Detarët shqiptarë në “Listën e Bardhë”

587
Sigal

Viti 2013 bashkon biznesin detar shqiptar me atë europian. Oferta punësimi për tetë mijë detarë 

Viti 2013 do të përbëjë një moment historik për detarinë dhe biznesin detar shqiptar, pasi është viti në të cilin u hapet rrugë mijëra të rinjve dhe të rejave që kanë pasion detin dhe e shohin të ardhmen e tyre në biznesin detar, si atë komercial ashtu dhe atë turistik. “Ata do të mund të punësohen në këtë sektor në anijet, tragete apo krociera”, – thotë Drejtori i Drejtorisë Detare, Gazmir Tahiri. Edhe pagat mujore janë të volitshme: për pozicionet më të ulëta 800-900 dollarë, ato mesatare 1500-1800 dollarë deri në 3000-4000 dollarë për kapitenë. Disa javë më parë, në një konferencë për shtyp në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme Detare në Durrës, Ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi informoi se, tashmë dokumentet dhe licencat e detarëve shqiptarë do të njihen ndërkombëtarisht, duke u krijuar mundësinë të punojnë jo vetëm në anijet që mbajnë flamurin shqiptar por dhe në ato me flamur të huaj.

PRESPEKTIVA

Kreu i Drejtori i Drejtorisë Detare, Gazmir Tahiri, thotë se tashmë nëpërmjet një aplikimi me anë të një “Country Report”, në fund të vitit 2011, IMO-s (Organizata Ndërkombëtare e Detit) iu nis një dosje e plotë mbi standardet e edukimit dhe te trajnimit të detarëve shqiptarë, sigurinë dhe standardizimin e certifikatave të lëshuara, sipas normave ndërkombëtare, ngritjen dhe funksionimin e hallkave të nevojshme të kontrollit gjatë kualifikimit dhe trajnimit të detarëve. Tahiri tha se, predispozita e administratës detare, por edhe i hallkave të tjera për t’i dhënë rrugë detarisë dhe biznesit detar në Shqipëri, dhe pas kontrollit të këtij raporti, që u krye nga ekspertë të disa vendeve anëtare të IMO-s, rezulton që Shqipëria klasifikohet në “Listën e Bardhë” të dokumentacioneve të detarëve. Sipas Tahirit, ky është një moment historik për detarinë dhe biznesin detar shqiptar, pasi kështu u hapet rrugë mijëra të rinjve dhe të rejave që kanë pasion detin dhe e shohin të ardhmen e tyre në biznesin detar, si atë komercial ashtu dhe atë turistik, të punësohen në këtë sektor në anijet, tragete apo krociera. Tahiri vlerëson lart ndihmën falas që, i është dhënë Shqipërisë në këtë rast nga Turqia në përgatitjen e dosjeve.

PËRPJEKJET E BËRA NË VITE

Trembëdhjetë vjet më parë, më 20 janar 2000, Parlamenti ynë ka miratuar ligjin nr. 8569, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare ‘Për standardet e kualifikimit, atestimit dhe të shërbimit për detarët, të vitit 1995’ ose Konventa STCË 78/95. Për zbatimin e kësaj Konvente të gjitha vendet anëtare kishin në dispozicion një afat kohor 5-vjeçar. Por, për fat të keq, për shkak të zvarritjeve, ky afat u shkel. Sipas Tahirit, zbatimi i këtij detyrimi ligjor ndërkombëtar kërkonte gjithashtu krijimin e Administratës Detare Shqiptare, e cila nëpërmjet strukturave të saj do të mundësonte plotësimin e kërkesave të Konventës STCË e më pas të aplikonte për vendosjen e vendit tonë në “listën e bardhë”, si tregues i zbatimit të plotë të këtij standardi të Organizatës Ndërkombëtare Detare. Pas 9 vjetësh, më 2.4.2009 miratohet ligji nr. 10109, “Për Administratën Detare të Republikës së Shqipërisë”. Kjo ka në përbërje të saj dhe Regjistrin e Detarëve, si struktura përgjegjëse për zbatimin e Konventës STCVv dhe krijimin e procedurave të regjistrimit, formimit dhe punësimit sipas standardit të imponuar nga kjo Konventë. Dhe në kohë rekord, me gjithë mangësitë e ndryshme, në më pak se dy vjet nga krijimi i saj, Administrata Detare arriti të plotësonte të gjitha kërkesat dhe detyrimet e Konventës STCË.

PUNËSIM DHE RROGA TË LARTA

Klasifikimi në këtë listë ndikon në rritjen e numrit të detarëve, të cilët në kushtet dhe standardet e sotme kanë rroga mjaft të mira krahasuar me standardet e tokës, u jep mundësinë agjencive të rekrutojnë punonjës, të lidhen me firma evropiane dhe t’u ofrojnë specialistë në të gjitha specifikat e detit që nga kapitenë, inxhinierë,saldatorë, elektricistë, mekanikë e deri te stjuardesa, kamerierë apo parukierë në anijet e komoditeteve dhe standardeve evropiane. Tahiri përmendi një fakt interesant: Mali i Zi, i cili ka vite që ka hyrë në “Listën e Bardhë”, ka 4-fishin e numrit të detarëve në krahasim me ne, ndonëse nuk ka as gjysmën e vijës bregdetare të Shqipërisë. Sot, ne numërojmë rreth 1300 detarë me dokumente, ndërkohë që janë potencialet që ky numër të shkojë deri në 8000 në një të ardhme shumë të afërt. Dhënia e certifikatave nëpërmjet kompanisë jopublike TSTS në Durrës, ka dhënë efekte të menjëhershme. Ka ardhur një kërkesë masive për 200 veta, që do të punojnë në anije udhëtarësh (traget) në Itali, dhe që ka flamur të huaj për marinarë të thjeshtë, kamerierë të moshës 20-35 vjeç me paga 800-900 dollarë në muaj. Bie në sy fakti që nga Shqipëria kërkohen dy kapitenë për motor-jaht me flamur të huaj, me gjatësi 27 m, ku paga është e lartë: 3000-4000 dollarë në muaj. Jo pa interes është dhe kërkesa për 4 veta në anije mallrash me flamur të huaj me tonazh 6.000-8.000 GRT me pozicionin oficer kuverte i parë e i dytë, ku paga varijon në 1500-1800 dollarë në muaj.

Efektet e konventës

Efekte të zbatimit të konventës janë të prekshme. Kërkesë nga Italia për 200 marinarë të thjeshtë, kamerierë të moshës 20-35 vjeç për tragete, me paga 800-900 dollarë në muaj. Kurse për dy kapitenë jahtesh paguhen 3000-4000 dollarë në muaj. Për 4 oficerë kuverte në anije mallrash ofrohen 1500-1800 dollarë në muaj.

Përpjekje për të nxjerrë flamurin nga “lista e zezë”

Ky hap do t’i paraprijë dhe rritjes së standardit të flamurit detar shqiptar, i cili në sajë të reformave të Administratës Detare, po rrit shkallet e sigurisë dhe në një të ardhme të afërt pretendohet që dhe Flamuri shqiptar të ketë të njëjtin fat dhe të shoqërojë Listën e Bardhë. Pra, një ambicie e madhe e Administratës Detare është heqja e Shqipërisë nga Lista e Zezë e anijeve sipas Flamurit dhe kalimi drejtpërdrejt te Lista e Bardhë. Kalimi i Flamurit shqiptar në listë të bardhë, deklaron titullari dhe eksperti i njohur ndërkombëtar Gazmir Tahiri, do t’i paraprinte interesimit të organizmave të rëndësishëm financiarë për të investuar dhe subvencionuar në biznesin detar, në ndërtim kantieresh dhe infrastrukturë detare, pasi një flamur me standarde larta përbën një hipotekë të mirë për investime të tilla që do të  do të bëjmë të mundur ngritjen e standardeve të detarisë aty, ku Shqipëria e meriton si një vend ku 460 km kufij janë det.