Derrkuci Çufo përlanë 812 milion lekë me firmën e Fullanit

775
Sigal

Zbulohen skandale të reja financiare të ish-Guvernatorit të Bankës Shqiptare

Tashmë që ka nisur hapja e dosjeve të veprimtarisë së Bankës të Shtetit pas heqjes së Fullanit, po zbulohen fakte të reja abuzimesh skandaloze, bërë me financat e kësaj banke. Përpara dhe pas arrestimit të ish-guvernatorit Fullani, janë publikuar fakte skandaloze me shpërdorimin e këtyre fondeve, deri në shpenzime të shfrenuara qejfi, me përdorje të kartëmonedhave 500 euro prej fëmijëve të guvernatorit Fullani, si kartopeceta për fshirje djersësh pas kërcimesh djersitëse në PUB-e, në blerje koleksione orësh, veturash, unazash, varësesh e byzylukësh të shtrenjtë floriri. Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, mësohet se prej një muaji, me urdhër të guvernatorit të ri Gentian Sejko, në Bankën e Shtetit Shqiptar po ushtrohet një kontroll i imët edhe në lidhje me shpenzimet antiligjore që janë bërë prej drejtuesve të bankës së shtetit. Tashmë, grupi kontrollit ka evidentuar shumë fakte të tilla që kanë ide, firma e vula të ish-guvernatorit Fullani dhe miratim të vartëseve të tij “përjetshëm” anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës e drejtorë të lartë të bankës. Dje, në gazetën “Telegraf” erdhi një informacion që denonconte skandalin e turpshëm financiar, lidhur me një sponsorizim të një projekti “pilot” për “Edukimin bankar të nxënësve 7-14 vjeçar”, që jo vetëm nuk kanë asnjë lidhje moshore e ligjore me politikat monetare dhe funksionet e veprimtarisë zyrtare të bankës së shtetit, por as me të drejtën ligjore të bankës, për të sajuar dhe realizuar projekte të tilla abuzive me të miturit, nxënës shkollash të ciklit 9 vjeçar. E kemi fjalën, për një projekt fiktiv, të sajuar prej ish-guvernatorit Fullani, me financim në adresim të “dajës” së bashkëshortes së tij! Konkretisht, në datën 27 maj 2013, ish-guvernatori Fullani, që kishte “themeluar” ekipin e volejbollit të grave të bankës, që kishte pajisur zyrat e anëtarëve të Këshillit mbikëqyrës me dhoma gjumi luksoze, me piano, minibare e salla lojërash argëtuese, ideoi dhe bëri pjesë të strukturës të veprimtarisë së bankës edhe financimin e librave për fëmijë që kanë lidhje me përrallat me subjekt bankar!! Mos u çuditni, por, rezulton se me iniciativën e tij, në 5 vitet e fundit deri në korrik 2014, ish-guvernatori Fullani ka financuar afro 9 milionë dollarë nga buxheti i Bankës së Shtetit me temë “Për edukimin bankar të fëmijëve me libra me përralla e me ekspozita kartëmonedhash”. Le të ndalemi tek skandali në fjalë. Sipas dokumenteve bankare edhe promovuese, Fullani ka shpikur një projekt “pilot” për edukimin bankar të fëmijëve të shkollave fillore e 9 vjeçare, me libra me përralla, të shkruar… prej dajës së gruas të ish-guvernatorit. Burimi ynë i informacionit e ka shoqëruar këtë abuzim të ish-guvernatorit, me faksimile zyrtare, marrë nga Raporti i Vjetor i Bankës së Shtetit për vitin 2013 (faqe 111). Guvernatori Fullani, ka përdorur si kurrikul jashtëshkollore për edukimin e fëmijëve 7-14 vjeç me politikat bankare të shtetit, një libër me… përralla, me titull “Derrkuci Çufo, mëson të kursejë”, libër me 7 përrallëza, shkruar prej “dajos” së gruas, shkrimtarit Gaqo Bushaka, i cili (sipas citimit të bankës), me urdhër të “dhëndër” Fullanit dhe me votim të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës është emëruar dhe ka shërbyer prej 8 vitesh edhe “si këshilltar i Bankës së Shqipërisë, me detyrë: hartimin e kurrikulave mësimore jashtëshkollore, të fëmijëve që edukohen me politikat bankare” (vazhdon të paguhet në vazhdim)! Të çudit fakti, që përveç fëmijëve të moshës së përrallave 2-6 vjeç, me librin me përralla “Derrkuci Çufo, mëson të kursejë”, Banka e Shtetit paska edukuar edhe nxënës të klasave të nënta (14 vjeçar), pra të vitit të parë gjimnaz…..! Sipas faturave zyrtare të financimit të bankës, rezulton se ky “edukim fëmijësh me mënyrat e përdorimit të lekut”, nëpërmjet librit “Derrkuci Çufo, mëson të kursejë”, ka kushtuar nga 580 mijë euro, për 4 vite radhazi! Ky skandal me financime librash klienteliste, ka ndodhur me qetësi të plotë në bankën e shtetit, kur mijëra familje shqiptare jetojnë në varfëri ekstreme, kur mijëra shkrimtarë shkruajnë libra cilësorë dhe nuk i botojnë dot, prej mungesës së financimit, kur librat në Shqipëri shiten rrugëve! Ndërsa ish-guvernatori Fullani dhe “çeta” e tij financojnë me nga 580 mijë euro libra me përralla për dërrkuca, ujqër, dhelpra e mushkonja që përdoren fiktivisht si personazhe ne libra “edukimi bankar” për nxënësit e shkollave, me synim që të realizohen vjedhje gjigande, si kjo që ka ndodhur…

Përparim HALILI