Dënohen dy avokatë, u “vodhën” 120 milionë lekë disa klientëve

551
Dy avokatë janë dënuar nga Gjykata e Tiranës me akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda, pasi u kanë vjedhur 120 milionë lekë disa klientëve, të cilët i përfitonin si dëmshpërblim pas një aksidenti. Bledar P. dhe Elton D., janë dënuar me nga 6 vite e 8 muaj burg secili. Sipas vendimit që disponin Shqip dy të pandehurit në kohën e ndodhjes së faktit penal kanë qenë avokatë në Tiranë. Më datë 12 mars 2014, shtetasja Vilma Q., nga Fieri, është paraqitur në polici për të bërë një kallëzim. Ajo ka caktuar nëpërmjet një prokure të posaçme si përfaqësues dy të pandehur me qëllim për ta përfaqësuar atë si palë të dëmtuar nga një aksident automobilistik i ndodhur në Rrugën Durrës-Kavajë në datë 7 shkurt 2012. Sipas prokurës, Vilma u jepte të drejtë të pandehurve të përfaqësonin çështjen deri në tërheqjen e shumave të caktuara si dëmshpërblim. Konstatohet se më 7 shkurt 2012 ka ndodhur një aksident rrugor ku janë përplasur dy automjete dhe konkretisht mjeti autoveturë me targa greke ZMN8072 me mjetin tip Volkswagen -Sharon me targa AA 247 BA, ku për pasojë janë dëmtuar Vilma Q., Leonard B. drejtues i mjetit dhe Esmeralda B., bashkëshortja e drejtuesit të mjetit, të tre nga Fieri.
Mësohet se dy avokatët, kanë negociuar me një shoqëri greke të sigurimeve që kishte detyrimin e dëmshpërblimit të pasojave të ardhura nga aksidenti i autoveturës greke me targa AA ZMN 8072. Në përfundim, palët kanë arritur një zgjidhje jashtëgjyqësore duke përcaktuar dëmshpërblimet pasurore dhe shëndetësore. Palët kanë rënë dakord për shumat e afruara nga kompania e sigurimeve që shtetasja Vilma Q. Të përfitonte 6.500.000 lekë të reja, Esmeralda B. 1.000.000 lekë dhe Leonard B. 4.500.000 lekë. Dy avokatët kanë tërhequr më datë 8 janar 2013 shumën prej 12 milionë lekësh të reja. “Ndonëse shumat e mësipërme janë tërhequr prej të pandehurve në emër dhe për llogari të shtetasve të dëmtuar nga aksidenti i përshkruar me sipër, ato shuma jo vetëm që nuk iu kthyen personave që u përkisnin, por madje ata as u vunë në dijeni për kalimin në favor të tyre të shumave të sipërcituara. E ndodhur në pozitat e mirëbesimit, si edhe e dëmtuar materialisht dhe e ndier e mashtruar njëkohësisht nga veprimet e të pandehurve, Vilma Q. ka filluar ndjekjen e rrugës ligjore në kërkim të të drejtave të saj”, thuhet në vendim.
Ajo i është drejtuar edhe Komitetit Disiplinor të Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë, i cili në mbledhjen e tij të datës 12 maj 2014 ka marrë vendimin duke e cilësuar rastin si një shkelje flagrante në drejtim të ushtrimit të profesionit dhe vendosi heqjen e të drejtës së ushtrimit të profesionit të dy avokatëve në fjalë. Vilma Q., i është drejtuar edhe Gjykatës Civile për t’i kthyer shumën, kërkesë e cila është pranuar nga shkalla e parë.
Në gjykatë, të pandehurit nuk e pranuan akuzën dhe kërkuan pafajësi. Bledar P. Duke u shprehur për sa më sipër ai solli në vëmendje të gjykatës faktin se rasti në fjalë duhet të trajtohet si një konflikt civil, pasi në veprimet e tij nuk ekzistojnë elemente të mashtrimit dhe se moskthimi i shumës së të dëmtuarve lidhet me pretendimin e tij të mbajtjes së pagesës se honorarit si avokat që sipas tij në marrëveshje verbale me palët ka qenë 35% e shumës prej 12.000.000 lekë. Ai tha se ka kaluar në llogarinë e Vilmës rreth 4 milionë lekë. Ndërkohë, mbrojtja e Elton D., që ka ikur në SHBA në nëntor 2013, ka pretenduar se i pandehuri e ka tërhequr shumën, por çështja është civile dhe jo penale.
Në fund, gjykata tha se për caktimin e llojit dhe të masës së dënimit, duhet të mbahet parasysh rrezikshmëria shoqërore e veprës penale e kryer nga të pandehurit si edhe raportet shoqërore që ajo cenon në mbrojtje të pronës dhe pasurisë së shtetasve. Po kështu, gjykata evidenton edhe rrezikshmërinë e të pandehurve, veçanërisht në mënyrën e kryerjes së veprës me dashje të drejtpërdrejtë, si edhe nëpërmjet përdorimit të gënjeshtrës, mashtrimit dhe fiktivitetit gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Ata u dënuan secili nga 6 vjet e 8 muaj burg.
Sigal