Deputetët e zonave në fundjavë, Korça dhe Berati përmbyten

34

Në Korçë janë përmbytur nga 35 familje, ndërsa në Berat, janë dëmtuar disa të tjera

Reshjet e ditëve të fundit kanë krijuar situatë të vështirë me përmbytje në Berat dhe Korçë, ndërkohë, apelit të banorëve për ndihmë, nuk i janë përgjigjur as strukturat vendore e shtetërore  si dhe deputetët që u kanë dhënë votën në zgjedhjet e fundit parlamentare. “Janë situata që përsëriten sa herë ka reshje të mëdha, duke na shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa e pasuri, por askush nuk na vjen në ndihmë. Deputetët e dy krahëve politikë që me votat tona shkuan në Parlament, gjatë fushatës së fundit jo vetëm na premtuan investime kundër përmbytjeve, por dhe se do të na gjenden pranë për problemet që do kishim. Por nuk po i shohim më. Ka së paku dy ditë, që asnjë nga deputetët nuk ka ardhur të na shohë në këtë fatkeqësi”,- pohuan banorët e përmbytur.

RRESHJET NË BERAT

Reshjet intensive të shiut, të rëna gjatë dy ditëve të fundit në rrethin e Beratit, kanë bërë që një përrua të dalë nga shtrati duke përmbytur një banesë dhe vënë në rrezik jetën e familjarëve të saj. Banesa e Sali Gurrit në fshatin Belesovë të Komunës Lumas, u përmbyt nga vërshimi i përroit të zonës. Pesë familjarët e familjes, mes të cilëve një i moshuar dhe një vajzë me probleme të shëndetit mendor, kanë kaluar moment tmerri kur përroi vërshoi në mes të natës duke i përfshirë banesën.  Kryefamiljari Sali Gurri, banesa, e të cilit ndodhet në periferi të fshatit, shumë pranë përroit, apelon për ndihmë pasi ndihet i rrezikuar për jetën e familjarëve të tij sa herë që ka reshje shiu. Banorët shprehen se familja ka nevojë për ndihmë pasi është një nga familjet me probleme më të mprehta sociale në të gjithë zonën. Kryetari i komunës Luams, Zarif Salaj, i bën apel deputetëve të këtij qarku, Emergjencave Civile, institucionit të Prefektit të Qarkut, që të ndihmojë në këtë rast. Kryekomunari pohon më tej se i gjithë fshati ndodhet në vështirësi si pasojë e mungesës së infrastrukturës, pasi vetëm 11 kilometra rrugë lidhin fshatin me komunën ndodhen në gjendej.

SITUATA NË KORÇË

Reshjet e shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar problemet e para. Kështu, si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve janë përmbytur 35 familje në fshatin Çiflig të Korçës. Mësohet se, shkak i përmbytjeve është impianti i ujërave të zeza, e cila nuk funksionon. Niveli i ujit në këto zona ka shkuan nga 50cm-1 metër.  Ndërkohë, mësohet se në banesat e përmbytura janë shkaktuar dëme të shumta materiale. Sipas banorëve të fshatit Çiflig, kjo nuk është hera e parë që janë përmbytur. Megjithë bërjen prezent disa herë gjatë viteve të fundit, asnjë masë nuk është marrë për investime të qëndrueshme për parandalimin e situatave të vështira nga përmbytjet.