Depot e Rezervave të Shtetit po shërbejnë si punishte, hangar e laboratorë droge! Kush ua ka dhënë trafikantëve?!

574
Vjollca KUTA
– Shumë magazina të dhëna me qira me 1 euro për biznese ligjore, ka dyshime e informacione se përdoren si “qendra droge” 
Mund të konsiderohet veprimtari jashtë kontrollit, kur zbulohet një banesë, tarracë, kasolle apo stan bagëtish që shërben si magazinë apo serë kultivimi droge. Por nuk mund të quhet as rastësi e as mungesë informacioni dhe padijeni, fakti që droga kultivohet, magazinohet, përpunohet e paketohet nëpër depot e Rezervave të Shtetit! Ditët e fundit, nën drejtimin dhe monitorimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, brenda depove të Rezervave të Shtetit, janë zbuluar e kapur sasi të mëdha droge të gatshme për treg, janë kaluar laboratorë, qese, çanta e thasë me farë, sera me energji elektrike e aspirim dhe mijëra rrënjë fidanë kanabis, të mbjellë në kubikë, si “farishte” e gatshme për të furnizuar “fermerët” me fidanë për mbjelljet e këtij viti. Kujtojmë e saktësojmë, se këto depo ligjërisht janë “Objekte të Rëndësisë së Veçantë” të pajisur me Statusin “Zonë ushtarake”, madje si ët tilla janë edhe të rrethuara me mure të lartë, me gardhe me tela me gjemba dhe që ruhen me polici private ose me roje të punësuar prej Drejtorisë së Rezervave të Shtetit, të cilët paguhen nga taksat e shqiptarëve, nëpërmjet tenderëve që shpall dhe organizon Ministria e Brendshme! shtohen disa pyetje, që mendojmë se duhet të jenë indicie për ministrin Fatmir Xhafaj që të “zgjoj nga gjumi” e të hedh në veprim shërbimin e Antikrimit Ekonomik Financiar” dhe për më tepër të aktivizoj prokurorinë për hetime, që kanë lidhje me realitetin e (keq)përdorjes së këtyre depove shtetërore me status “zonë e objekte ushtarake”, që i ka nën administrim Ministria e Brendshme dhe që jepen me qira vetëm me Vendim të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të bërë nga Ministri i Brendshëm, që pas dhënies me qira, mbahen nën kontroll prej kësaj ministrie nëpërmjet shërbimit policor zonal, nëpërmjet anti-krimit dhe prej kontrollit administrativ të Drejtorisë së Rezervave të Shtetit. si Autoritet Kontraktor. Shtohen disa pyetje: Kush i ka dhënë këto depo shtetërore me qira dhe me çfarë urdhri, procedure e kontrate? Nëse nuk janë dhënë me qira, përse janë lejuar prej Ministrisë së Brendshme, që të zaptohen e përdoren prej personave apo grupeve të pa autorizuar? Nëse ministria nuk ka pasur informacion për pushtimin e këtyre depove, përse kanë heshtur shërbimet policore zonale, sidomos inspektorët ish-komunave, ku këto depo gjenden? Cilët janë ata që i kanë zaptuar këto depo? A është e vërtetë, që në drejtoritë e policive rajonale jo vetëm në Përmet, Skrapar e Burrel, por edhe në policitë e Librazhdit, Gjirokastrës, Pukës, Shkodrës, Fierit, Korçës, Vlorës, Dibrës dhe të zonave të tjera, ka pasur denoncime që në disa nga këto depo rezervash ushtrohej lirshëm aktivitet grumbullim-përpunimi droge e janë lënë në heshtje prej drejtuesve rajonal, me porosi të ish-ministrit Tahiri? A është e vërtetë, që edhe në shumë tunele ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes apo ish-vendstrehime sigurie që administrohen prej Emergjencave Civile (Ministrisë së Brendshme), të cilët janë dhënë me qira për biznese e shërbime ligjore, ka dyshime dhe informacione se përdoren si “qendra droge”? 
Sigal