Dhe skandalet nuk kanë të sosur në arsim!

765
Sigal

Skandali me diplomat “e pavlefshme” të Inxhinierisë Tekstile shkon përtej universitetit, deri tek Ministria e Arsimit

Msr. Mirela Karabina

Ardhur në pushtet me mentalitetin e fituesit dhe se gjithçka fillonte nga e para, në fakt, Ministria e Arsimit ka vendosur një standard të saj: Paligjshmërinë në universitete përmes një ligji të pazbatueshëm, duke minuar lirinë akademike dhe autonominë financiare të Institucioneve të Arsimit të Lartë. Pak ditë më parë, një shkrim online ka denoncuar një problem në lidhje me diplomat “Bachelor” të degës Inxhinieri Tekstile dhe Modë në Universitetin Politeknik të Tiranës. Kështu, referuar shkrimit “Inxhinierë pa diplomë” ku thuhet:“….studentë të Inxhinierisë Tekstile dhe Mode, Universiteti Politeknik i Tiranës, të periudhës 2013-2015 nuk i njihet diploma “Bachelor” pasi ka dalë degë e pa akredituar. Janë plotësuar formularët e maturës, është bërë regjistrimi i studentëve në Fakultet, mbi të gjitha janë paguar taksat e shkollës për çdo vit nga studentët përkatës….” duket se kemi të bëjmë me një “Skandal në dukje” që meriton vëmendje. Kështu, studentët e inxhinierisë tekstile, pasi janë diplomuar, i janë drejtuar zyrës noteriale për noterizim të diplomës për studime të mëtejshme. Por janë përballur me absurdin, diploma ka rezultuar e parregullt. Pra, studentë të universitetit publik me diploma të parregullta?! Atëherë, të shqetësuar dhe të alarmuar, studentët i janë drejtuar sekretarisë së universitetit dhe nga znj. M. M. kanë marrë një përgjigje të çuditshme se paskërkish qenë “lapsus” dhe do rregullohej.

Sigurisht, të trysnuar dhe të frikësuar për fatin e diplomës së tyre, studentët kanë zgjedhur heshtjen dhe ankthin e pritjes deri në marrjen në dorë të diplomave të vlefshme. Por, kohëzgjatja (rreth 9 muaj e më shumë pas dorëzimit të diplomave) ka shqetësuar studentët për zgjidhjen e këtij absurdi me pagesë, pasi kanë shlyer detyrimin financiar të tri viteve të shkollimit dhe, tashmë, i janë drejtuar prokurorisë. Por, pas bërjes publik të lajmit studentët janë kontaktuar nga sekretaria e fakultetit mbi autorësinë e “nxjerrjes së sekretit”, pasi ka qenë një pakt midis studentëve dhe sekretarisë së universitetit që lajmi të mos bëhej i ditur në media deri në zgjidhjen e problemit, dhe, ndërkohë i është bërë me dije se diplomat janë në ministri dhe do t’i tërheqin shpejt. Pra, sot, mbas dy vitesh?! Cilës rregullore i janë referuar që shpërndajnë “copa letrash” pa vlerë dhe vonojnë me vite për letrën me vlerë? Përgjegjësia e kujt është penalizimi dhe dëmi i shkaktuar për studentët dhe familjet e tyre? Në fakt, studentët tani kanë filluar të flasin, sepse kohëzgjatja po lëkund shpresën mbi fatin e diplomave të tyre. Dhe, problem-skandali qëndron aty, dhe, ndërkohë, studentët janë pa diploma deri më tani. Pra, njëherë i thuhet “lapsus” për diploma jo të rregullta, pastaj i kërkohet heshtja. Por, heshtja e tyre është kosto e madhe për vitet e humbura pa diplomë dhe financimi i shkollimit të tyre është në rrezik. Nën zë i përmendin dhe mungesë akreditimi. Tani i thonë të presin përsëri se diplomat janë në ministri, por përsëri i kërkohet heshtje . Çfarë emri t’i vëmë këtij “skandali në dukje”? Cili është “lapsusi” i diplomave të dala dy vite më parë? Formati i diplomave miratohet nga ministria e arsimit dhe një lapsus (gabim sa maja e lapsit), nëse do ishte, do ishte zgjidhur deri më tani. Ku qëndron realisht problemi me diplomat, pasi dhe programi duhet të jetë i akredituar, sepse ka qenë i listuar në formularët e aplikimit? Çfarë prêt Ministria përgjegjëse për arsimin për zgjidhjen e këtij problemi? Pse ky problem qëndron i heshtur dhe pa zgjidhje? Por, ka dhe një fakt që e thellon këtë “skandal në dukje” duke e bërë pjesë ministrinë përgjegjëse për arsimin.

Bordi i Administrimit të Universitetit Politeknik të Tiranës, ku ministria e Arsimit ka shumicën përfaqësuese, ka qenë shumë i lakmuar dhe më i preferuari për ministrinë e Arsimit, pasi në përbërjen e tij kanë qenë nëpunësit më të lartë të ministrisë së arsimit dhe administratës publike: Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit P.N., Drejtoresha e Financave në Ministrinë e Arsimit M. B., Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike A. K. Pra, një bord i “blinduar” me njerëz shumë të besueshëm dhe drejtues të ministrinë së Arsimit dhe administratës publike, pasi janë maja e administratës, janë “shembulli” i saj. Bordi i administrimit është garantuesi i qëndrueshmërinë financiare të institucionit të arsimit të lartë dhe përmbushjen e misionit të tij dhe miraton paraprakisht hapjen, riorganizimin ose mbylljen e njësive përbërëse të institucionit të arsimit të lartë, gjithashtu përcakton rregullat për shpërndarjen e të ardhurave që siguron institucioni nga ushtrimi i veprimtarive të tij, si dhe mbikëqyr përdorimin e burimeve të financimit dhe shumë funksione të tjera. Dhe, fakti ka treguar se Bordi (ku shumicën e ka gjithmonë ministria përveç bordit të UT-së) është kontrolluesi dhe menaxhuesi i Ministrisë përgjegjëse për arsimit ndaj institucioneve të arsimit të lartë, duke mos lejuar autonominë financiare të tyre. Atëherë, cili është roli i Bordit në këtë mesele? Si i ka mbikëqyrur dhe kontrolluar burimet financiare, kur këta studentë kanë financuar studimin e tyre dhe nuk kanë ende diplomë? Çfarë ka miratuar dhe mbështetur ky Bord i ministrisë së arsimit? Fakti që këta studentë kanë dy vite pa diplomë përbën një shkelje të rëndë, e cila kërkon vëmendje dhe zgjidhje të menjëhershme. Rektorati i Universitetit Politeknik të Tiranës, Dekanati i Fakultetit të Inxhinierisë Tekstile dhe Modë duhet të jenë transparentë dhe të japin shpjegime për situatën e krijuar, sepse kanë detyrimin institucional përballë studentëve dhe detyrimin moral përballë shoqërisë, pasi nuk kanë përmbushur funksionin e tyre (vonesa dy vjeçare e diplomave). Bordi i Administrimit të japë shpjegime mbi mbikëqyrjen e bërë të të ardhurave financiare nga tarifat e studentëve dhe administrimin e tyre, pasi këta studentë kanë paguar tarifën e shkollimit, por janë pa diplomë. Ministria përgjegjëse për Arsimin ka detyrimin moral dhe institucional përballë publikut, studentëve dhe familjeve të tyre të sqarojë përgjegjësinë e saj në këtë “katrahurë të zezë” dhe të zgjidhë menjëherë problemin e studentëve. Tashmë që studentët i janë drejtuar organeve ligj-zbatuese, problemi ka dalë për zgjidhje përtej institucioneve arsimore. Jemi në pritje të transparencës në lidhje më këtë “skandal në dukje”, ku secili institucion duhet të mbajë përgjegjësinë e tij. Ja pra, ky është realiteti i trishtuar e i hidhur i arsimit: edhe kur investojnë për njohuri dhe dije, fëmijët tanë studentë nuk janë të sigurt për të ardhmen e tyre. Deri kur më?