Delvina bën ‘Qytetar Nderi’ këngëtarin Shaban Zeneli

786
Sigal

Mes një koncerti me këngë popullore dhe një atmosfere festive dhe emocionuese, është zhvilluar në qytetin e Delvinës ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Delvinës” këngëtarit popullor, Shaban Zeneli, propozuar nga krye bashkiaku i Delvinës Dhurim Alinani dhe kreu u degës së PDIU për Delvinën Ilir Mehmeti. Pallati i kulturës së Delvinës ka ushtuar nga kënga dhe vallja duke shtrirë entuziazmin gjeografikisht  që nga Fieri, Skrapari e matanë kufijve të Shqipërisë. Pjesëmarrësit kanë qenë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Delvinë. Pasi është ndjekur një videoklip për trevën e Çamërisë, ku në qendër ka qenë dhimbja e bijve të sajë, ku njëri prej tyre është edhe Shaban Zeneli, me tingujt vajtues të telave të violinës erdhi e gjallë tragjedia dhe dhimbja e shkaktuar nga terrori, martirizimi dhe gjenocidi i çamëve prej forcave monarko-fashiste të Zervës. Mall dhe lot, por edhe krenari dhe betim se po afron dita që Çamëria të jetë zonja e bijve të sajë. Pas fjalëve të Ilir Mehmetit- kreu u PDIU për Delvinën, Kryebashkiakut Dhurim Alinani, kreut të Këshillit Bashkiak  Dhimitraq Janku, deputetëve të PDIU Dashamir Tahiri dhe Omer Mamo, ku u nënvizua roli artistik i Shaban Zenelit, i cili me këngën e tij ka bërë që dhimbja për vendlindjen të përcillet emocionalisht dhe Çështja e Çamërisë është kthyer sot në faktor që nuk zhbëhet më. Ndaj dhe titulli që i jepet Shaban Zenelit, është një titull që i jepet gjithë Çamërisë martire, por njëkohësisht, edhe njëherë vulos lidhja shpirtërore dhe mikpritja delvinjote për çamët e shpërngulur nga grekët më 1945… Kjo do të vijojë të kurorëzohet në të ardhmen me shpalljen “Qytetar Nderi” të katër personaliteteve të Çamërisë që morën pjesë në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë në Vlorë më 1912 përkrah Namik Delvinës dhe shumë patriotëve të tjerë. Dhe këtë lidhje, Shaban Zeneli e ka ngulitur tek fjalët dhe tingujt e këngës “Delvina me Çamërinë”. Akoma më emocionuese ka qenë përshëndetja e nënkryetarit të bashkisë së Fierit, Haxhi Kalluci, i cili solli edhe përshëndetjet e krye bashkiakut të Fierit dhe njëherazi i ardhur enkas për këtë event edhe me grupin ”Polifonia e Besës” ku këngëtari i famshëm skraparlli, Nesim Mano, solli të freskëta repertorin e të madhit, “Artistit të Popullit” Demir Zyka. Më tek këto emocione u shtuan me grupin lab të Tomorr Lelos nga Vlora, ku me një këngë-himn mes vargjeve solli përshëndetje dhe fakte e momente historike e patriotike. Dhe fjala e vet Shabanit me titullin e nderit në duar vjen me një memecëri, pasi sipas tij ai shquhet për oratori, por emocionet i kanë mbyllur gojën, dhe këtu sot emocionet më bënë me lot në sy. Delvinës dhe Çamërisë, Labërisë e Skraparit nuk i kanë munguar kurrë figurat patriotike, ndaj këngën “Këta djemtë e Çamërisë” sot do ta ndryshoj dhe do ta këndoj ndryshe ”Këta djemtë e Shqipërisë…”… Dhe zëri melodioz i këngëtarit i shoqëruar nga kori i sallës përhapet e përhapet tej mureve të kësaj salle kulture, shtrihet në kodra e lumenj deri përtej , aty ku rënkon prej dhimbjes Çamëria. Dhe ka vazhduar deri në orët e mëngjesit festa edhe me darkën e shtruar me këtë rast. Forca e artit tregoi se di të bëjë çudira…