhe cilat janë institucionet që janë “dorën më të rëndë”.

Në indeksin e biznesit 2017, të publikuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë konstatohet përkeqësim i situatës me korrupsionin. Cilët janë sektorët më problematikë?
“Indeksi i biznesit ka shënuar një ulje me -1.74 pikë nga 35.98 në 34.18. Sipas raportimeve të anëtarëve dhe takimeve që Dhoma Amerikane ka organizuar me institucionet qeveritare, niveli më i lartë i korrupsionit evidentohet në sektorin e tatimeve, dhënies së lejeve dhe licencave dhe mbi të gjitha, në vendimmarrjet qeveritare, që krijojnë situata monopol në vend. Situatat monopol të krijuara në vend kanë përbërë shkakun e rënies së indeksit edhe në zërin e “Monopoly and Unfair Competion” nga 31.11 në 30.10. Dhoma Amerikane në kërkesat e saj drejtuar Ministrisë së Financave për Paketën Fiskale, një nga pikat që përsërit vazhdimisht është dhe lufta kundër korrupsionit. Një gjë të tillë e kemi theksuar edhe në takimin me Ministren e Sipërmarrjes, ku kemi kërkuar vëmendjen e saj për rastet e shkeljeve dhe korrupsionit, që konstatojnë anëtare tanë. Angazhimi i Dhomës Amerikane në procesin e Reformës në Drejtësi ka të bëjë me nivelin e lartë të korrupsionit, që bizneset vënë re dhe vuajnë, kur përballen për çështjet e tyre të biznesit ne gjykata. Kjo i shkakton mjaft kosto biznesit”.

Edhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit konstatoi se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet në Shqipëri. Sa shqetësuese është kjo për vendin?
“Po i referohem raportit të DASH, si më poshtë: ndërkohë ju e jepni vetë komentin tuaj mbi këto shifra. Departamenti Amerikan i Shtetit thotë gjithashtu se, gjatë vitit 2017 “korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes” në Shqipëri. “Ndërsa prokurorët shënuan përparim të konsiderueshëm në ndjekjen e rasteve të korrupsionit në nivele të ulëta, përfshirë prokurorë dhe gjykatës të korruptuar, ndjekja penale e krimeve të niveleve më të larta nuk po ndodh, për shkak të frikës së hetuesve për hakmarrje, një mungese të përgjithshme burimesh dhe korrupsionit brenda vetë gjyqësorit”. “Presioni politik, frikësimi, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara disa herë nuk e lejuar gjyqësorin të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe efektive”.
“Në muajin gusht 31 raste të reja u paraqitën për ndjekje penale që përfshiu 6 anëtarë të Kuvendit, një zëvendës ministër, një kryetar, inspektorë tatimorë, zyrtarë doganor dhe 11 zyrtarë të tjerë qeveritarë nën akuzën për fshehje të pasurisë, pastrim parash, falsifikimi dokumentesh dhe korrupsion.”

A u kërkohet ryshfet kompanive nga zyrtarët në Shqipëri?
“Ky është një informacion, që ne zyrtarisht nuk e konfirmojmë dot”.

Sa rriten kostot e një investitori nga korrupsioni?
“Nisur nga fakti që niveli i taksave në Shqipëri është më i larti në rajon, bizneset kanë një kosto më të lartë se homologët e tyre në rajon. Kur vjen puna për korrupsionin, nuk ka mundësi të përcaktosh saktë sesa e rrit përqindjen e kostos së të bërit biznes, por është e sigurt se bizneset deklarojnë se kjo është një kosto e fshehur dhe që i dëmton më shumë sesa niveli i lartë i taksës. Në takimin e fundit me Drejtoren e Tatimeve, shumë biznese thanë se sa herë kontrollohen nuk dalin dot pa gjoba, për faktin e thjeshtë se inspektorët i interpretojnë ligjet sipas dëshirës dhe kjo bëhet me qëllimin për t’iu marrë ryshfet. Qoftë gjobat e padrejta apo ryshfeti që japin për t’u shpëtuar këtyre gjobave e rrisin koston e biznesit”.
Sigal