Destrojeri i Flotës së 6-të të SHBA, USS Ross, DDG-71, u largua nga vendi ynë

728
Nga Shefqet Kërcelli

Sot paradite u largua nga ujërat e Gjirit të Vlorës, destrojeri DDG-71, i cili nga data 9 shkurt ishte për një vizitë miqësore portuale në vendin tonë, në kuadër të bashkëpunimit ushtarak midis Ushtrisë shqiptare dhe asaj të SHBA-ve. Fillimisht DDG-71, zhvilloi një stërvitje me anijen tonë “Iliria”, disa milje larg nga bregdeti i Durrësit. Më pas destrojeri me raketa i tipit “Arleigh Burke”, lundroi drejt gjirit të Vlorës, ku qëndroi nga data 9 shkurt deri ditën e djeshme. Në ditën e dytë anijen e vizituan Ambasadori LU dhe personel nga ambasada si dhe personalitete të larta civile dhe ushtarake shqiptare, konkretisht: Zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, Gjeneral brigade, Bardhyl Kollçaku, Gjeneralë, drejtorë drejtorish në SHP dhe kryetari i bashkisë Vlorë, zoti Dritan Leli. Gjatë vizitës u theksua miqësia dhe bashkëpunimi ushtarak midis dy shteteve tona, i cili përfshin të gjitha fushat, arsimim, trajnim, stërvitje bashkëvepruese, pjesëmarrje në operacione të përbashkëta, vizita të anijeve amerikane në portet shqiptare, ndihmë e Pentagonit me mjete e pajisje për ushtrinë shqiptare, etj. Zoti Lu, gjithashtu evidentoi rëndësinë që ka përgatitja e të rinjve për të shërbyer në radhët e ushtrisë. Ndërkohë marinarët e DDG-71, zhvilluan vizita në objektet kulturorë e historikë të qytetit të Vlorës, u njohën me bukuritë natyrore të qytetit, ndërsa zhvilluan dhe një ndeshje futbolli me ekipin e policisë së qytetit. Për arsye të motit nuk u zhvillua një lundrim i planizuar me të rinj nga Tirana e Vlora dhe aktivitete të tjera kulturore. Anija USS Ross, DDG-71, ka hyrë në përbërje të Flotës së 6-të në vitin 1997, dhe ka marrë pjesë në dhjetëra operacione të ushtrisë amerikane, përfshi dhe ato në Siri. Destrojeri amerikan u shoqërua gjatë gjithë kohës nga anija jonë “Oriku”, ndërsa pritja, përpunimi detar dhe elementët sigurues u bënë me profesionalizëm nga agjencia prestigjioze “Dyrrah Speed”, me administrator avokatin Jonadri Prodani. Nga gjiri i Vlorës, anija mike do i drejtohet vendbazimit të saj në Rota të Spanjës.

Ja si u shpreh për këtë vizitë komandanti i DDG-71, CDR Bryan S. Gallo:
“It is great to be in Albania. As NATO Allies, the enduring friendship between our countries is strong. This port visit provides us with an opportunity to meet with the people of Vlore, and to experience the rich history and culture of Albania.”

-Cmdr. Bryan S. Gallo, commanding officer, USS Ross (DDG-71)

“Është mirë të jesh në Shqipëri. Si aleatë të NATO-s, miqësia e qëndrueshme midis vendeve tona është e fortë. Kjo vizitë në port na ofron një mundësi për t’u takuar me qytetarët e Vlorës dhe për të njohur historinë dhe kulturën e pasur të Shqipërisë “.

-Cmdr. Bryan S. Gallo, oficer komandues, USS Ross (DDG-71)
Lajmi për vizitën e USS Ross, u pasqyrua dhe në faqen zyrtare të Flotës së 6-të të SHBA, ku reporter Liahona Nicholas McGrath midis të tjerave shkruan: “USS Ross vizitoi Vlorën, 12 Shkurt, 2018 AT 2:51 PM. Destrojeri me raketa “Arleigh Burke” (DDG 71), arriti në Vlorë, Shqipëri, më 9 shkurt 2018, për një vizitë portuale të planifikuar. Vizita shërben për të përmirësuar marrëdhëniet e SHBA-Shqipëri, pasi të dy vendet punojnë së bashku për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Prania e anijes në Mesdhe është një demonstrim i angazhimit tonë të vazhdueshëm ndaj sigurisë rajonale. Vizita në portin e Vlorës i shërben forcimit të marrëdhënieve të qëndrueshme dhe thekson angazhimin tonë të përbashkët për të nxitur sigurinë dhe stabilitetin brenda rajonit, duke kërkuar mundësi për të rritur ndërveprimin tonë si anëtarë të OKB-së. Më parë në shtator 2015, USS Porter (DDG 78), vizitoi portin e Vlorës. Aktualisht USS Ross e vendosur në Rota, Spanjë, po kryen një patrullë rutinë për të mbështetur interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-ve, në zonën e 6-të të Flotës së SHBA-ve. Flota e 6-të e SHBA, me seli në Napoli, Itali, udhëheq spektrin e plotë të operacioneve të përbashkëta dhe detare, shpesh në bashkëpunim me partnerët aleatë dhe ndërinstitucionalë, me qëllim avancimin e interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara, sigurisë dhe stabilitetit në Evropë dhe Afrikë.”
Sigal