Deputetja e PS-së, Felaj në aksion, për të mbledhur votat e të djathtëve të zhgënjyer

632
Sigal

FUSHATA ELEKTORALE/ Banorët e komunave të Beratit kanë premtuar se, do të votojnë të majtën e bashkuar

Deputetja Ermonela Felaj vazhdon të zhvillojë fushatën elektorale në Qarkun e Beratit. Këto ditë Felaj, ka zhvilluar takime në disa komuna, ku ka gjetur mbështetjen e shumë të rinjve, të cilët kërkojnë ndryshimin. Kështu deputetja ka zhvilluar takime në Komunën e Kutallisë, ku ka gjetur një përkrahje të madhe nga ana e banorëve, të cilët i kanë premtuar deputetes se do të votojnë Partinë Socialiste, madje, në këtë mbështetje nuk kanë munguar dhe të rinjtë e zhgënjyer me bindje të djathtë, të cilët në këtë takim janë shprehur se e kanë braktisur Partinë Demokratikë dhe do t’ja bashkëngjisin votën e tyre të majtës. Felaj në këto takim, u ka premtuar banorëve se do të kenë mbështetjen e saj dhe sigurisht të Partisë Socialiste. “Ne, si parti kemi një platformë elektorale, shumë të mirë. Të gjithë fermerët do të kenë mbështetjen e Partisë Socialiste, pasi ne do të gjejmë tregun e shitjes për prodhimet e fermerëve”, u ka thënë Felaj të pranishmëve. Në këtë takim shumë entuziast të zhvilluar me banorët e kësaj zone, deputetja Felaj ka garantuar elektoratin se do të kenë gjithmonë ndihmën e Partisë Socialiste, për të plotësuar të gjitha kërkesat e tyre. Të rinjtë e Komunës Kutalli dhe të fshatrave përreth i kanë premtuar deputetes se do të mbështesin Partinë Socialiste. Më pas Felaj, ka zhvilluar një takim më banorët e qytetit të Urës- Vajgurore, të cilët i kanë bërë një pritje të madhe dhe shumë premtuese për të votuar Partinë Socialiste. Është për t’u theksuar se një mbështetje të madhe i kanë dhënë të rinjtë, të cilët janë shprehur se sytë dhe shpresa i kanë nga PS-ja, si për shkollim, punësim dhe probleme të ndryshme që ata kanë sot. Banorët e qytetit të Urës- Vajgurore, kanë garantuar deputeten se ata do të votojnë Partinë Socialiste si një nga partitë me reputacion dhe që është për shtresën e varfër. “Ne do të votojmë Partinë Socialiste pasi në programin e saj ka luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, i cili sot po bënë kërdinë në Shqipëri. Ne nuk kemi garanci për jetën tonë, prandaj do të jetë Partia Socialiste ajo që do të luftojë këto fenomene, që tashmë për ne si shqiptarë janë bërë një gangrenë e vërtetë”, janë shprehur disa të rinj, të cilët ishin të pranishëm në këtë takim. Deputetja Felaj, i ka premtuar elektoratit të vet, se Partia Socialiste do të luftojë dhe korrupsionin, krimin e organizuar si dhe do të zbusë varfërinë, duke hapur vende të reja pune. Deputetja Felaj, ka vijuar takimet edhe në Komunën e Kozares, pikërisht aty, ku dhe Partia Demokratike ka fituar në zgjedhjet e fundit dhe po përpiqet që nëpërmjet disa investimeve të marrë votat. Në këtë takim me banorët e Kozares, Gorajt, Vlashukut e Frashërit, deputetja ka marrë garanci të mëdha pasi këto zona do të votojnë PS-në, sepse janë zhgënjyer nga qeverisja e PD-së.

Felaj: “Nëse fitojmë do të bëjmë realitet premtimet elektorale”

Pas takimeve Felaj është shprehur për gazetën “Telegraf”, se, në të gjitha takimet që ajo ka bërë ka gjetur mbështetje. “Unë në të gjitha takimet që kam bërë kam gjetur një mbështetje të madhe nga banorët e të gjithave zonave të rrethit të Kuçovës dhe të Beratit. Gjithsesi, unë në emër të Partisë Socialiste kam thënë se, të gjitha premtimet që PS-ja po bënë në fushatë elektorale, do t’i bëjë realitet. Elektorati është i zhgënjyer nga qeverisja demokratike. Ata (deputetët) sa kanë marrë votat nuk janë dukur më tek këta banorë me halle shumë. Tashmë ne jemi përballë një realiteti, ku vetë elektorati po shprehet se është i zhgënjyer nga qeverisja e Partisë Demokratike, e cila nuk ka bërë asnjë”, -tha Felaj.