Dëshmori Reiz Ruka dhe emri i vajzës Festime

813
Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

Vajzës sime t’i vihet emri, Festime
Në Muzeun e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Vlorës, gjendet një letër e zverdhur nga koha. Është letra e partizanit Reiz Hamza Ruka nga Smokthina. Ai, kur mori vesh se më 24 maj të vitit 1944 i kishte lindur një vajzë, i shkroi së shoqes: “Vajzës t’i vihet emri Festime, në mënyrë që në jetën tonë e të saj të ketë gjithmonë festë”. Partizani trim nuk arriti ta shikojë vajzën e tij me emrin Festimen, sepse në një luftë të përgjakshme kundër forcave naziste e tradhtare në Lis të Matit, në korrik 1944, Reizi ra heroikisht, duke qenë i bindur dhe i sigurt se Festimja, vajza e tij do ta gëzojë festën e fitores.
Jeta, mësimet dhe veprimtaria luftarak
Reiz Ruka lindi në vitin 1919 në fshatin Matogjin të Smokthinës në një familje me tradita atdhedashëse e patriotike. Formimin e tij më të plotë e mori, kur ju dha mundësia të arsimohet, duke vazhduar shkollën Normale të Elbasanit dhe më pas në shkollën Tregtare në Vlorë. Reizi, jo vetëm studioi me vullnet e pasion, por në të njëjtën kohe, në shkollën Tregtare, njihet e bie në kontakt me revolucionarë, midis tyre me Hysni Kapo. Gradualisht Reizi filloi të e demaskojë regjimin e Zogut, pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Në kohën kur studionte, thërritet për të kryer shërbimin ushtarak. Kështu në 1941, kur ende vazhdonte Lufta Italo-Greke, por për mospjesëmarrje dhe dezertim në këtë luftë, Reizi burgoset. Shkaku ishte se, jo vetëm kundërshtoi për të mos luftuar në front kundër grekëve, por se e kapën dhe duke shpërndarë trakte kundër pushtuesit fashist. Reizi shkruan në një letër që i dërgon familjes në Matogjin, ku iu shpjegon arsyen e burgimit dhe vendosmërinë e tij, për të mos i shërbyer më fashizmit, por Atdheut. Duke shfrytëzuar krijimin e kushteve, kur ju bë transferimi nga burgu i Kolonjës, në internim ushtarak në Shijakut, gjen mundësinë për t’u arratisur dhe kthehet menjëherë në familjen e tij, në Matogjin.

Në fshat, u bë një nga veprimtarët më aktivë, më të vendosur e më revolucionarë në propagandimin e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai ishte nga të parët që merr pjesë në njësitin gueril dhe në çetën territoriale të Matogjinit, duke u shquar si një luftëtar trim në Luftën e Gjormit të fundvitit 1942 dhe në Luftën e Drashovicës në shtator 1943. Shembullin Reizi e mori nga vëllai, Brahimi, i cili duke qenë në post/komandë në Voskopojë të Korçës, me gjithë xhandarët e postës radhitet efektiv në çetat partizane të qarkut. Shtëpia e Ruke u bë kështu një bazë e rëndësishme e ilegalëve dhe e lëvizjes. Ajo u dogj e para nga okupatorët fashistë. Me rritjen e Luftës dhe të formimit të formacioneve të rregullta të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ai u rreshtua në formacionet partizane. Reiz Ruka ishte nga të parët partizanë që u rreshtua në efektivin luftarak të Brigadës V Sulmuese që më 28 nëntor 1943. Në të gjitha luftimet që zhvilloi brigada Reizi u dallua për trimëri, guxim, zgjuarsi dhe vendosmëri. Ai ishte në ballë të luftimeve që bëri Brigada V S në operacionin e Dimrit të vitit 1943-1944, në luftimet në qarkun e Gjirokastrës, në mbrojtje të Kongresit të Përmetit dhe në luftimet e përgjakshme të Operacionit të Qershorit 1944. Br. V S niset me mision për çlirimin e Veriut të Shqipërisë. Në Qafën e Gjarprit toga e zbulimit, u ndesh trup me trup me gjermanët. Luftime kishte dhe dhe në Lis të Matit (Macukull).

Do të kthehemi me siguri
Në veprën e Shefqet Musarajt “Shteg më shteg me partizanët e Divizionit të Parë Sulmues” kemi këtë përshkrim për rënien e Reiz Rukës në krye të detyrës: “Kemi 24 orë pa ngrenë, por asnjë nga partizanët nuk e quan këtë gjë si të jashtëzakonshme. Përkundrazi, e jashtëzakonshme është kur hahet rregullisht. Kam pranë meje një partizan nga Smokthina e Vlorës, Reiz Ruka. Kënaqem që e shoh të çelur në fytyrë, gjithë gaz dhe entuziazëm për sukseset e luftës partizane. Sollëm edhe njëherë ndërmend atë të shkuarën tonë të largët, që na dukej si një ëndërr gati e harruar. Reizi nënqeshi. 

-Mbase do të kthehemi për së shpejti dhe, po u kthyem do të kemi fituar aq të drejtë sa të jetojmë të paktën më të lirë e më të gëzuar nga ç’jetonim atëherë. 
-Do të kthehemi me siguri – ia prita, pa e peshuar mirë fjalën. 
-Jo xhanëm, me siguri nuk themi dot, se kemi një luftë përpara dhe për këtë luftë ne kemi bërë hesap të lëmë edhe kokën. Apo s’është kështu? 

Nuk kishte mbaruar ende fjalën kur një pushkë gjermane u dëgjua në thellësi të pyllit. Pas saj një tjetër, dy të tjera… Ja dhe mitralozi… “Në pozicione!…”, – u dëgjua vetëm një herë thirrja e komandantit të Brigadës… Në këtë betejë mbeti i vrarë edhe Reizi dhe nuk e pa dot Shqipërinë të lirë dhe në festë. Dhe këtë çlirim, këtë festë si e përfytyronte aq qartë në ndërgjegjen e tij sa vajzës së vogël ia çoi emrin, Festime, se lindi më 24 maj 1944. Dhe sa herë kemi festa e gëzime kujtojmë vdekjen heroike të Reiz Rukës të mbushur me ëndrrat e tij të bardha, të gëzuara që do të realizonte në Nëntorin historik 1944.”

Reizi luftoi heroikisht
Nga komanda e Br. V S, familja e mori lajmin për rënien e heroike të birit të tyre, Reiz Ruka në Veri të Shqipërisë. Teksti i letrës i dërguar nga komandanti i brigadës Shefqet Peçi ruhet nga familja edhe sot. Në të lexojmë: 

Familjes së partizanit të Brigadës V Sulmuese, Reiz Ruka. Biri juaj, Reizi në datën 26.7.1944 ra dëshmor në Mat me armikun dhe tradhtarët e vendit. Gjaku i birit tuaj dhe i shokut tonë mbrujti themelet e lirisë dhe të popullit tonë dhe shkroi faqe të reja lavdie për Brigadën tonë sulmuese, për të gjithë Ushtrinë Nacionalçlirimtare dhe për familjen tuaj. Duhet të jemi kryelartë për Reizin që luftoi heroikisht dhe u nderoi duke dhënë edhe jetën për interesat e popullit. E gjithë Brigada V Sulmuese ju çon ngushëllimet më të përzemërta dhe betohemi mbi gjakun e birit tuaj dhe shokut tonë Reiz Rukës, se do të vazhdojmë me besnikëri deri në fund rrugën që ai ndoqi dhe do t’i marrim hakun!

Letrat e Reizit, dëshmi të Luftës
Në familjen e tij dhe në muze në Vlorë ndodhen letra të shkruara nga partizani Reiz Ruka. Ato janë dëshmi të përpjekjeve, të sakrificave dhe të Luftës së madhe që bënë luftëtarët shqiptarë kundër nazi-fashizmit. Në një letër dërguar xha Brahimit, ai shprehet se “unë me shëndet jam fare mirë, mos kini merak për mua. Këtu tek Tri Urat, kompania jonë zuri 25 gjermanë, nga këta 10 të vrarë, përveç materialeve, sepse materiale kemi zënë shumë, si dhe dogjëm dhe një makinë. Gjermanët janë demoralizuar tepër. Veprimet tona shkojnë gjithmonë përpara dhe me sukses. Po i afrohemi vatrës tonë.”

Këngë dhe vlerësime për Reiz Rukën
Ylli që del mbi Smokthinë,
I vogël po vetëtimë,
Seç u vranë ca djem të mire,
Reizi me Ismailë, 
Si edhe në një këngë tjetër:
Reiz Ruka smokthinjoti,
Zemrën e fuçi baroti,
Nëna jote bashkë me gjinë,
Të ushqeu trimërinë. 

Për aktivitetin e tij luftarak Reiz Ruka është dekoruar me Medaljen e Kujtimit, të Trimërisë dhe të Çlirimit nga Kuvendi Popullor. Shkolla e fshatit Matogjin mban emrin “Reiz Ruka”. Reizi la dy vajza që u rritën në kujdesin e nënës së tyre, Ylvie, e cila u bë një organizatore në luftë kundër armikut dhe luftëtare e emancipimit të gruas shqiptare. Ajo i rriti, i edukoi e i shkolloi, duke u bërë Iliriana, mjeke dhe Festimja, mësuese. Iliriana ushtroi profesionin e mjekes dhe shumë vite punoi në Ambasadën shqiptare në Itali. Në një fotografi të dalë në prill 1974 me Ilirianën, Hysni Kapo në Romë, ka lënë këtë shënim: “Doktoreshë Ilirianës, bijës së shokut tim të shkollës dhe të Luftës, Reizit që dha jetën duke luftuar për çlirimin e Shqipërisë, i uroj nga zemra shëndet, suksese, gëzim e lumturi në punë e në jetë!”.
Sigal