Denoncim i KSSH për Sigurinë në Punë

690
Në kuadër të 28 prillit Ditës Botërore të Shëndetit dhe Sigurisë në Punë, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë shpreh shqetësimin, se vendi ynë përballet me probleme serioze në këtë drejtim. 
 
Përfitoj nga rasti t’i kujtoj kryeministrit Rama, se përpara se t’u tregojë biznesmenëve të huaj përralla që këtu nuk ka sindikata, t’i tregojë atyre të vërtetën, që këtu shteti nuk është i zoti të mbrojë të drejtat themelore të qytetarëve të tij e, lëre pastaj pasuritë e biznesmenëve të huaj. Industria, Arsimi, Shëndetësia, Ndërtimi, Bujqësia etj., vijojnë të përballën me probleme serioze për sa i përket kushteve të sigurisë teknike në punë. Inspektorati Shtetëror i Punës është kthyer në një çerdhe militantësh dhe qokash dhe, për pasojë, në një vatër korrupsioni, pasojat e së cilit janë të rënda. Mjafton një kafe për inspektorin dhe për shefin e çdo problem zgjidhet. E njëjta panoramë është në shumicën e institucioneve publike, duke nisur nga ato qendrore deri tek ato lokale, të cilat në mënyre direkte apo indirekte ushtrojnë një presion dhe dhunë psikologjike ndaj të punësuarve, duke rënduar ndjeshëm stresin dhe gjendjen e tyre shpirtërore. Pak ditë më parë për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë teknike në punë 2 minatorë kanë ndërruar jetë brenda 48 orëve në qarkun e Dibrës dhe instancat shtetërore heshtën, pasi pronarët e minierave që i kanë kthyer në galeri vdekjeje mbrohen nga deputetet e Kuvendit të Shqipërisë. Çdo ditë në minierat e vendit ndodhin incidente për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë teknike dhe përgjegjësinë gjithmonë e marrin viktimat. Konfederata e Sindikatave i bën thirrje qeverisë të kthejë sytë nga minatorët dhe të punojmë për të parandaluar humbjen e jetëve e jo vetëm të mbajë statistika. Kujtojmë dhe kërkojë me insistim që statusi i minatorit, i cili ende nuk është miratuar, të miratohet sa më shpejt. Biznesi fason vijon të mbetet një njollë e zezë, sa i përket mosplotësimit të kushteve të sigurisë teknike në punë. Janë të pafundme rastet e abuzimit me orarin, pagat e ulëta, nuk respektohet paga minimale, nuk u paguhen sigurimet, të dielën mbahen në punë, nuk kryhen vizitat mjekësore periodike dhe punojnë në kushte të kufizuara ajrimi dhe ndriçimi. LSI në pushtet ishte promotorja më e madhe e biznesit fason edhe sot që është në opozitë ka zgjedhur të heshtë për problemet në këtë sektor, që ka qindra të punësuar. Më problemin e mospagesës së siguracioneve përballen edhe ata punonjës që punojnë në call -center. Pronarët e këtyre kompanive shpesh herë janë aventurier që shkelin mbi djersën e të rinjve shqiptar, teksa krahu i tyre i punës është i lirë në raport me vendet e rajonit. Arsimi në vendin tonë sot është në ditët më të vështira, roli i drejtuesve të arsimit në rrethe është barazuar me teserën e partisë. Mësuesve i kërkohet ryshfet për një vend pune dhe nuk u firmoset kontrata kolektive me KSSH-në për ti mbajtur nën presion. Transporti i mësuesve dhe nxënësve vijon në informalitet të plotë, kryesisht në zonat malore dhe rurale, ku mjetet e transportit nuk plotësojnë asnjë kusht të sigurisë teknike. Nuk kanë munguar edhe incidentet. Siguria në shkolla është në nivelet minimale, rojeve dhe Sanitareve nuk u paguhen sigurimet. Kjo është shkelje flagrante e ligjit. Ndërtimi Sektori i ndërtimit përballet me probleme te theksuara sa i përket kushteve të sigurisë teknike ne punë. Kompanitë që ndërtojnë pallate, HEC-e rrugë nuk kanë shlyer detyrimet ndaj punëtorëve, nuk paguajnë sigurimet e në shumë raste kushtet e sigurisë teknike janë minimale. Jeta e punonjësve është e shfaqur ndaj rriskut të lartë për humbje jete. Policia. Në emër të Konfederatës së Sindikatave i bëj apel ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Qeverisë Shqiptare, që procesi i vettingut në polici të zgjatet e t’u jepet efektivëve më shumë kohë, pasi ligji i miratuar ishte i nxituar në përcaktimin e afateve kohore për vetëdeklarim dhe grumbullim të dhënash. Mundësisht duhet thjeshtuar formulari duke iu dhënë mundësi reale për grumbullimin e informacionit personal, në mënyrë korrekte dhe të mundshme praktikisht për çdo punonjës policie.
Sigal