Dëmtohen rrugët e reja në zonat turistike, problem në qarkullim

70

DURRËS- Rrugët e ndërtuara vitet e fundit, janë dëmtuar në mënyrë të ndjeshme. Janë kryesisht rrugë që të dërgojnë në plazhet për në sektorin “Rinia”, në Kallm dhe në atë të Shën Pjetrit, në Gjirin e Lalëzit. Këto zona kanë shumë frekuentues dhe pushues ditorë në kohë sezoni veror dhe nga qytetarë, të cilët udhëtojnë me dhjetëra kilometra për të pushuar në ditët e nxehta të verës. Rruga që kalon nga Sukthi për në Shën Pjetër dhe që administrohet nga Bashkia e Sukthit ka vetëm 2 vite e përfunduar si rikonstruksion duke hedhur edhe shtresën e asfaltit. Drejtues të mjeteve dhe banorë të fshatrave që përshkon kjo rrugë thanë për “Telegraf” se “që në kohën e zbatimit të projektit u shfaqën problemet e para dhe u krijua bindja se rruga nuk do të qëndronte gjatë. Ndonëse është rrugë me taban në projektin e rikonstruksionit të saj rruga u bë shumë e ngushtë aq sa nuk kishte asnjë mundësi këmbimi dy mjeteve, të cilat duhet të gjenin xhepa rruge për t’u ndërruar në kahet e tyre”. Nga Sukthi deri në bregdet është rreth 20 km, por nga Kulla deri në Shën Pjetër nuk mund të kalohet më as me furgonë. Përgjatë 7-8 km të fillimit kjo rrugë është dëmtuar, asfalti është çarë, janë hapur gropa të mëdha në mes të rrugës dhe ka rrëshqitje të shtresës drejt kanaleve të mëdha anësore. Problem nuk është tashmë mosfrekuentimi i rrugës nga qytetarët, por hallet dhe problemet e vetë banorëve. Urgjencat dhe transporti i të sëmurëve është bërë shumë shqetësues vetëm për shkak të rrugës. E vetmja mundësi për të shkuar në bregdetin e Shën Pjetrit është rruga e Maminasit që detyrohet të përballojë të gjithë fluksin e lëvizjes së mjeteve sidomos në ditët e shtuna e të diela. Thuajse në të njëjtën gjendje është edhe rruga për në sektorin “Rinia” apo për në Kallm. Me gropa të hapura muajt e fundit, inerte të hedhura në anë të saj, plehra që kundërmojnë erë shumë të rëndë. Në jo pak raste drejtuesit e mjeteve kanë bërë defekte të rënda në rrugë. Njësitë e qeverisjes vendore nuk kanë vënë dorë as para nisjes së sezonit të pushimeve verore. Plazhet në Shën Pjetër dhe Gjirin e Lalëzit kanë nisur të ngjallin interesim të madh tek pushuesit, të cilët lakmojnë të pushojnë në vende të qeta. Kryetarët e komunave të zonave bregdetare i bëjnë apel qeverisë dhe Kryeministrit Rama të caktojë urgjentisht një fond për DPRR me synim nisjen e riparimit të tyre, ndryshe sezoni veror 2014 nuk do të ketë pushues aq sa është parashikuar, po ashtu edhe të ardhura për bizneset familjare atje.