“Demokratura” shqiptare në sytë e një mërgimtari, sipas Eugjen Merlikës

711
Leonora Laçi 
Teksa lexoja librin e studiuesit Eugjen Merlika m’u kujtua një episod i rrëfyer nga studiuesja e krimeve të komunizmit ndaj femrave shqiptare, zonja Fatbardha Mulleti-Saraçi që kishte dalë në pritje të prof. Arshi Pipës në fillim të viteve ’90. Ajo më rrëfeu se kur erdhi në Shqipëri prof. Arshi Pipa ( i cili kishte bërë 10 vite burg në komunizëm e më pas ishte arratisur, po vinte me mall për vendlindje pas shumë dekadash) më të zbritur nga shkallët e avionit në Aeroportin e Rinasit, dha intervistë në media dhe tha këto fjalë, drejtuar popullit shqiptar: -“Nga një diktaturë e fortë nuk mund të ketë një demokraci të mirë. E ju po qeveriseni nga xhonturqit e rinj”. Kjo e vërtetë i dogji politikanëve shqiptarë dhe ndikoi në sjelljen e tyre ndaj prof. Pipës. Të vërteta të tilla janë kumte që qëndrojnë dhe sot, pas 27 vitesh demokraci, ndryshimet janë të pakta.

Edhe z. Merlika në këtë publicistik të sjellë përpara nesh është mjaft kritik ndaj qeverive shqiptare imituese të njëra-tjetrës, flamurtare të interesave për ngjitje në pushtet, artikujt përfshijnë harkun kohor 2004-2017, dhe na njehin me një tablo politike dhe këndvështrimin e tij mbi politikën shqiptare, ngjarje të caktuara, siç janë zgjedhjet e 3 korrikut 2005, zgjedhjet presidenciale…etj.

Ndonëse larg fizikisht, por i përfshirë tërësisht shpirtërisht në realitetin politik shqiptar. I gjendur matanë Adriatikut, një det që ndan dhe bashkon dy popuj, det që mban në thellësitë e tij ngjarje, triumfe e humbje, që ka përpirë njerëz e histori… Mergimtari z. Eugjen Merlika, madje është më i ftohtë se ne në gjykim, sepse e sheh politikën duke qenë i distancuar nga vorbulla e saj. Ndërsa ne jemi spektatorë të së përditshmes dhe nuk e dimë çfarë luhet pas perdeve, por dhe përtej “sallave” të teatrove të politikës shqiptare. Ai është realist, pak fare idealist, kërkon kohën e artë të atyre politikanëve shqiptarë që e donin atdheun dhe ndjenin përgjegjësi për fatet e tij, përpara kombit divergjencat mes njeri-tjetrit dilnin në plan të dytë. Koha e tyre duket se vonë do të vijë. Përgjatë periudhës 2004-2017 rrjedhin shumë ujëra të turbullta, papjekuria politike dhe interesat e ngushta janë alfa e omega e politikëbërjen në Shqipëri. Në këtë publicistikë disa nga shkrimet janë profetike, analiza të thukta pa ngjyrime emocionale, objektiv dhe pa i thurur elozhe. Këto shkrime na paraqesin një tablo të jetës politike kryesisht, të dështimeve e sukseseve të saj. Ku politika shqiptare shpesh paraqitet e zymtë, zgjedhjet apo zgjidhjet që politikanët shqiptarë kanë bërë shpesh kanë qenë të gabuara, dritëshkurtëra, kapërcimet nga njëri krah në tjetrin ngjajnë si krah të një trupi të vetëm që nuk ndryshojnë shumë, përbaltosje idealesh kombëtare, politikë e destinuar për të dështuar. Shqipëria politike nuk ka shumë për të na treguar këto vitet e fundit sidomos ajo e shek XXI që duket si shtojcë e gjysmë shekullit që lamë pas, një shtojcë e keqe si barërat e këqij. Vazhdojmë të shpresojmë në kapje peshqish, e sa më shumë flitet për ta aq më e pamundur duket. Studiuesi Merlika na shkruan për babëzinë shqiptare për pushtet, ku pushteti është bërë kryefjala e tyre, si një trofe i domosdoshëm, e për ta marr atë s’njohin as nënë as baba, babëzia për pushtet vazhdon, e bashkë me të vazhdon dhe rënia morale e shoqërisë, humbja e vlerave, besimit, ndershmërisë. Edhe termi “Evrope” nuk po na i ngroh më zemrat, sa më shumë bërtasin ata për integrim evropian aq më e largët duket ajo ditë, si të ishte vite drite larg. Integrimi nuk vjen vet, pa punë, pa konsensus politik, pa spastrime politike dhe pa ndërgjegjësim qytetar. Jemi në vitin 2018, jemi në një shekull të ri por me politikanë të vjetër, nga mendësia, mosha e vesi… Në këtë publicistikë autori thotë ca të vërteta që për disa janë të hidhura, si mërgimtar shqetësohet për gjendjen e atdheut, nuk e sheh të shkëputur atë nga vetja. Ajo që kuptojmë përmes këtyre artikujve është; papjekuria për të demokratizuar vendin i ka bërë vend djallëzisë për ta keqpërdorur demokracinë bashkë me ëndrrën evropiane të shqiptarëve. Ky botim është një copëz e historiografisë sonë të shekullit të ri.
Sigal