Detaji tronditës për Drilona Duriçin, nënën që u dogj në ashensor në Tiranë

90
Nëna 30-vjeçare, që ndërroi jetë të premten nga zjarri në ashensor, ishte në muajin e gjashtë të shtatzënisë. Ajo ishte në pritje të fëmijës së saj të dytë, që nuk arriti ta sillte në jetë, pasi vdiq tragjikisht mes flakëve.
Drilona Duriçi e kishte përdorur edhe 2 orë më parë ashensorin ditën e ngjarjes, kur dërgoi djalin në shkollë. Herën e dytë kur ajo po zbriste nga shtëpia ndodhi ngjarja tragjike. Policia dyshon se shkak për ngjarjen mund të jetë bërë edhe mungesa e një kontrolli teknik të ashensorit.
Nga hetimet dhe pyetja e dëshmitarëve ka rezultuar që prej rreth 4 muajsh, nuk ishte kryer asnjë kontroll. Personi përgjegjës që merrej me mirëmbajtjen e ashensorit kishte hequr dorë nga kjo punë, për shkak se banorët nuk e paguanin.
Ky person është shoqëruar dhe është marrë në pyetje në Komisariatin nr.4 të Policisë së Tiranës, bashkë me disa banorë të pallatit, që kanë konfirmuar të njëjtën gjë. Nga ana tjetër, pallati në rrugën e “Thesarit” te zona e “Freskut” ku ndodhi ngjarja, nuk kishte administrator, ndryshe nga pallatet e tjera në atë zonë.
Amortizimi, mungesa e mirëmbajtjes, por edhe cilësia e dobët e ashensorit e instalimeve në të, duket se ka sjellë zjarrin që i mori jetën 30-vjeçares. Në këto rrethana, ngjarja është referuar si aksidentale në Prokurorinë e Tiranës, pa autor të dyshuar dhe pa akuzë konkrete.
HETIMI
“Më datë 20 janar, rreth orës 09:50, në rrugën ‘Muhamet Deliu’, tek një pallat, në ashensor, ka rënë zjarr e për pasojë ka gjetur vdekjen shtetasja D.D., 30 vjeçe. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për vlerësim”. Kaq të dhëna ka në informacionin zyrtar të Policisë së Shtetit në lidhje me ngjarjen tragjike të së premtes. Burimet thanë se hetimet vijojnë për gjetjen e shkakut, apo ndonjë person që mund të mbajë përgjegjësi penale për ngjarjen e rëndë.
Por deri tani, ende nuk ka asnjë person konkret që mund të mbajë përgjegjësi për ngjarjen. Ndërsa dyshimi se zjarri mund të kishte rënë si pasojë e ndonjë shkëndije elektrike është hedhur poshtë, duke shpëtuar nga përgjegjësia Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë. Burimet thanë se referimi i ngjarjes në prokurori është bërë në formën e materialit vlerësues dhe do të jetë prokurori që do të vendosë se me çfarë vepre penale do të regjistrohet procedimi penal.
Të njëjtat burime thanë se kompania që ka ndërtuar pallatin ku ndodhi ngjarja i ka dorëzuar punimet disa vite më parë. Të gjitha hyrjet e objektit 8-katësh ishin të banueshme, por për disa vite rresht pallati nuk kishte administrator përgjegjës. Hetimet paraprake të Inspektoratit të Shërbimit Teknik treguan se ashensori, në të cilin humbi jetën Drilona Duriçi, ishte jashtë kushteve teknike.
Burimet thanë se ka të dhëna që ashensori është shkëputur nga kati i tretë dhe gjatë fërkimit janë shkaktuar shkëndija, të cilat në kontakt me depozitën e vajit kanë shkaktuar vatrën e zjarrit.