Dëmtohet rruga “Egnatia” nga kërkuesit e thesareve

499

LIBRAZHD/ Flet për “Telegraf”, historiani Shaban Gjura: “Nuk ka ar të fshehur në këto zona, po dëmtohen monumentet”

Rruga “Egnatia” dhe fshati Sopot vazhdojnë të dëmtohen, madje të jenë një nga më të “eksploruarat” nga njerëz të ndryshëm, të cilët kërkojnë ar, me pretendimin se në vende të ndryshme mundet të ketë të fshehura thesaret e prijësit të arianitëve, Gjorg Golemit. Gjëra të tilla janë parë vetëm në filma, por ja që po ndodhin edhe në Shqipëri. Por problemi shtohet pasi shumë shtëpi të banorëve, të cilët janë larguar në zonat fushore, janë prishur nga persona të ndryshëm, që kërkojnë florinj.

Zonat, ku gërmohet

Eksploruesit në kërkim të arit në Shqipëri po shtohen çdo ditë e më shumë dhe gjatë gjatësisë së rrugës “Egnatia” kanë filluar gërmimet. Janë nga më të ndryshmit qytetarë shqiptarë, që më shumë  rrinë në emigracion, kosovarë, maqedonas, turq madje, disa të veshur edhe nën petkun e turistit. Vetëm në javën e fundit janë bërë qindra gërmime e kërkime nga më të ndryshmet. Rrugët dhe vendet, ku kërkohen janë; Qafë Thana, Mokra, Qukësi, Xhyra, Miraka, Sopoti  e Polisi. Gërmimet më të shumta janë në Malin e Xhyrës, në Malin Plak, Malin e Polisit, Liqeri i Kuq, Kroi  Prift, Fush Bull etj., ku  grupe të caktuar njerëzish kanë kërkuar gjatë gjithë muajit të verës.

Banorët

Banorët e zonës tregojnë për “Telegraf” se grupet që kërkojnë kanë me vete dhe aparaturat nga më të ndryshmet. Një banor shprehet se, aty shkojnë  lloj- lloj makinash, por ai gjithashtu ankohet se po shkatërrohen shtëpitë, pasi eksploruesit janë të pamëshirshëm, pasi nuk po kursejnë as themelet e vjetra të shtëpive. Mundet të përmendim këtu edhe turqit, të cilët punonin në Qafë -Thanë, për  zgjerimin e rrugës, por edhe ata filluan të gërmonin në disa segmente të rrugës “Egnatia”.

Hartat

Shumica e personave që kërkojnë thesaret, sipas banorëve, janë me harta të vjetra në duar dhe fillojnë e gërmojnë natën dhe ditën, ndërkohë që kanë edhe aparatura kërkuese. Disa prej kërkueseve të arit shoqërohen dhe më banorë të zonës, ku pyesin për emra të vjetër, shpella dhe male.

Reagimi

Sipas historianit Shaban Gjura bëhet e ditur për “Telegraf”, se, diçka e tillë është e pamundur. “Unë e përjashtoj në mënyrë kategorike fshehjen e arit në të gjithë gjatësinë e rrugës “Egnatia”, madje nga këto gërmime po dëmtohen monumente, të cilat duhet të ruhen nga shteti.