Detaje nga ekzekutimi mafioz i biznesmenit në Tropojë, kamerat e sigurisë filmuan momentin e atentatit ndaj 47-vjeçarit

520
Sigal

Detaje të reja janë zbuluar nga ekzekutimi mafioz i biznesmenit Guxim Gjyriqit, mëngjesin e 5 janarit në qendër të Tropojës.

Behet e ditur se janë tre video të sekuestruara nga Prokuroria e Tropojës, të cilat kanë fiksuar momentin kur 5 persona në dy automjete, janë afruar dhe kanë qëlluar rreth 13 plumba ndaj 47-vjeçarit.

Videot të cilat janë tashmë në analizim nga specialistët e filmimeve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në Tiranë, bëhet e ditur se kanë fiksuar momentin kur afrohen autorët dhe qëllojnë në drejtim të Gjyriqit.

Filmimet tregojnë se autori i është afruar dhe më pas e ka qëlluar rreth 13 herë me pistoletë dhe më pas është larguar me vrap, duke hyrë në një autoveturë të zezë.

Bëhet e ditur se qitësi nuk ka qenë i vetëm, pasi në vrasje kanë marrë pjesë 5 persona me role të ndara. Sapo Gjyriqi ka dalë nga ambientet e një karburanti, qitësi e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në tokë dhe më pas ka nxituar të hipë në një makinë për tu larguar, raporton Fax News.

Kur ka kaluar më shumë se një javë nga vrasja e biznesmenit Guxim Gjyriqi në Tropojë, behet me dije se veç pistës së hasmërisë, policia ka shtuar edhe një pistë tjetër hetimi.
Tre muaj më parë djali i madh i Guxim Gjyriqit ka shkaktuar një aksident me të plagosur. Djali i Gjyriqit u procedua në gjendje të lirë për shkak të moshës së tij, pasi ishte nën 18 vjeç.

Po ashtu pistë tjetër hetimi përben fakti se Gjyriqi ka qenë i përfshirë në një seri ngjarjesh kriminale në vitin 1997.

Sipas dëshmive të para nga ana e banorëve në zonë pas vrasjes së tij me datën 5 janar, Gjyriqi njihej si një person i qetë dhe nuk kishte konflikte të hapura me persona të tjerë.
Ai ka qenë baba i dy djemve, dhe jeta e tij ishte e përqendruar kryesisht në dy bizneset e tij modeste, me të cilët siguronte dhe jetesën dhe të ardhurat e familjes.

Burime bëjnë me dije se Gjyriqi është kushëriri i Fatmir Haklajt, i cili ekzekutoi ish-liderin e lëvizjes së Dhjetorit, Azem Hajdari dhe më pas u vra dhe vetë në një atentat të mirëorganizuar në vitin 1999.