Dëmtohet objekti arkeologjik Rotonda, çdo gjë e hekurt përfundon për skrap

645
Sigal

DURRËS/ Flet drejtori Edmond Agolli: “Nuk ka fonde për mirëmbajtjen e tyre, edhe muzeu rajonal ka 20 vjet pa riparim” 

Në një nga objektet më të vizitueshme të qytetit të Durrësit me gjithë se punonjësit e monumenteve përpiqen që ta mirëmbajnë, përsëri nuk është bërë e mundur që të ndalet dora e shkatërruesve. Vjedhësit e skrapit, pasi kanë vjedhur disa herë deri fragmente të gardhit rrethues që janë zëvendësuar më pas, fundi janë bërë mjaft agresivë sa kanë arritur që të vjedhin edhe tabelën, ku shkruhet se objekti është monument kulture dhe se ai mbrohet nga shteti. Ose me saktë kanë vjedhur hekurin, ku ishte montuar tabela e mermertë, ndërsa atë tabelën e kanë thyer dhe e kanë hedhur poshtë shkallëve të drunjta të hyrjes së vizitoreve në brendësi të objektit të lashtë. Në një foto të fiksuar që në vitin 2008, shquhen qartë konturet e saja si dhe shkrimi mbi të, gdhendur me germa kapitale të lara: “SHESH-TREGU (MACELLUM-FORUM) SHEK V-VI. MONUMENT KULTURE. MBROHET NGA SHTETI. Si përfundim tabela ka përfunduar e thërrmuar poshtë shkallëve ndërsa hekuri për skrap. Ndërkohë që në pjesën e murit anësor të objektit arkeologjik pas shirave të rëna, ka rrëshqitur një pjesë e dherave dhe gurëve dhe perspektivave rrëshqitjes duket që do të jetë mbizotëruese edhe në ditët e ardhshme, për shkak të strukturave të dobësuara të dherave…

OBJEKTI

Objekti arkeologjik Rotonda është një objekt mjaft i vizitueshëm në qytetin e Durrësit që ka hyrë pothuajse në të gjitha guidat turistike. Ky forum i njohur si forumi bizantin është një monument historik që daton rreth shekullit të V-VI-të. Në qendër të Rotondës ndodhet një pus si dhe një bazament prej disa shkallësh në forme rrethi. Ajo është pjesë e një kompleksi të gjerë ndërtimesh e zbukuruar me kolona mermeri dhe me dysheme të veshur me pllaka të mëdha mermeri. Studiuesit  H.Ulqini dhe I.Xaxa shkruajnë se në shkallët në qendër të Rotondës, duhet të ketë qenë një kolonë, ku dënoheshin debitorët, megjithëse sipas tyre, ka studiues që mendojnë se shkallët formonin bazamentin e një monumenti si dhe të tjerë që mendojnë se ajo ka qenë një baptiser. Dëmtimi i këtij objekti deri në shkatërrimin e tabelës është i ngjashëm me vjedhjen e bërë para 2 viteve të një tjetër objekti artistik në lulishten pranë murit të kalasë kur u grabit për skrap koka e monumentit të bronztë të skulptorit Sabri Tuçi. Mirëmbajtja dhe kujdesi ndaj objekteve arkeologjike të Durrësit lë shumë për të dëshiruar. Mungesat e shumta duken deri tek kujdesi brenda në muzetë e qytetit.

MUZEUT RAJONAL I MUNGOJNE FONDET

Muzeu rajonal “Aleksandër Moisiu” ka 20 vjet që në të nuk është bërë asnjë riparim. Deri fonde për lyerje nuk ka pasur. Drejtori Edmond Agolli, thotë lidhur me këtë fenomen se ndërtesa ekzistuese ka nevojë për riparime pasi ndërtesa është e vjetër dhe amortizohet tashmë çdo ditë. Kemi bërë kërkesa drejtuar degës së Monumenteve të Durrësit, të cilët i kanë përcjellë këto kërkesa Institutit në Tiranë. Po deri tashmë s’është bërë asgjë. Dhe pavarësisht nga kërkesat e bëra ndërtesa s’është lyer prej 20 viteve. Po të njëjtin projekt që i është dërguar Institutit të Monumenteve në Tiranë, gjetëm mirëkuptim me Bashkinë e qytetit dhe u përgatit materiali përkatës, por nuk u miratua nga të djathtët në Këshillin Bashkiak dhe kjo përpjekje dështoi. Investimi për ta riparuar ndërtesën muze “ Aleksandër Moisiu” mund të bëhej edhe me donator privatë, por nuk e lejonte ligji, pasi objekti është monument kulture dhe në të mund të ndërhyjë vetëm Instituti i Monumenteve duke garantuar dhe fondet dhe projektet. Kështu që problem i ndërhyrjeve restauruese ka mbetur pezull prej vitesh…

INVENTARI BRENDA NDERTESËS

-2 dhoma muze të “Aleksandër Moisiu”-t me materiale mbi jetën dhe veprimtarinë e tij.

-2 dhoma të Muzeut Etnografik me kostume popullore nga 70 deri në 100-vjeçare si dhe punime artizanale shumë shekullore.

-129 piktura italiane që i përkasin muzeut Ibrahim Kodra, të dhuruara nga piktorë italianë

-700 piktura të fondit të Galerisë së Arteve të Durrësit

PROBLEMET QË KA NDERTESA

-Janë plasaritur dhe çarë muret

-E palyer

-Oxhakët e çatisë rrjedhin ujë në kohë shiu

-Janë amortizuar dhe kalbëzuar dërrasat e tavanit dhe të dyshemesë

-Parmakët e shkallëve dhe kapakët me dru të punuar të dritareve nga që janë kalbëzuar janë hequr prej vitesh

-Preventivi i kërkuar për riparimin e ndërtesës 2 -katëshe, ku ndodhen dhe zyrat e dy drejtorive ka qenë vetëm 5 milionë lekë të vjetra.