Destinacioni i mistereve shqiptare

1293
Arsinoi Zengo Kallço
Kështu është quajtur Dardha e Korҫës në shumë guida turistike. Dardhën në vitin që shkoi e kanë vizituar dhe shijuar rreth 1500 të huaj. Kjo qytezë me 500 shtëpi dhe rreth 2500 banorë ne vitin 1990 po kërkon të rikthehet në lavdinë e viteve 30-40 të shekullit të kaluar. Deri në vitin 2003 Dardha përjetoi atë që përjetuan tërë trevat jugore të Shqipërisë. (braktisjen). Qyteza e arkondëve dhe aristokratëve të Lëndinës së lotëve ishte një koshere bletësh me shumë kultura evropiane por edhe përtej oqeanit. Franca, Rumania,Argjentina dhe SHBA ishin destinacionet e dardharëve qysh ne vitet 1945. Dardha është mbretëresha e dëborës e pishave, e gurit, e burimeve, dhe kishave. Ajo tani kërkon që të mbijetojë në kushtet e ekonomisë së tregut. Duket sikur gjërat kanë ngrirë…për një 10-vjeçar ajo përjetoi ditëlindjen e saj. U kthyen Dardharët sistemuan tokat, burimet, kishat, shtëpitë, restorantet, hotelet dhe rrugët, kjo deri para pak vitesh. Tani rrallë ndërtohet, por ajo gumëzhin të shtunave dhe të dielave. Ajo mbipopullohet me vizitorë, jo vetëm nga banorët e saj, por nga Tirana dhe jashtë Shqipërisë. Gjen tek ajo burimin e ‘Ujit të qelbur’ që në thelb është uji më kurativ. Gjen aty pyje e kisha dhe traditë të mrekullueshme gatimi. Për Korçarët është destinacioni i çlodhjes, i dashurisë dhe i serenatave. Por çfarë i mungon asaj… Vëmendja e agjencive të turizmit. Pak flitet në këto agjenci turistike në Tiranë. Janë mbi 200 agjenci turistike që pothuajse se kanë destinacion (Dardhën). Në fletëpalosjet e tyre s’e gjen. Akoma më keq, tek ato agjenci që operojnë me Kosovën dhe Malin e Zi. Pse ndodh kjo? Pse në fundjavë turistët shqiptarë vrapojnë të kapërcejnë kufirin kur mund te gjejnë gjithë ato gjëra që ka Dardha? Ajo ka standarde njësoj si në shumë vende fqinje. Por s’ka promovim për të. E para vëmendjen duhet ta kthejë Ministria e Turizmit, pastaj operatorët dhe shoqatat turistike. Historia e Dardhës është mbresëlënëse dhe shumë sinjifikative. Janë me dhjetëra emrat e shquar dhe intelektualë dardharë në historinë e vendit tonë. Gjithçka që i duhet e ka Dardha. Por ajo përsëri mbetet jashtë vëmendjes. Në dimër Dardha është një nuse prej bore. Por s’e vlerësojnë kështu. Investimet janë individuale me kursimet e Dardharëve. Por duhet dhe shumë mbështetje nga ana shtetërore. Treguesit janë ende larg pritshmërisë. Një paketë turistike në Dardhë nuk shkon më shumë se 25000 lek të reja për një familje normale shqiptare të kalojë fundjavë në Dardhë. Por pak e njohin në Shqipëri Dardhën përveçse ata që janë nga Dardha. E çuditshme kush ka vajtur është befasuar… Thjesht dhe bukur. Traditë e thellë shqiptare, fisnikëri prodhon Dardha, vetëm duhet ta provojmë, ta zbulojmë. Së pari detyrë e Dardharëve ta promovojnë atë. Te bëjnë ҫ’është e mundur që ajo të njihet, qe turistët nga gjitha trevat shqiptare të marrin rrugën për në Dardhë, nuk mjafton vetëm Tirana dhe Korҫa. Dardha është me një infrastrukturë mjaft të pranueshme, po të ketë dhe pak shërbim mjekësor ajo do të respektohet më shumë. Gatimi është unik dhe i veçantë, tundues dhe bio, ndaj duhet të kthehet koka nga Dardha. Bashkia e Korҫës e ka si destinacion dhe si vend turistik, po s’ka një ditë të Dardhës, s’ka një ditë që ajo të fitojë përmasa tej kufijve shqiptare. Ditën e dëborës apo të kampionatit të skive, të sporteve të dimrit apo të alpinizmit. Po s’u bë kjo atëherë do të venë dëm investimet e dardharëve. Është investuar shumë në Dardhë. Kanë hedhur kursimet në emigracion mbi 100 dardharë. Ndaj duhet respekt për ta. Ata duhet të shijojnë fitimet e investimit. Të mos mbyten nga dëshpërimi. Ndaj ktheni kokën nga Dardha. Ajo është destinacion i mrekullueshëm me njerëz fisnikë dhe investitorë seriozë në turizëm. Mbetet të ketë vëmendje dhe promovim. Le t’ia japim….


Sigal