Delenxhinjtë e KEMP dhe të ISSH, sjellje brutale, antiligjore e shpërfillëse ndaj invalidëve të punës

2507
Vjollca KUTA
Denoncon ish-minatori nga Batra e Martaneshit, invalid pune me brinjë të thyera, që i është hequr pagesa me të cilët ushqehej dhe blinte ilaçe
Shqetësimet që krijojnë komisionet mjeko-ligjore të invaliditetit, janë kthyer në tmerr, tallje, lodhje, masakër e zhvatje edhe për personat që bëhen të paaftë për punë, për shkak të sëmundjeve profesionale, paaftësive fizike ose të aksidenteve që pësojnë gjatë punës në sektorin shtetëror e privat! Komisionet me inicialet “KMCAP” rajonal e “KMCAP” Epror, po shkatërrojnë ekonomikisht dhe psikologjikisht invalidët, qofshin ata me pasoja natyrale, qofshin ata që bëhen të tillë gjatë punës dhe jetës. Këto KMCAP-e, që në fakt janë “banda” me individë që paguhen me taksat publike, me pagë tjetër mujore shtesë, mbi pagat për funksionet që kanë në spitale, ministri, inspektorate, borde e ISSH, kanë krijuar një “kult” tmerri për invalidët, duke i sorollatur nga qytetet, fshatrat, rrethet, prefekturat për në Tiranë e anasjelltas, duke mos u dhënë përgjigje sipas afateve ligjore, pro edhe duke u hedhur ankesat, dosjet e kërkesat në koshin e plehrave! KMCAP rajonale, megjithëse i shikojnë invalidë pa duar, pa këmbë, pa sy, në karroca e barela dhe u evidentojnë paaftësinë e tyre të plotë, çuditërisht i nisin për t’u verifikuar drejt KMCAP-Epror në Tiranë, me qindra kilometër larg e me shumë shpenzime financiare, ku delenxhinjtë dhe batakçinjtë e këtij KMCAP-i i kthejnë përsëri në rrethe e qarqe për plotësim dosjesh e me heqje pagese të invaliditetit dhe me deklarimin “Je i aftë për punë” edhe kur personi nuk asnjë veshkë, kur nuk ka gjysmat e brinjëve, kur nuk ka 1 këmbë ose 1 dorë e deri në raste tipike si rasti i invalides nga Berati, zonjës Meto Çela (denoncuar nga “Telegraf”) e cila edhe pse dergjet në shtrat, u përjashtua nga pagesa e invaliditetit, paçka se ka hequr gjysmën e trupit në pjesët femërore jetike! Këtë sjellje brutale, çnjerëzore dhe plotësisht antiligjore të agallarëve të KMCAP e tregon edhe denoncimi i dërguar këto ditë në “Telegraf”, nga ish-minatori nga Batra e Martaneshit, invalidi i punës, zoti Ilir Hamit Plloçi, aksidentuar në minierë, me brinjë të thyera e pjesë të të tjera të trupit të hequra e të dëmtuara, por që KMCAP i ka hequr pagesën, me të cilën ushqehej e blinte ilaçe! KMCAP, me një copë letër defterë bakalli pa datë, pa muaj dhe pa vit të shkruar në shkresë e për më tepër, pa emër kryetari dhe pa numër protokolli, detyron minatorin e invalidizuar në minierë, që të kërkoj e të gjej punë me brinjë të thyera dhe organizëm të shkatërruar! A mund të punoj dot? A e pranon në punë këtë kategori invalidi, ndonjë subjekt privat ose shtetëror? Jo! Ndaj dhe ish-minatori nga Batra dhe mijëra invalidë të tjerë si ai në mbarë vendin, përballen me pamundësinë për të jetuar për shkak të padrejtësive dhe korrupsionit të burokratëve të përjetshëm të KMACP-ve, qëndrim që prej tyre “faturohet”, si imazh shpërfillës, tallës dhe korruptim, gjoja i servirur prej qeverisë “Rama”!
Ja dy shkeljet ligjore në vendimin e invalidit nga Batra
1. Në vendimin e KMCAP pranë ISSH, mungon emri i kryetarit të komisionit, emrat dhe firmat e anëtarëve të komisionit
2. Në logon e vendimit të lëshuar nga KMCAP pranë ISSH, mungon data, muaji dhe viti (protokollar)
Denoncon ish-minatori Ilir Plloçi, aksidentuar gjatë punës në Batër-Martanesh, kërkon ndihmën e ministres Manastirliu
KMCAP-i Epror më ka hequr vendim pa datë, pa emër kryetari, pa firma anëtarësh

Letër
Drejtuar: Zonjës Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Unë, i nënshkruari Ilir Hamit Plloçi, i aksidentuar në minierën e Kromit të Batrës në Martanesh, në datën 2. 7. 2011, pas daljes nga spitali përfitova trajtimin me KMCAP, për paaftësi për punë si “Invalid i Grupit të Dytë”. këtë trajtim me pagesë invaliditeti e përfitova nga data 2.7. 2011, deri në datën 30.8. 2017.

Sipas rregullit, Komisioni i Invaliditetit në Qarkun Peshkopi, më çoi kartelën mjekësore të invaliditetit në KMCAP-in Epror në Tiranë. Pas këtij vendimi të KMCAP-Peshkopi, iu nënshtrova analizave dhe kontrolleve mjekësore, pas kryerjes së të cilave, dola përsëri në komision (KMCAP) në datën 30.8. 2017. 

Komisioni më tha, se përgjigjja do të më dërgohej pas 15 ditësh prej KMCAP-Peshkopi, në adresën e ku unë jetoj! Mbas dy javësh, u interesova te KMCAP Epror për përgjigjen, por ata nuk më dhanë përgjigje. Shkova vetë në Peshkopi dhe e mora, ku vërtetimi KMCAP rezulton pa datë, pa emër të kryetarit dhe pa emrat e anëtarëve të komisionit. Ky vërtetim nuk kishte Grup Invaliditeti të përcaktuar dhe me deklarimin… i aftë për punë! Kartela ime rezulton mbyllur pa Grup Invaliditeti, ndërkohë që për periudhën kur jam trajtuar prej KMCAP, kam qenë “Invalid i Grupit të Dytë”. A është e drejtë, të mbyllet kartela ime me këto dëmtime fizike që unë kam: 

1. Dy fije brinjë, të hequra me grafi. 
2. Dy fije brinjë, të krisura. 

Për të gjitha këto, ju drejtova Drejtorit të Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë, zotit Astrit Hado që KMCAP e ka mbyllur pa grup invaliditetit kartelën, pa datë dhe pa emër të kryetarit të komisionit. Drejtori, më tha: Nuk është e nevojshme të shënohet as data dhe as emri i titullarit të komisionit. Unë kërkoj emrin dhe mbiemrin e kryetarit të komisionit. Dua të di këtë gjë: A ka ndonjë ligj, që të mbyllet një dokument i tillë?! 

Zonja Ministre!
Kërkoj nga ju, të më ndihmoni për të drejtën sipas ligjit, duke verifikuar Kartelën time dhe mundësisht të me ktheni përgjigje!
Me respekt dhe besim,
Ilir Hamit Plloçi
Ish-minator, invalid i aksidentuar në punë

Ligji 7995, datë 20.9 1995: Në çdo 25 punonjës, 1 duhet të jetë nga kategoritë e invalidëve
Punëdhënësit privatë, por edhe vetë shteti, nuk e zbatojnë ligjin në fuqi, për punësimin e invalidëve, paçka se ky është detyrim për çdo punëdhënës! Sipas Ligjit nr. 7995, datë 20.9 1995 “Për nxitjen e Punësimit”, çdo subjekt privatë ose shtetëror që ka deri në 25 punonjës, detyrohet që 1 prej tyre të jetë persona me aftësi të kufizuara, duke u kontrolluar dhe duke u detyruara nga zyrat e punës për zbatimin e këtij ligji. Një ndërmarrje që ka 50 punonjës, duhet të ketë të punësuar 2 persona invalid e kështu për çdo numër punonjësish në rritje! përveç detyrimit për punësim, invalidi gëzon edhe të drejtën për të kryer vetëm 6 orë punë në ditë, ndërsa 2 orë ia paguan ISSH. Sipas ligjit, punësimi i invalidëve të punës, detyrohet të kryhet nga institucionet, shërbimet dhe ndërmarrjet apo bizneset ku punonjësi është aksidentuar gjatë punës!
Neni 15, I ligjit për punësimin e invalidëve

Detyrimet e punëdhënësit për të punësuar personat me aftësi të kufizuar 
1. Çdo punëdhënës që punëson më tepër se 24 punonjës, është I detyruar të punësojë një person me
aftësi të kufizuar për çdo 25punonjës të personelit të tij.
2. Një punëdhënës mund të punësojë një person me handikap të rëndë në vend të pesë personave me handikap të lehtë. Ministria përcakton se kush do të quhet person me handikap të rëndë.
3. Inspektorati Shtetëror i Punës kontrollon zbatimin e këtij neni.
Sigal