Deputeti “rilindës” po “mëkaton”, duke përdorur Kishën “Janullatos”, për të zhvatur depot e rezervave në Shijon të Elbasanit

105
Vetëm 3 kilometër nga kryqëzimi i fshatit Shijon të ish komunës Bradashesh, brenda këtij fshati “park i gjelbër natyral”, gjendet një nga 3 qendrat (komplekset) më të mëdha të Depove të Rezervave, që shteti ka ende brenda territorit të Bashkisë së Elbasanit, por që nuk kanë asnjë lidhje administrimi me këtë bashki. Këto depo dhe territoret ku ato gjenden, varen nga Ministria e Brendshme por administrohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit, nëpërmjet drejtorisë së saj rajonale me qendër në Elbasan! Këto depo janë kthyer në gërmadha dhe prej vitesh po kërkohen për zhvillim nga banorët e zonës që janë edhe pronarë legjitimë, të truallit mbi të cilën janë ndërtuar këto depo, njohur si pronë me letra trashëgimie, komisionesh e gjyqesh! Mirëpo, edhe pse bën sikur po dëgjon popullin, “paria” (partia) e qeverisë së “tepsisë vetëm” nuk i përfill “letrat e popullit”. Thuhet, se drejtori i “madh” i Rezervave të Shtetit që dritaren e zyrës së tij e ka përballë “7 penxhereve” të “Burgut 313” në Tiranë, i detyruar me urdhër nga shefat e tij qeveritarë, ka nisur “operacionin ilegal” për dhënien me koncesion edhe të depove të Shijonit! Kush është “agai” që do t’i përlajë edhe këto depo? Çfarë marifeti dhe “levash” po përdoren për të justifikuar këtë koncesion? Sipas zërave brenda drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave, thuhet se gjithçka po bëhet me urdhër të “atyre lart”! Siç thonë ca letra “sekrete”, qenka vendosur që edhe këto depo dhe gjithë territori i tyre i madh me sipërfaqe sa gjysma e fshatit Shijon, do të kenë fatin e depove të rezervave në Fushë-Labinot e në Librazhd, për t’u bërë “kurban” prej “kasapëve” të korruptuar të “Rilindjes”, duke përdorur “thikën” e Partneritetit Publik Privat (PPP) të koncesioneve, nëpërmjet të cilit po vazhdojnë të rrjepin pasuritë kombëtare dhe taksat publike! Gjithçka është gati për t’u miratuar edhe në mbledhjen e parë të qeverisë “tepsia vetëm”. Deputeti “rilindës” që ka realizuar “me marifet” edhe koncesionin e depove të rezervave në Librazhd për të cilat përdori një “investitor italian” i cili u zhduk pas disa muajsh, po urdhëron shefat e rezervave të shtetit në Tiranë, që të bëjnë gati gjithë dosjen e koncesionit të këtyre depove, që nga hipotekimi i truallit, propozimin për dhënien me koncesion të tyre për “paaftësi administrimi” dhe deri tek paraqitja e emrave palë e interesuar, që kanë bërë kërkesë për t’i marrë me koncesion. Për të arritur këtë synim, deputeti po përdor si “vegël” edhe krye-klerikun ortodoks grek Anastasios Gjerasimos Janullatos, të cilin e ka instruktuar të kërkojë këto depo, me pretendimin se “trualli mbi të cilën janë ndërtuar rezervat e shtetit në Shijon është pronë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare! Ky marifet u përdor edhe në koncesionin e 3 HEC-ve, që Janullatos mori dhe ndërtoi në Përroin e Parrunit në Librazhd, HEC-e që i ka “bekuar” dhe inauguruar “dora vetë” deputeti “rilindës” bashkë me Janullatosin, të cilin po e përdor edhe në “mëkatin” e zhvatjes së depove të Rezervave të Shtetit në Shijon të Elbasanit. Nuk e dimë, nëse po “futen duart” në dosjet e hipotekave për të bërë letrat në emër e favor të Kishës “Janullatos”, por sipas skenarit, pas marrjes së depove prej Kishës, ato do kalohen “me n/kontraktim” tek familjarët dhe sekserët e “mëkatarëve” të pushtetit e pas 1 vit do të shiten fiktivisht! Nxitimi ka lidhje me faktin, se dosja e këtij koncesioni duhet të jetë gati në shtator 2017, me qëllim që të miratohen me VKM “të posaçme” në mbledhjen e parë të qeverisë “Tepsia vetëm”, brenda së cilës, deputeti “rilindës” menaxhon “lugët e punëve” të zonës që nga dalja e tuneleve të autostradës Tiranë-Elbasan dhe deri në tunelin e hekurudhor të “Gurit të Kuq”, në fshatin Piskupat të Pogradecit. Sa për kujtesë, ky kompleks shtrihet në gjatësi mbi 1.1 kilometër dhe gjerësi afro 110 metër, ndodhet vetëm 100 metër buzë autostradës Tiranë-Elbasan dhe vetëm 3 kilometër larg kryqëzimit Elbasan-Durrës!