Detaje/ Pse u larguan nga ushtria 2 ish-komandot e grabitjes në Rinas

97
TIRANE- Zbulohen arsyet pse janë larguar nga ushtria dy ish-komandot Ditjon Memlikaj, 31-vjeçari nga Tepelena dhe Naim Avdylaj 28-vjeç nga Vlora, të arrestuar dje si pjesë e bandës që grabitën 3.2 milion euro të BKT më 9 shkurt në afërsi të Rinasit.

Avdylaj është larguar nga ushtria në 2011 pas një mase disiplinore për shkak të mungesave në punë, ndërsa Memlikaj është larguar është larguar për mbarim qëndrimi në gradë.

Ditjon Memlika që ka shërbyer për një vit në Afganistan mësohet të jetë njohës i mirë i blindave, pasi ka drejtuar mjete të tilla. Ndërsa Naim Avdylaj, kushëriri i tij njihet si frekuentues i rregullt i basteve sportive dhe kazinove.

Të dy komandot u arrestuan falë operacionit “Patriot” që vijon ende edhe për kapjen e dy prej 6 të dyshuarve si grabitës. Që prej mesditës së djeshme dhjetëra forca policie morën pjesë në operacionin nga ajri dhe toka, me kontrolle të shumta në banesa e biznese të personave të dyshuar në zonën e Vorës, Prezës e Farkës. Mësohet se policia ka sekuestruar sende të ndryshme në cilësinë e provave materiale gjatë këtyre kontrolleve, si dhe një shumë të konsiderueshme parash që grabitësi i kishin fshehur në kasafortën e një servisi makinash në Vorë, dhe të groposura brenda tenxhereve me presion në Vlorë. Hetimet dhe operacioni vijon deri në kapjen e 2 pjestarëve të shpallur në kërkim.