Devoll, 2000 banorë të fshatrave Vranisht, Pilur dhe Bickë, pa mjek specialist

581
Sigal

Pothuajse për dy vjet me radhë, më shumë se 2000 banorë të fshatrave Vranisht, Pilur dhe Bickë janë pa mjek specialist. Ankesat dhe kërkesat e tyre për dërgimin e një mjeku kanë qenë të vazhdueshme, por deri më sot nuk ka pasur asnjë përgjigje pozitive. Madje ende nuk e kanë një premtim nëse kjo problematikë do të zgjidhet ose jo. Të gjendur në këtë situatë, banorët e tre fshatrave të njësisë vendore Vranisht, janë të detyruar që për çdo rast emergjence shëndetësore, të zbresin në qytetin e Bilishtit, me fëmijë apo pleq të sëmurë, me qëllim marrjen e shërbimit dhe mjekimin e duhur. Jo vetëm kaq, në çdo rast të një shqetësimi shëndetësor, banorëve në fjalë u duhet të lenë punën, të shpenzojnë kohë dhe të paguajnë udhëtimin për të shkuar në spitalin e Bilishtit. “Çdo vajtje në qytet,-, na thonë banorët e Vranishtit dhe Pilurit, – është kosto për ne, ndërsa për një familje që jeton me ndihmë ekonomike vihet realisht në vështirësi. Problematika mbetet shqetësuese si gjatë dimrit kur temperaturat janë të ulëta dhe gjendja gripale gjithnjë e pranishme, por gjithashtu edhe stina e verës nuk kalon pa shqetësime shëndetësore.

 

2 infermiere punojnë në një godinë gati në shembje

 

Përveç mungesës së mjekut specialist, banorët e tre fshatrave të përmendur më sipër përballen edhe me një problem tjetër: Prej disa vitesh Qendra Shëndetësore e tyre rrezikon të shembet. Sipas banorëve ndërtesa mund të shembet nga koha në kohë. Ndërhyrje për mirëmbajtjen e saj nuk ka pasur. Duket sikur institucionet përgjegjëse kanë hequr dorë prej saj. Kati i dytë ka dalë totalisht jashtë funksionit, kurse çatia po shkon drejt shembjes. Vetëm një pjesë e vogël e saj, ku ushtron aktivitetin Qendra Shëndetësore duket sikur është me e qëndrueshme, por asgjë nuk është e sigurt. Në këto kushte të frikshme dhe në këtë këtë godinë ku rreziku i shembjes është imediat, punojnë dy infermiere, të cilat përpiqen të bëjnë sa mundin për t’u ardhur në ndihmë banorëve që kanë nevojë për kujdes shëndetësor. Madje për to duhet thënë se janë vërtet heroina, pasi jeta e tyre është e rrezikuar në çdo çast

 

Banorët, në pritje të mjekut

 

Megjithatë, banorët e fshatrave Vranisht, Pilur dhe Bickë do të vijojnë të jenë në pritje të një mjeku specialist, me shpresën, se më në fund dikush do të kujtohet. Sepse duhet thënë që pa mjekun specialist, infermieret nuk mund të japin atë shërbim që do të jepnin ndaj nevojave shëndetësore të 2000 banorëve, pasi aktiviteti i tyre kushtëzohet edhe nga prania e mjekut, ndryshe shërbimi i tyre reduktohet në injeksione dhe në matjen e tensionit arterial. Kur mjeku mungon, banorët ngurojnë të shkojnë në spitalin e Bilishtit, e shtyjnë vizitën nga dita në ditë, shpesh rrezikojnë jetën, pësojnë komplikacione ose kalojnë në gjendje të agravuar të sëmundjes etj. “Ndaj, një qendër shëndetësore mund të konsiderohet e tillë vetëm kur ka personelin e nevojshëm, mjete e duhura dhe kujdesin e mjaftueshëm; në të kundërt, vetëm kujdes shëndetësor nuk mund të quhet”, – thonë banorët. Megjithatë banorët e tre fshatrave vijojnë të jenë në pritje të mjekut, qoftë edhe për faktin, që pas kaq kohë pritjesh, kanë filluar ta ngrehin zërin.