Dëshmia tronditëse në gjyq për 3 ton kanabis të kapur në Mat: E mbolli shteti!

608
Sigal

Pas më shumë se 2 vite nga asgjësimi i 4 mijë rrënjëve kanabis në një fshat të Matit, Gjykata për Krime të Rënda është duke gjykuar dy prej të dyshuarve për kultivimin e tyre. Shpëtim Lika dhe Marko Bushi akuzohen nga Prokuroria se në kuadër të grupit kriminal kanë kultivuar dhe më pas trafikuar lëndë narkotike. Procesi është në fazën e marrjes së dëshmive, ndërsa në seancën e djeshme, Gjykata dëgjoi babanë e një prej të pandehurve, Shpëtim Lika.

“Unë mendoj se drogën e ka mbjellë shteti”, tha ai në sallën e gjyqit. Ndërkohë, në lidhje me 3 ton drogë të gjetur në proces tharjeje në një hangar disa metra larg banesës së tij, dëshmitari tregoi se ishte ndërtuar brenda një nate dhe 3 ditë para se Policia ta asgjësonte. Hangari, tha dëshmitari, ishte në tokën e shtetit, edhe një pjesë e parcelave të mbjella ishin në pronë të shtetit.

DËSHMIA E PLOTË E ZBARDHUR NGA PANORAMA:

“B.Likën e kam vëlla, banesat i kemi larg, rreth 100 metra. Kjo banesë është e braktisur, që prej 13 vitesh. Çelësat e kësaj banese qëndronin në banesën time, në një verandë varur. Familjarë të vëllait, kur vinin, qëndronin në banesën time dhe shkonin që e hapnin shtëpinë. Çelësat e kësaj banese janë marrë vetëm njëherë nga djali i vëllait tim, Y.L., tjetër njeri këto çelësa nuk i ka marrë. Pranë banesës, është ndërtuar një hambar, që është ngritur në tokën e shtetit. Me sa kujtoj unë, hambari është ndërtuar 3 ditë para se të vinte Policia ta kontrollonte, të gjente drogën dhe ta digjte. Hambari është ndërtuar për tërë natën nga shumë veta, ishin rreth 30-40. Unë nuk i numërova, por pashë që ishin shumë dhe nuk e di se kush dreqin e ndërtoi.

Ditën kur erdhi Policia, ka kryer kontrolle edhe në banesën tonë, ndërkohë Shpëtimi nuk ka qenë aty, ai ishte në Lezhë dhe Durrës, kishte dalë. Ata e bënë copëcopë shtëpinë time, sepse kërkonin drogë. Në lidhje me tokën që është pranë Përroit të Kurvajës, është e Bashkisë që unë ia kam marrë me qira për 10 vite. Aty kisha mbjellë misër të kuq e fasule, edhe gjatë 2016-ës unë e kam pasur si pronë.

Djali im Shpëtimi gjatë gjithë jetës është marrë me tregti. Kemi pasur dhe një dyqan të vogël, si dhe shpërndante edhe pensionet në fshat. Ai më së shumti qëndronte në dyqan, i cili është rreth 30 minuta larg nga shtëpia, në shtëpi vinte vetëm për t’u larë. Furnizimin e tij me ushqime e bënte vetë djali. Marko Bushin e njoh pasi jemi në të njëjtën njësi administrative, por ai është nga një tjetër fshat.

Atë ditë, por edhe më parë nuk e kam parë në atë zonë. 2 kilometra larg shtëpisë time ishte mbjellë një parcelë me bimë që nuk ua them dot emrin. Për mua, atë drogë e ka mbjellë shteti, kush do e mbillte tjetër. Gjatë asaj kohe, unë kam takuar 3 djem të cilët ishin duke u larë në lum. U jam afruar dhe njëri prej tyre kishte një pistoletë, e kam pyetur se pse e kishte dhe më tha se nuk duhet të shqetësohesha sepse ai nuk do i bënte keq kujt dhe nuk po shkelte asnjë ligj të shtetit. Për nga dialekti mendoj se ai ka qenë nga jugu”.