DETAJE/ Si i grabitën maskat 15 mijë euro, i dëmtuari piu me dy miq në lokal, çfarë ndodhi më pas. Policia: Dëshmi konfuze

132

Një i ri ra në pritën e katër personave të armatosur mbrëmjen e djeshme, të cilët duke e kërcënuar i grabitën atij 15 mijë eurot që i kishte me vete në makinë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 në fshatin Burgajet të Burrelit, kur i dëmtuari D. Bushi ishte duke udhëtuar me makinë drejt shtëpisë së tij.

Menjëherë pas ngjarjes, ai i ka telefonuar Policisë e më pas ka bërë kallëzim në Komisariatin e Matit.

Burimet thanë se në denoncim i dëmtuari ka pretenduar se paratë e grabitura i kishte kursyer gjatë kohës që ka punuar në Gjermani.

Këto para ai i kishte nisur përmes bankës në llogarinë e një të afërmit të tij pak ditë më parë, i cili i ka tërhequr dje. Vetë shtetasi D. Bushi ka mbërritur dje në Shqipëri dhe ka takuar personin që kishte tërhequr paratë dhe bashkë me një mikun e tij kanë qëndruar për pak kohë në një lokal, ku kanë konsumuar pije alkoolike.

Më pas janë nisur drejt zonës së Dukagjinit, në fshatin Derjan. I dëmtuari ka pretenduar se paratë që i grabitën i kishte për të riparuar shtëpinë, që i ishte dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ndërsa rrugës, kur ai ka qenë vetë në makinë, në afërsi të fshatit Burgajet, i kanë dalë para 4 persona të maskuar, të cilët i kanë drejtuar armët dhe e kanë detyruar të zbresë në tokë. Nën kërcënimin e armëve ata i kanë grabitur 15 mijë eurot që kishte me vete.

Menjëherë pas kallëzimit të tij, Policia e Matit ka shoqëruar për të marrë në pyetje edhe 2 personat që kanë qenë më të dëmtuarin para se të ndodhte ngjarja, duke qenë se ata kishin dijeni për paratë që ai kishte me vete.

Burimet thanë se D. Bushi dhe dy miqtë e tij kanë qenë konfuzë gjatë deklarimeve dhe tashmë po hetohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Shtetasi D.B. është paraqitur në Komisariatin e Policisë Mat dhe ka bërë kallëzim, pasi pretendon se duke lëvizur me automjetin e tij, në fshatin Burgajet, e kanë ndaluar katër persona, të cilët dyshohet se i kanë marrë me forcë një sasi vlerash monetare, celularin dhe çelësin e makinës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me specialistët e Hetimit të Krimit, po vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje”, tha zyrtarisht Policia.