Dervishi-Dumani, marrëveshje me Universitetin Mesdhetar për Shkollën Dimërore “Informim dhe Privatësi”

825
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi dhe Rektori i Universitetit Mesdhetar, z. Nexhmi Dumani, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve. Kjo marrëveshje ka për qëllim kryesor koordinimin e kapaciteteve për zbatimin e projekteve të përbashkëta, sidomos, në drejtim të projekteve kërkimore-shkencore. Në ceremoninë e nënshkrimit, z. Besnik Dervishi, vlerësoi se “njohja e legjislacionit të të dy këtyre fushave – privatësia dhe e drejta e informimit, nëpërmjet bashkëpunimit me institucionet e arsimit të lartë është mjaft e rëndësishme. Zyra e Komisionerit po e konsolidon këtë traditë me disa Universitete në vend, me synimin për të nxitur edukimin shoqëror në respektimin e të drejtave themelore të njeriut”. Ndërsa, themeluesi i Universitetit Mesdhetar, z. Anastas Angjeli, u shpreh se “ky bashkëpunim vjen në një moment të përshatshëm dhe se angazhimi i institucioneve të pavarura, veçanërisht ai i Zyrës së Komisonerit, kontribuon në zhvillimin e demokracisë në Shqipëri”. Në këtë marrëveshje është parashikuar ndër të tjera dhe funksionimi i Shkollës Dimërore “Informim dhe Privatësi”, në datat 25-26 janar 2018, që është, njëkohësisht, pjesë e aktiviteteve që Zyra e Komsionerit organizon në kuadër të Javës së Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Në Shkollën Dimërore janë përzgjedhur për të marrë pjesë 70 studentë dhe staf akademik e administrativ të Universitetit Mesdhetar, si dhe nga universitete të tjera. Në ditën e parë të zhvillimit të saj pjesëmarrësit njihen me legjislacionin e mbrojtjes së të dhënave personale, duke u fokusuar tek sistemet e videosurvejimit. Stafi i Zyrës së Komisionerit prezanton tema që kanë të bëjnë me median dhe mbrojtjen e të dhënave personale, apo dhe marrëdhënien e teknologjisë me privatësinë. Pjesëmarrësit njihen edhe me risitë e Rregullores Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave të Bashkimit Evropian, që hyn në fuqi në maj të 2018. Në ditën e dytë të Shkollës Dimërore, prezantohet legjislacioni për të drejtën e informimit dhe raste nga praktika e Zyrës së Komisionerit, njohuri mbi Internetin e Gjërave (IoT) në raport me privatësinë e qytetarëve, studimi “Privatësia dhe siguria e të dhënave personale gjatë përdorimit të rrjeteve sociale nga grup-mosha 15-18 vjeç” dhe aplikacioni “IDP Ankesa”. Ceremonia e mbylljes së Shkollës Dimërore “Informim dhe Privatësi” dhe ndarja e certifikatave për pjesëmarrësit do të zhvillohet në 28 Janar – Dita Evropiane e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve.
Sigal