Dëmi në shtet 127.4 mln lekë, KLSH kallëzon ish-kryetarin e degës së doganës Berat

473
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht ish-kryetarin e degës doganore në Berat, dy doganierë dhe 3 specialistë në drejtorinë e Përgjithshme të Doganave pasi gjatë editimit janë vërejtur mangësi në zbatimin e legjislacionit doganor, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 127.4 mln lekë.
Personat të cilët janë kallëzuar janë për E.P. ish-Kryetar dhe dy doganierë A.H. dhe Dh.XH. të Degës Doganore Berat, si dhe për tre specialistë F.O., R.K. dhe E.P. në sektorin e kontrollit të regjimeve doganore në DPD.
KLSH sqaron se: Nga auditimi i kryer në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për periudhën e vitit 2014, në Drejtorinë e Kontrollit pas Zhdoganimit, u konstatuan të meta e mangësi në zbatimin e legjislacionit doganor, procedurave të zhdoganimit, mbikëqyrjes së regjimeve ekonomike si dhe nxjerrjes së vendimeve administrative, të cilat kanë sjellë si pasojë dëm ekonomik (detyrim doganor i munguar) në Buxhetin e Shtetit në shumën 127.4 milion lekë, (rreth 1 milion dollarë), të konstatuara në Degën Doganore Berat.
Mbi bazën e këtyre konstatimeve, KLSH, me shkresën Nr. 510/31, datë 04.12.2015 ka depozituar pranë organit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat kallëzimin penal për E.P. ish-Kryetar dhe dy doganierë A.H. dhe Dh.XH. të Degës Doganore Berat, si dhe për tre specialistë F.O., R.K. dhe E.P. në sektorin e kontrollit të regjimeve doganore në DPD, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Nga auditimi u konstatua se për një subjekt privat që operon nën Regjimin e Përpunimit Aktiv (RPA), i autorizuar për prodhimin e çantave të letrës dhe të plastikës, nën këtë regjim ka rieksportuar çanta letre Exp 3 – procedurë 3151, ku kanë rezultuar mbetje teknologjike të cilat i janë zhdoganuar me Imp 9 – procedurë 9351, ndersa nën këtë autorizim me Deklaratat Doganore IMP 4 (Hedhja e mallrave ne qarkullim te lire), subjekti ka zhdoganuar me procedurë 4051, 1- “çanta letre, lidhëse, kuti kartoni dhe përforcues kartoni”, me një vlerë totale 49,961 euro, ndërkohë që në hyrje artikujt janë pranuar nga autoriteti doganor Berat me vlerë më të lartë. Nga ana e autoritetit doganor janë pranuar vlerat e mësipërme si dhe është përpunuar DAV-i pa qenë fizikisht malli në doganë në sasinë me peshë 1,608,660 kg, ndonëse ky subjekt operon në RPA, dhe në DAV-et IMP5 me procedurë 5100 të Autorizimit të RPA. Po ashtu, nga ana e autoritetit doganor nuk është llogaritur interesi kompensues i detyrimit doganor.
Duke u ndodhur në kushtet e neneve 112; 141;142;143/ii, të ligjit nr. 8449, datë 27.01.1999 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të neneve 287; 289; 293; 295;296; 299/3, të Dispozitave Zbatuese të Kodit Doganor, autoriteti doganor duhet të aplikonte vlerat: çanta letre me çmim 647.97 lek/kg; lidhëse me çmim 140.32 lek/kg; kuti kartoni me çmim 122.09 lek/kg dhe përforcues kartoni me çmim 76.79 lek/kg.
Efekti financiar me pasojë dëm ekonomik në Buxhetin e Shtetit është 127,356,379 lekë (njëqin e njëzet e shtatë milionë e treqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e shtatëdhjetë e nëntë leke ose rreth 1 milion dollarë) (detyrim doganor i munguar, plus interesi kompensues).
Gjithashtu, nga auditimi në fushën e prokurimeve në DPD, u konstatuan të meta dhe mangësi, konkretisht në tenderat “Blerje Uniforma Doganore”, “Blerje Biçikletash” si dhe “Riparim i skanerit Mobil THSCAN me rreze X”, të cilat konsistojnë në prokurime të panevojshme, apo edhe në mospërdorim me eficencë dhe ekonomicitet të fondeve në dispozicion të DPD për investime duke shkaktuar një dëm rreth 5 milionë lekë. Mbi bazën e këtyre konstatimeve KLSH me shkresën dhe numër 510/30 dhe datë 04.12.2015 ka depozituar pranë organit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë indicie (të dhëna) për hetime të mëtejshme penale për ish-zv. Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Nga auditimi i procedurave të prokurimit u konstatuan të meta dhe mangësi në shkelje të dispozitave ligjore dhe nënligjore për prokurimin publik, e kryesisht në tenderat me objekt:
– “Blerje Uniforma Doganore” është kërkuar dhe përzgjedhur procedura me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, në kushtet kur nuk ka një ngjarje të paparashikueshme nga ana e Autoritetit Kontraktor, si dhe duke mos qenë në kushtet e emergjencës. Duke ju referuar rregullave të prokurimit publik, neni 32 pika 2/c të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, ky rast nuk përmbush asnjë nga kushtet dhe rrethanat e përdorimit të kësaj procedure, të përcaktuara në dispozitat ligjore për prokurimin publik.
– “Blerje Biçikleta”, Urdhri i brendshëm për ngritjen dhe përbërjen e KVO, është firmosur nga i njëjti person, që në cilësinë e kryetarit të autoritetit kontraktor (në mungesë), ka urdhëruar veten për të qenë kryetar i KVO, pra njëherazi dy funksione, veprime këto në kundërshtim me kreun VI, pika 1 shkronja a të VKM nr. 1, datë 10.1.2007 “Për rregullat e prokurimit publik”. Në cilësinë e titullarit të Autoritetit Kontraktor, ka urdhëruar kryerjen e prokurimit, në kushtet kur shpenzimet janë të pa justifikuara ligjërisht dhe pa efektivitet në raport me rezultatet përfundimtare dhe objektivat e vendosura. Ky lloj produkti nuk mund të shërbejë në asnjë nga departamentet, drejtori apo degë doganore, pasi nuk lidhet drejtpërdrejt dhe nuk gjen zbatim me rregullat e detyrat funksionale të tyre.
Ky produkt i prokuruar nuk i shërbeu asnjëherë qëllimit të tij dhe aktualisht i ka kaluar Ministrisë së Brendshme, duke vërtetuar mungesën e efektivitetit, eficiencës dhe ekonomicitetit të tij, ndërkohë që kjo para publike mund të ishte përdorur në nevoja më të rëndësishme që ka DPD. 
– “Riparimi i skanerit Mobil THSCAN me rreze X”, komisioni i vlerësimit të ofertave ka kualifikuar ofertën, e cila nuk është në përputhje me specifikimet teknike të kërkuara, veprime në kundërshtim me kreun V, nenin 53, pika 1, pika 5 germa c, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”.
Me vendimin nr. 136, datë 30.09.2015 Kryetari i KLSH-së me qëllim përmirësimin e punës në të ardhmen ka rekomanduar marrjen e 11 masave organizative me vlerë 9,232,235 lekë, 11 masa shpërblim dëmi me vlerë 152,405,100 lekë, marrjen e masave disiplinore për 8 punonjës të DPD-së nga “mbajtja deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë deri në gjashtë muaj” deri në “largim nga shërbimi civil”si dhe i është kërkuar titullarit të Agjencisë së Prokurimit Publik të vlerësojë shkeljet e konstatuara në procedurat e prokurimit të audituara duke vendosur gjobë për 10 persona.
Sigal