Dëm ekonomik prej 30 milionë lekësh, KLSH kallëzim penal në prokurori për Hortograf të ZVRPP Librazhd

538
KLSH kallëzon në prokurori, 2 ish regjistrues, 1 specialist/jurist dhe 1 specialist/hartograf të ZVRPP Librazhd

Dëmi ekonomik i shkaktuar është në vlerën 30.08 milionë lekë në regjistrimin e tokave të shitura nën çmimin e tregut dhe jashtë kompetencave ligjore, dhe të ardhura të munguara në vlerën 26.6 milion lekë. 

Janë regjistruar:
• prona me diferenca prej 825546 m2 nga VKM; 
• prona në përdorim në kundërshtim me ligjin për sipërfaqe, 4341057 m2 “Pyll” dhe 58700 m2 “Rrugë”; 
• posedim të 44 pasurive me sipërfaqe 52051 m2 pa njoftuar organet kompetente, duke kthyer në disa raste dhe zërin kadastral “Shkëmb”në “Pemëtore”; 
• janë kryer regjistrime, duke i tjetërsuar në kundërshtim me ligjin tek persona privatë nga forma “shtet”, një sipërfaqe trualli prej 14833 m2. 
Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 1329/2, datë 30.12.2016, ka përfunduar auditimin në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Librazhd, me objekt:“Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare për vitin 2014-2016”.

Me Vendimin nr. 44, datë 30.04.2017 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe për përmirësimin e gjendjes, me shkresën nr. 1329/7 datë 30.04.2017, i janë rekomanduar Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Librazhd, masa me karakter organizativ, teknik(kufizimin e pasurive të trajtuar në këtë auditim me qëllim parandalimin e veprimeve të kundraligjshme) dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën 30,087 mijë lekë.

Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish të dispozitave ligjore në fuqi, duke cënuar interesin publik e që konsistojnë në regjistrime e tjetërsime të pronave nga shteti në persona privatë në mënyrë të paligjshme, për të cilat KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Elbasan për : F. A, me detyrë ish-Regjistrues, R. L, me detyrë ish-Regjistrues, A. K, me detyrë ish-Specialist, Jurist dhe S.T, me detyrë ish-Specialist, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal, për shkeljet:

– Në 5 raste në ZK 2446, ka bërë regjistrimin e pasurisë në mungesë të procesverbalit të dorëzimit të pronës (piketimi i truallit) së komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave ish-pronarëve të Bashkisë Librazhd, veprim në papajtueshmëri me pikën 9.2 e 9.4 kreu IV, të Rregullores nr. 184, datë 08.04.1999 “Për punën e zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar. 

-Kanë regjistruar pasurinë nr. 533 të përfituara sipas VKM nr. 804, datë 04.06.2008 më pak një sipërfaqe prej 470.000 m2 pyll, diferencë që vjen si rezultat i mospërputhjes së sipërfaqes të miratuar me VKM, e cila është 50.50 ha konvertuar në m2 është 505.000 m2 dhe sipërfaqes së hedhur në (KPP) e cila është 35.000 m2 konvertuar në hektar 3.5 ha për këto veprime nuk administrohet dokument që të argumentojë shkaqet e këtyre diferencave. Në 2 raste, në ZK 2446, ka regjistruar një sipërfaqe prej 136 m2 me ndryshime të zërit kadastral, nga “Hekurudhë” në “Truall”, pa miratim nga organet kompetente dhe regjistruar leje ndërtimi për objekte me largësi 15m nga linja hekurudhore, pa u marrë miratimi nga DP e Hekurudhave.- Në 12 raste për 12 subjekte, në ZK 2446, kanë regjistruar pasuri të përfituara nga privatizimi i banesave me një sipërfaqe “Truall” sipërfaqe 799.8 m2 dhe “Ndërtesë” sipërfaqe 690.60 m2 , në kundërshtim me ligjin nr. 9232, datë 13.05.2004, të ndryshuar. Nga rillogaritja e çmimit te shitjes truallit dhe kostos ndërtimit sipas EKB, rezultoi një detyrim i mbetur prej 26,596 mijë lekë e ardhur e munguar, i pa llogaritur dhe i pa arkëtuar. Në 12 raste, në ZK 2446 “Librazhd”, ka regjistruar sipërfaqen prej 2093 m2 “Truall” me kontratë shitje nga Këshilli i Rrethit Librazhd dhe Bashkia Librazhd, në kundërshtim me ligjin nr. 7980, datë 27.7.1995 “Për shitblerjen e trojeve”, me një diferencë prej 4,396 mijë lekë dëm ekonomik dhe kanë regjistruar 2 pasuri “Njësi”, të përfituara nga privatizimi, në mungesë të kontratës së marrëdhënieve me truallin (kontrata e qerasë). Në 2 raste, në ZK 3843 dhe ZK 2200, kanë regjistruar pasuri në përdorim, sipas kontratave koncesionare, “Pyll” me sipërfaqe 4341 057 m2, “Arë” sipërfaqe 293 m2, “Rrugë” sipërfaqe 58700 m2 dhe nuk rezulton të ketë marrëveshje për sipërfaqet e dhëna ne përdorim, llojin e tyre, etj. Në 5 raste, në ZK 3725, ka regjistruar pasuri të përfituara me leje legalizimi, “Zallishte” me sipërfaqe 293.4 m2, në buzë të lumit Shkumbin. Vërtetimi për likuidimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë, është lëshuar nga njësitë vendore përkatëse në një vlerë prej 131 mijë lekë dëm ekonomik dhe pa miratim me VKM të parcelës ndërtimore. Në 11 raste, ka kryer regjistrimin e pasurive të pa luajtshme që rrjedhin nga kontratat e privatizimit me sipërfaqe 1727 m2, objekti i këtyre kontratave është i pa mundshëm dhe i pa ligjshëm, pasi Bashkia në këtë rast, nuk është pronare e këtyre pasurive KLSH, duke i konsideruar të paligjshme veprimet e kryera nga drejtuesit dhe specialistët e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Librazhd, konkretisht, F.A, me detyrë ish-Regjistrues, R.L, me detyrë ish-Regjistrues, A.K, ish-Specialist/Jurist dhe S.T, me detyrë ish-Specialist, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të ligjit nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe akteve të tjera nënligjore dalë në zbatim të tij, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre duke i përcjellë me shkresën nr. 1329/10, datë 02.05.2017, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Elbasan, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm ekonomik në vlerën 30,087 mijë lekë dhe shkelje të ligjit në regjistrimet e paligjshme të pronave, tjetërsimin e tyre në kundërshtim me ligjin, etj., për pasojë kanë konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal. duke dërguar të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse. 
Sigal