Demokratët e Librazhdit: Deputeti Çota të mos marrë pjesë në fushatë e takime

580
Sigal

FUSHATA ZGJEDHORE/ Gjatë prezantimit të kandidatit për deputet, Eduard Selami,  nisin kërkesat e para

Në ditën e prezantimit të kandidatit për deputeti, djalit të lindur dhe rritur në Librazhd, Eduard Selami, (prezantimi ishte planifikuar për t’u bërë te selia e PD-së Librazhd, por për shkak të pjesëmarrjes së madhe të simpatizantëve u bë në Qendrën Kulturore të Librazhdit, ku të pranishëm ishin mbi 500 vetë, sepse aq mbante salla), ku Arben Imami, kryetari i grupit të punës bëri prezantimin e kandidatit Selami ndodhi diçka e paparashikuar. Gjatë prezantimit ishte i pranishëm dhe deputeti Rrahim Çota, njeriu që zaptoi arsimin, njeriu i emërimeve, vetëm e vetëm që të pikonte shiu në arën e tij. Por në këtë takim u pa qartë, se ai ishte vetëm, askush nuk po i jepte dorën, përveç ndonjë servili  që i rrinte mbrapa. Në takim iu ngritën një numër i madh problemesh, Arben Imamit dhe kandidatit të ri Eduard Selami. Të pranishmit deklaruan se gjatë fushatës nuk e duan Rrahim Çotën. “Nëse do ta merrni me vete, ne nuk do të votojmë, sepse ai për interesat personale ka shkatërruar PD-në e Librazhdit”, thanë Bujar Çota, Bujar Vreto e shumë qytetarë të ndryshëm, të cilët deputeti i degdisi dhe i la pa punë, sepse nuk u “falën” tek ai. Madje në këtë takim sipas burimeve të besueshme konfidenciale brenda PD-së janë ngritur edhe mjaft probleme të tjera për grupin e punës së fushatës, për një numër  drejtorësh, të cilët kanë çuar PD-në e Librazhdit në këtë “derexhe”.

Falenderimi

Madje gjatë takimit njëri nga qytetarët ka shprehur falenderimin për Kryeministrin. “Falenderojmë Kryeministrin Berisha, i cili dëgjoi fjalën e qytetarëve të Librazhdit për masakrimin që i ka bërë ish-deputeti Çota këtij rrethi arsimdashës, ku Librazhdi ka nxjerrë vlera siç janë poetët e Bërzeshtës, Vilson Blloshmi e Genc Leka të pushkatuar nga regjimi komunist, Hajdar Blloshmi, personalitet i njohur.

Varfërimi i qytetit

Rrahim Çota në këto vite mbolli vetëm varfëri dhe emërim mësuesish të pashkolluar për të edukuar një brez të ri. Madje sipas banorëve të zonës së Hotolishtit që kanë punuar me deputetin thonë që në kohën e socializmit vinte vërdallë fshatrave me një motor “MZ” dhe asgjë nuk bënte, më pas u morr me shitjen e drurëve, ku edhe sot fshatarëve të zonës nuk ju ka dhënë paratë. A e ngriti njëherë zërin ky deputet në Parlament? Çfarë diskutimi ka bërë në interes të komunitetit dhe të atyre që i kanë dhënë votën?! Tenderat, ku u investuan, sepse vetëm në Librazhd nuk përfunduan?! Janë disa shkolla e kanale vaditëse që u kaluan lekët nga buxheti i shtetit për rehabilitimin e tyre dhe nuk shkuan në destinacion. Probleme këto, që pas zgjedhjeve duhet të marrin një zgjidhje dhe Çota e mori verdiktin, por votuesit kërkojnë që të mos duket në zonat e Librazhdit duke filluar që në Çermenikë, Qukës, Bërzeshtë, Përrenjas, Rrajcë e Polis. Madje kërkojnë që nesër të hidhet dritë mbi gjithçka, emërime në punë, punësime, investime.

Të emëruarve të deputetit  u shtohet ankthi

Demokratët kërkuan rikonfigurim të grupit të punës. Nga mosvendosja e emrit të Rrahim Çotës në listën e sigurt, ka bërë që të jenë në ankth të gjithë ata që janë emëruar në punë në mënyrë të padrejtë, me lekë nën dorë, pa mbaruar fakultetin, me diplomat e shkollës së mesme të blera, me nuse nipi e kushërinj të deputetit, ata që kanë përfituar tendera pa bërë punë e që kanë abuzuar me fondet e buxhetit të shtetit. Por në fund të këtyre viteve një gjë është e sigurt, që demokratët, qytetarët e thjeshtë ndjehen të lirë dhe të çliruar nga sindroma ”Rrahim Çota” që për katër vjet shkatërroi qytetarët e Librazhdit e u flaku në rrugë diplomat.