Deputetët e PS: Paguajmë sigurime shëndetësore, jo taksa të reja për urgjencën

568
Sigal

 Bie propozimi i Beqjas. Komisioni i Ekonomisë rrëzon dy taksat e reja; 1 mijë lekë për makinat, 50 lekë për kartat SIM

Rrëzohet propozimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Financave për vendosjen e dy taksave të reja, 1 mijë lekë për automjetet dhe 50 leke për çdo kartë telefoni SIM për urgjencat mjekësore. Ishin pikërisht deputetët socialistë në Komisionin e Ekonomisë, të cilët kanë rrëzuar këtë propozim. Sipas tyre, qytetarët për të përfituar nga ky shërbim paguajnë sigurime shëndetësore dhe nuk duhet të ngarkohen me taksa shtesë. I pranishëm në komisionin, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj deklaroi se qeveria do të japë me koncesion edhe disa shërbime në shëndetësi, me qëllim rritjen e cilësisë, por që, sipas tij, qytetarët nuk do të paguajnë tarifa shtesë. Komisioni i Ekonomisë miratoi vetëm me votat e maxhorancës, pasi opozita nuk ishte e pranishme, projektligjin për “Për taksat kombëtare”, duke rrëzuar nenet që shtonin dy taksat e reja. Fjala e fundit tani i takon seancës plenare.

PROPOZIMI

Sipas draftit të paraqitur nga Ministria e Financave, në ligjin për Taksat Kombëtare bëhen dy ndryshime. Së pari, do të vendoset një tarifë e re për shërbimin e urgjencës mjekësore, e cila paguhet në masën 50 lekë në vit për çdo kartë telefonike SIM të përdorur. “Operatorët e licencuar të komunikimeve elektronike për telefoninë celulare, duhet të vjelin tarifën nga çdo person, i cili ka një numër të regjistruar në emrin e tij, në momentin e kryerjes së pagesës së shërbimit telefonik nga ana e abonentit. Për numrat në përdorim me parapagesë, kjo tarifë parapaguhet nga ana e operatorit telefonik që mbulon shërbimin”, theksohet ne projektligj.

Taksa e dytë do të paguhet nga të gjithë ata që kanë një automjet. Ajo është në masën 1 mijë lekë në vit për çdo autoveturë, si dhe 1500 lekë në vit për automjetet e tjera me gjatësi aksi, numër vendesh dhe tonazh më të madh. Edhe te ardhurat nga kjo takse, do te shkojnë për urgjencën mjekësore. “Kjo pagesë është e detyrueshme të bëhet së bashku me pagesën e taksës së qarkullimit. Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj tarife brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25 për qind për çdo vit”, theksohet ne projektligjin e Ministrisë së Financave. Shtimi i këtyre dy taksave të reja u rrëzua dje në komisionin e Ekonomisë.

Tritan Shehu: Rrëzohet projektligji për taksat e fshehura për shëndetësinë

 Maxhoranca parlamentare bëri një “punë të mirë” në Komisionin e Ekonomisë.

Rrëzohet ProjektLigji i Qeverisë për taksat e reja të fshehura për shëndetësinë.

Rrëzohen në Komision, me të drejtë, taksat për Urgjencën Mjekësore, nëpërmjet taksave të makinave e telefonisë. Komisioni i kujton Qeverisë se qytetarët paguajnë kontributet direkte. A e di Komisioni që kjo e vërtetë do të thotë Sistem Sigurimesh?

Sistemi i sigurimeve është shpallur “heretik” nga Kryeministri! Ndoshta, Maxhoranca po “del nga spekulimet” elektorale tashmë?! Le të shpresojmë për një reflektim të saj!

Për një kthim e zhvillim të sistemit të suksesshëm sigurativ. Urime, më mirë vonë se kurrë!