Dënohet me 108 vite burg në Greqi, shqiptari me 15 emra gjen kleçkën dhe fiton lirinë

192
Shtypi grek ka trajtuar lirimin e parakohshëm nga burgu të një shqiptari, që sipas tyre ka ndodhur për faj të ligjit aktual të quajtur “Paraskevopoulos”.

Bëhet fjalë për një 36-vjeçar shqiptar me 15 emra, i cili u arrestua në Shkurt të vitit 2008. Ai u dënua nga Gjykata greke me 108.5 vite burg për disa akuza, atë të krijimit të një organizate kriminale, vrasje, vjedhje në bashkëpunim e armëmbajtje pa leje. Megjithatë, ai u lirua nga qelia vetëm pas 8 vite e gjysmë.

“Protothema” shkruan se shqiptari ka përfituar nga ligji famëkeq “Paraskevopoulos”, i cili i lejon të dënuarit që të aplikojnë për azil dhe në këtë mënyrë as nuk dëbohen nga vendi. Gjithashtu, ky ligj ka reduktuar dënimin e detyrueshëm të vuajtjes së dënimit, nga 3/5 në 2/5. Sipas informacioneve të “Protothema”, shqiptari u lirua me kusht në Nëntor të vitit 2016 pasi iu llogaritën edhe 413 ditët e punës vullnetare.

Tashmë ai banon në Greqi dhe është në pritje të shqyrtimit të aplikimit të tij për azil. Më tepër se lirimi para kohe nga qelia i të burgosurit shqiptar, “Protothema” në fakt ngre alarmin e ligjit grek që u jep mundësi të dënuarve të dalin para kohe nga qelia. SIkurse shkruan e përditshmja greke, lirimi i shqiptarit, emrin e të cilit ka zgjedhur mos ta publikojë, është vetëm një nga disa rastet.