Dhoksie Rista, një patriote mes Kolonjës dhe Libofshës

651
Sigal

Nga: Bashkim Sulçe, Kozma Gjini

Një shekull më parë, kjo vajzë nga Myzeqeja, do të bëhej krah e lëvizjes për çlirimin e vendit. Quhet Dhoksie Trifon Rista (Bardhi). Lindi më 07.05.1917 në fshatin Libofshë. Ajo rrjedh nga një familje me tradita të hershme atdhetare e patriotike. U rrit me frymën e atdhetarizmit dhe të diturisë, falë kësaj vatre heroike të trevës sonë, që nxori mësues e patriotë të devotshëm në shërbim të atdheut. Edukata e marrë në këtë mjedis i dha krahë për rrugëtimin e saj në jetë.

Shkollën fillore Dhoksia e mbaroi në fshatin Libofshë. Fëmijërinë dhe rininë i kaloi në fshatin e lindjes. Që në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare do të përfshihej në Lëvizjen Antifashiste NÇL. Në qershor 1942, pranohet në Rininë Komuniste të zonës së Libofshës. Do të bëhej një bashkëpunëtore e guximshme për mbrojtjen dhe përhapjen e idealeve, për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Së bashku me shoqet: Afërdita Dyrmishi, Angjelina Marini, Sotira Marini dhe Zoica Çuko, do të rrezikonin jetën duke punuar shtëpi më shtëpi, për zgjimin e ndërgjegjes së femrës, për emancipimin e saj dhe pjesëmarrjen në Luftë për çlirimin e vendit.

Shtëpia e babait të saj, Trifon Bardhi, në kohën e luftës ka qenë një ndër bazat e Luftës, ku janë strehuar partizanë dhe ka ndihmuar me ushqime e vash-mbathje Lëvizjen Nacional Çlirimtare. Pas Konferencës së Pezës, Dhoksia u zgjodh kryetare e Këshillit NÇL në fshatin Libofshë. Më 28 Nëntor 1942, me rastin e 30-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, në pazarin e Libofshës u organizua një manifestim i popullit kundër pushtimit fashist.

Në këtë manifestim, e reja e fshatit Dhoksie Bardhi, evidentohet si ndërlidhësja e mësuesve me përfaqësuesit e Partisë dhe të Rinisë komuniste. Gjatë manifestimit organizatorët ishin vëzhguar nga fashistët italianë dhe u orvatën të merrnin Dhoksien në zyrë dhe më pas ta arrestonin. Dhoksia bashkë me shoqet u largua me shpejtësi, duke mos shkuar në shtëpinë e saj, por u strehua nëpër shtëpitë e shoqeve.

Gjatë gjithë kohë së Luftës, ajo punoi me rininë si një propagandiste e Lëvizjes Antifashiste Nacional Çlirimtare. Çlirimi i Atdheut e gjeti Dhoksien në kulmin e lulëzimit si një vajzë me ndjenja të flakta patriotike dhe krenare për kontributin e dhënë në luftën për liri. Atdheu, pas çlirimit, kishte nevojë për kuadro në të gjitha fushat. Dhoksie Bardhi, më 1946, i përgjigjet thirrjes për të kryer një kurs 9-mujor në Vlorë, nga ku do të dilte një mësuese shumë e mirë.

Pas mbarimit të kursit, ajo emërohet mësuese në fshatin Belishovë të Mallakastrës. Pas një viti punë si mësuese në shkollën e fshatit Belishovë, transferohet në fshatin Vanaj të Libofshës ku punoi edhe këtu 1 vit. Pastaj transferohet në vendlindjen e saj, në Libofshë, ku punoi si mësuese deri në vitin 1957. Më 1957 martohet në fshatin Kolonjë me Miti Ristën. Dhoksie Rista (Bardhi), e vazhdoi punën e saj si mësuese duke u bërë shembull për mësimin dhe edukimin e fëmijëve për një periudhë të gjatë, deri sa doli në pension.

Në Kolonjën martire, ajo do të zgjidhej kryetare e Organizatës së Gruas. Me ardhjen e saj, organizata e gruas u gjallërua me aktivitete të shumta. Me krijimin e organizatës së Veteranëve në shkallë vendi, ajo u fut në organizatën me shumë veteranë lufte të këtij fshati. Bashkë me bashkëshortin, Mitin, rritën 4 djem të devotshëm për atdheun: Aleksandrin, Fredin, Raqin dhe Nikon, duke iu gëzuar familjeve të tyre dhe mjaft nipërve e mbesave, si një gjyshe e lumtur.

Pasi mbushi moshën, doli në pension në arsim dhe punën me organizatën e gruas dhe të veteranëve e vazhdoi deri sa u fik më 18.11.2001. Populli i Kolonjës dhe ai i Libofshës e përcollën me shumë respekt bijën e tyre, mësuesen dhe veteranen, Dhoksie Trifon Rista (Bardhi). Djali i madh i saj, Aleksandri dhe nipi, Dhimitër Rista, janë pasardhës të veteranëve të LANÇ. Për merita në kohën Luftës dhe të ndërtimit të vendit, nënë Dhoksia mban disa tituj nderi e dekorata.