Dëshmia ime për kampin e të internuarve në Tepelenë

124

Krenar Isuf Progonati

I drejtohem gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Quhem Krenar Isuf Progonati. Kam qenë vetëm mësues i letërsisë, me përvojë 45 vjeçare, ‘Personalitet i shquar i letërsisë”, momentalisht, mësues në pension. Nuk kam qënë asnjëherë komunist. Jam banor i qytetit të Tepelenës që nga viti, 16 tetor 1943. Jam vëllai i Heroinës së Popullit Nimete Progonati . Ne tepelenasit e kemi në gjak humanizmin, tolerancën, por nuk durojmë padrejtësitë ngado që ato vijnë dhe aq më tepër kur ato fabrikohen nëpër kuzhinat djallëzore për qëllime aspak njerëzore, por shumë poshtëruese e të pamoralshme. Që nga 23 gushti i vitit 2017 nëpër ekranet televizive dhe në atë të shkruar filloi një fushatë e egërsuar duke shitur për konsum mjaft sajesa jashtë logjikës duke ngjallur zemërim, revoltë tek ne tepelenasit. Dëshmitë e mia realiste i kam paraqitur para popullit në Konferencën e Organizatës së Dëshmorëve, më 23 shtator 2017, nëpër mjediset familjare, fisnore e shoqërore, si dhe në takimin me Ministren e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro. Nuk do të përsëris ato që u thanë në takimin e datës 22 gusht me nja 15 vetë të ardhur nga Tirana si përfaqësues të të internuarve në kampin e Tepelenës e që u ra dakord për shumë gjëra. Gjithashtu, nuk do të përsëris ç’u bisedua me Znj. Kumbaro, sepse këto u pasqyruan drejt e shumë gjerë në një shkrim të publikuar nga shokët: Shyqyri Ruçi, Hasan Musta dhe Bujar Sula, por unë do dëshmoj edhe disa të vërteta historike të tjera të përjetuara, për lidhjet miqësore e familjare që kam pasur me disa prej të internuarve dhe asnjëherë nuk na është ndukur veshi nga autoritetet e rrethit.

Lutemi keni durimin të më dëgjoni dëshminë time:

…Kampi i të internuarve në Tepelenë është quajtur “Kampi i vdekjes”, “Kamp i shfarosjes”, “Kampi ferr”, “Kampi: Aushvici Shqiptar” Dhe me sajesa bëjnë shëmbëllim me 14 mijë kampet naziste në të cilat është realizuar gjenocid antisemit, siç ka ndodhur në kampet në Mathauzen, Dakao, Bukenvald, Aushvic të Polonisë, në Prishtinë etj. Burimet tregojnë se helmimi i parë me gaz Ciklon B filloi në Belzek, më 17 mars 1942 kur ky kamp kishte kapacitet për të vrarë 15 mijë njerëz në ditë dhe një vit më vonë në Sobibor vriteshin në ditë 20 mijë dhe në Treblinka e Majdasrek 25 mijë njerëz. Bashkëpunëtori i Adolf Hitlerit Rudolf Messi dhomat e gazit i quante “kapilarët e kufomave” Dhe në Aushvicin e Polonisë u vranë e u dogjën në krematoriume 2 milionë hebrenj e përveç të kombësive të tjera. I dhashë këto të dhëna që të kuptohet fare mirë se në vendin tonë, edhe pse ka pasur kampe të krijuara nga fashisto-nazistët nuk kanë pasur fytyrën e kampeve të krijuara në vendet e tjera evropiane. Në kampet naziste jashtë Shqipërisë panë tmerret edhe 53 tepelenas dhe brenda vendit edhe 38 tepelenas. Të etiketosh kampin e të internuarve në Tepelenë si “ Kamp: Aushvici Shqiptar” është më shumë se marrëzi dhe çmenduri. Ne dëshmitarëve tepelenas na duhet të çmontojmë çmendurinë. Edhe vetë gjakësorët gjermanë të asaj kohe do të reklamonin të vërtetat e veprimtarisë së tyre lidhur me kampet në vendin tonë, që s’kishin pamjen e kampeve të tyre naziste nëpër Evropën e përgjakur përgjatë Luftës së Dytë Botërore.

Atëherë pse behet ky revanshizëm?| Çfarë fshihet pas fabrikimeve të tilla që edhe shkëmbinjtë mund të copëtoheshin e të shkërmoqeshin, edhe diellin mund të çmendej, edhe hëna e qiellit mund të bëhej copë e çikë e thërrime, por tepelenasit janë strall për nga karakteri, mendja dhe veprimtaria patriotike dhe të gjitha këto e të tjera e bëjnë tepelenasin kryevepër… Me Çlirimin e Shqipërisë më 29 Nëntor 1944 bashkëpunëtorët e nazifashizmit u arratisën e u strehuan në Amerikë, Gjermani, Angli, Francë, Itali e gjetkë. Ata të Francës krijuan Komitetin” Shqipëria e Lirë” dhe me forma të ndryshme bënin çmos për rrëzimin e pushtetit, kurse në vendet e tjera përgatiteshin nëpër shkolla spiunazhi dhe hidheshin diversantë e vinin në Shqipëri nga toka, ajri e deti. Një pjesë e bashkëpunëtorëve që nuk mundën të arratiseshin krijuan në Shqipëri organizatën: “Komiteti i Maleve” që përbëhej nga banda kriminale. Vranë sa deshën. Nga dora e përgjakur u vranë: Marta Tarazhi e Prenda Tarazhi, më 25 prill 1948, Shkurte Cara, më 5 korrik 1949 Mrikë Lokja, më 26 maj 1947, Dile Marku (Dilica), Hajdar Tafa, më 2 dhjetor 1950, Ndrec Ndue Gjoka, më 17. 2. 1946, Baba Faja Martaneshi, më 17 prill 1947, Llazi Pulluqi, më 25 dhjetor 1947, më 12 prill 1950 vritet në pyjet e Ujluthit të Mirditës Pal Melyshi e qindra e qindra të tjerë bij e bija nënash , luftëtarë të progresit shoqëror e të lartësimit të atdheut në rrugën e qytetërimit e të përparimit. Në emër të kujt u vranë? Tepelenasit, si gjithë populli shqiptar kur dëgjonte për këto krime thërriste me gjithë fuqinë e zërit: “Në litar! Në litar!” Edhe i varfër e rroba çjerrë, por me moralin atdhetar në shpirt e zemër. Lind pyetja legjitime: Ç’përfaqësonin këta të internuar që i sollën në Tepelenë? Këta kishin në familjet, në fisin e tyre njerëz të arratisur ose në “Komitetin e Maleve”. Që të mos krijohej në Veri gjakmarrja e hakmarrja u realizua internimi i tyre, që të mos hakmerreshin ndaj tyre familjarët që u ishin vrarë njerëzit e tyre nga bandat kriminale, fjala vjen ata që përmenda më lart; si Marta Tarazhi me shoqe e shokë. Lind pyetja: Pse u internuan? Përgjigja është e kuptueshme: që t’u sigurohej jetesa, që t’i shpëtonin vëllavrasjes, gjakmarrjes dhe hakmarrjes. Po ku duheshin sistemuar? Ku të sistemoheshin? Në Mirditë, në Pukë, në Tropojë, në Kukës, në Peshkopi, Krujë? Në asnjë mënyrë. Kurrsesi në këto vende. Dhe pse jo në këto vende atdhetare me historinë – këngë, kënduar me lahutë dhe me çifteli nëpër epokat historike, me ato legjenda të trimërisë që yllëzojnë me tërë bukurinë dhe madhështinë në panteonin e lavdisë shqiptare, frymëzim për brezat, por jo në këto vende, sepse ishin troje ku kishin ndodhur vrasjet dhe ekzistonte rreziku i gjakmarrjes dhe hakmarrjes, ngaqë sipas Kanunit gjaku shlyhet me gjak, sepse ishin troje ku kishin ndodhur krimet makabre.

Meqë në Tepelenë ishin bosh kazermat e ushtrisë italiane dhe se në rrethin e Tepelenës s’bëhej fjalë për gjakmarrje e hakmarrje ishte bërë zgjedhja e duhur. U sistemuan në kazermat e ushtrisë italiane në periudhën 1949-1953. Krevatet ishin krevate marinari. Hanin në mensë. Një të vërtetë përmendi historiani Pëllumb Xhufi në një emision televiziv. Tha: “Në një dokument të CIA-s Amerikane thuhet se kampi i të internuarve në Tepelenë ishte model…” Dhe mjaft të verbuar iu sulën me tërbim sikur këtë vlerësim e kishte bërë Enver Hoxha dhe sipas tyre zoti Xhufi ishte bërë zëdhënës i Hoxhës. Jo më shumë se 100 burra me sëpata e kosore, të shoqëruar nga dy policë kalonin Urën e Ali Pashait dhe bënin dru për të gatuar, për larje të teshave apo në dimër për t’u ngrohur. Gratë rrinin në kapanone, merreshin me qëndisma, bënin pupa a zbukurime mjaft estetike që mund të bëheshin ekspozita në Tepelenë, por Tepelena na ato vite nuk kishte pallat kulture. Ata jetonin në kapanonet e kazermave të ushtrisë italiane, kurse unë dhe gjithë të tjerët kishim shtëpitë – kasolle, mbuluar me llamarinë, muret me çaterma dhe dyshemetë të lyera me bajga lope. Hanim qull me lakra e hithër, Ekzistonte sistemi i triskëtimit. Ne kishim racionin e bukës elbi, thekre a misri 400 gr, në ditë, kurse ata 500 gr. e ca, ne hanim edhe oriz me krimba, po ashtu edhe ata. Ato kushte ishin kur Shqipëria kishte moçale, këneta, sëmundje të shumta, do të ndërtonte shtëpi, do ndërtonte rrugë, hekurudha, fabrika, uzina, kombinate, hidrocentrale, do të luftonte kundër diversantëve, do të luftonte në fushën politike, në sferën ekonomike e të tjera e të tjera. Ç’ mund të bënte më shumë shteti atëherë? Të jemi realistë e mos kërkojmë qiqra në hell. Të mos fluturojmë me presh, se bëhemi gaz i dynjasë. Fëmijët e tyre vinin në shkollën 7-vjeçare “Abaz Shehu” të qytetit. Ishin të veshur mjaft bukur. Binin në sy me ne nxënësit e qytetit. Ishin në të gjitha klasat. Drejtor i shkollës ishte Rait Braho edhe e shoqja e tij ishte mësuese. Simon Miraka qe nxënës në klasën e dytë. Kaloshaj e Gjon Markaj qenë në klasat e larta. Unë Krenar Isuf Progonati deklaroj si gjithmonë se kam pasur në klasë këta: Djalin e Hamit Matjanit, Xhavit Matjani, nipin e Ahmet Zogut, Xhalal Zogun, motrën e Pal Melyshit, Maria Mëlyshi, një vajzë me emrin Luftanije dhe një djalë me emrin Engjëll. Mësonin shumë mirë. Ne ishim miqësuar me ata. Ishim tamam si vëllezër e si motra.

Duheshim shumë. Unë rrija në bangë me Marien, motrën e Pal Melyshit. Maria dhe Luftanija këndonin mjaft bukur. Këngët që na pëlqenin ishin: “Ahmet Zog, o faqezi/ që na shite në Itali”, “ 39 mos ardhsh kurrë,/ që na rrëzove flamur,/ o ministra, ministrat tanë,/ harram e paçi paranë, / që na shitët vatanë” Maries i kemi festuar edhe ditëlindjen ku kanë qenë të pranishme, nëna ime Fatime Aliko Progonati, Xhito Kopaci, Nazo Qibini, Qibro Selimi. Naxho Ali Luzi . Kur një herë isha lagur nga shiu e dridhesha nga të ftohtit shoqja ime e bankës Maria Melyshi hoqi bluzën e leshtë e ma veshi mua. Faleminderit, o motër e shtrenjtë Marie që më shpëtove nga ndonjë plevit. Maria më ka dhuruar një palë çorape të bëra me dorën e saj e ku ta dija unë që t’i ruaja dhe pas kaq e kaq vjetësh t’jua tregoja edhe juve se ç’dorë artisteje ishte dora dhe mendja e Maries. Me nënën e Maries, nënë Davën, (kështu e quanin) kishim miqësi familjare, vinte në shtëpinë tonë- kasolle, hanim bashkërisht qull me lakra, petulla me ujë, fasule dhe ndonjëherë edhe qullapite, edhe ndonjë pulë, por edhe oriz me krimba. Doktor nuk kishte në Tepelenë. Kur u sëmura rëndë, nëna theri një pulë, e rropi, e spërkati me raki e piper dhe ma veshi, u shërova. Kam qenë i dëshpëruar shumë dhe tani që kanë kaluar shumë vite kur i kujtoj më shkasin lot, na vdiqën dy shoqe: Borziloke Cunaj dhe Anife Mellaraj. Mësues kishim gjirokastritin Hysen Harshova, i cili na donte shumë dhe ne i kapnim dorën me shumë dashuri. Përmenda më lart nënën Dava Melyshi, që ishte nëna e Pal Melyshit dhe Maria Melyshi, motër e Pal Melyshit. Kjo është diçka interesante. Me 7 gusht 1949 vritet nga bandat kriminale të” Komitetit të maleve “ Bardhok Biba, që ishte shok i zemrës i Pal Melyshit. Bardhok Biba kishte qenë partizan në Brigadën e 7 Sulmuese. Pas çlirimit ishte kuadër që luftonte me mish e shpirt për përparimin e Mirditës, por veprimtaria e tij patriotike në shërbim të atdheut ndërpritet, se vritet nga bandat kriminale. Pal Melyshi pikëllohet për këtë humbje për mirditorët. Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu e infiltrojnë te Komiteti i Maleve. Fillimisht u cilësua tradhtar i atdheut që të fitohej besimi te krerët e organizatës “Komiteti I Maleve”, Pali i zgjuar, trim e guximtar vrau sa mundi e sa deshi, madje një herë kishte nxjerrë revolverin e kishte plagosur veten në dorë për të hequr çdo dyshim që mund t’u kishte lindur, sepse radhët e tyre po pakësoheshin. Pal Melyshi mbante pseudonimin “Furtuna”. Më 12 prill 1950 Pal Melyshi vritet nga bandat kriminale. Pra, edhe babanë e tij Nikolla, nënën Dava dhe motrën Marie e internuan në Kampin e Tepelenës. Kjo është dëshmia ime realiste, e shenjtë, duke qendruar si shenjtor para Biblës e Kur’anit, para së vërtetës historike. Dhe s’më ka ardhur aspak mirë kur pashë në ekranet televizive Presidentin e Republikës duke folur para një grushti njerëzish, të ardhur nga Tirana, kurse tepelenasit refuzuan pjesëmarrjen : Të fyer e të indinjuar gjer atje sa nuk mban më nga spekulimet, sajesat, mashtrimet dhe profkat e hipokrizia e manipulatorëve të historisë që marrin guximin e inskenojnë ngjarje të pavërteta. Presidenti Ilir Meta do të jetë ndier keqas, por duhet të kuptojë se është viktimë e skenarëve pa bereqet. Nuk duhet shkuar sipas berihajt. Hidhet një gur nga dikush në lumin e turbulluar dhe ftohen për ta nxjerrë. kjo marrëzi kërkon ndëshkim dhe jo dekorata e lëvdata. Lavdi popullit heroik të Tepelenës që kur është puna për të drejtat historike nuk pyet për ministra, deputetë, qoftë dhe për presidentë. Në Tepelenë është krijuar edhe forumi: “Patriotizmi tepelenas nuk pranon simbolika fantaziste.” Tepelenasi përkulet me nderim dhe adhurim vetëm para flamurit kombëtar, para dëshmorëve të atdheut dhe para së vërtetës. Aventurat frenohen, nuk ushqehen, sepse sjellin rreziqe. Ja përse duhet dëgjuar nga të dy veshët. Unë, Krenar Progonati, si dhe shumë të tjerë, do të ishim të mrekulluar në qoftë se do të lexonim komentin special të akademikut Rexhep Qosja “Qytetar nderi i Tepelenës, pasqyrë e pasurive shpirtërore, intelektuale e me vlera njerëzore,, koment që në vesh, mendje, shpirt e zemër do na ylberonte si diçka hyjnore e shenjtë dhe e shtrenjtë për kujtesën kolektive të Tepelenës që ka të bëjë me të vërtetën historike të kampit të internuarve në Tepelenë. Edhe për këtë më buçet në ndërgjegje: Mirënjohje profesor doktor, akademik Rexhep Qose nga: Krenar Progonati, dëshmitar okular, mësues në pension, vëllai i heroinës, Nimete Progonati që u v ra në Sinjë të Dibrës, më 26 korrik 1944.