Dëshmia e prokurorit Ndoja: Mund të më vrisnin dhe para shtëpisë

520
Sigal

I ndodhur në reanimacionin e spitalit të Durrësit, Prokurori Arjan Ndoja, ka deklaruar se ka drekuar në një restorant të plazhit me Lahon, ku dhe janë takuar për të udhëtuar më pas drejt kryeqytetit. Por te mbikalimi i Shkozetit, në autostradën Durrës-Tiranë, një automjet i ka qëlluar me breshëri nga prapa duke i plagosur të tre personat që ndodheshin në mjet. Deri në këto momente janë marrë në pyetje një numër i lartë personash të cilët më pas janë lënë të lirë, ndërkohë që ekspertë të laboratorit shkencor janë duke analizuar provat e gjetur në mjetin e braktisur, që konsiderohet si provë e çmuar në duart e grupit hetimor.

“Kam qenë duke drekuar në një restorant në zonën e plazhit. Isha i vetëm në lokal, erdhi Muharremi me të cilin kam njohje dhe një person tjetër dhe u ulën po aty. Më pas u nisëm drejt Tiranës” me automjetin tim. Mua mund të  më vrisnin në derën e shtëpisë, në prokurori, nuk kishte se pse të qëllohesha në autostradë”, është shprehur Ndoja, ndërsa pretendon se nuk i ka parë lëvizjet e autorëve.

Dyshimet paraprake janë se autorët kanë qenë me dy automjete, një prej të cilëve i ka prerë rrugën. Sipas burimeve kanë qenë manovrat e shoferit Andi Maloku, që i kanë shpëtuar jetën Ndojës dhe Lahos. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se nga veprimet e kryera deri më tani është arritur në përfundimit se atentati mund të jetë porositur nga persona të tretë.

Nisur nga trajektorja që ka përshkuar makina  e autorëve që u gjet e braktisur në Shkafane të Ishmit është arritur në përfundimin se ata janë larguar përmes kësaj zone duke shmangur rrugën nacionale Durrës-Vorë-Fushë-Krujë ku ka një përqendrim të forcave policore dhe një numër të lartë kamerash sigurie.