Del para gjykatës si abuzues, polici përfundon me urgjencë në spital

471
Sigal

Polici i pandehur, Agim Osmani duket se nuk e ka përballuar dot presionin para Gjykatës së Durrësit. Gjatë zhvillimit të seancës së sotme, Osmanin ka pasur probleme me zemrën, duke përfunduar në spital.

Mësohet se Osmani ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën dhe se ka marrë ndihmën e parë.

Agim Osmani është një prej 18 të arrestuarve të operacionit të zhvilluar nga SHÇBA në Durrës disa ditë më parë.

Pas një hetimi tri mujor nga ana e SHCBA dhe Prokurorisë së Durrësit, bilanci ishte 10 policë të prangosur, 2 inspektorë të IMT-së, dhe 5 biznesmenë janë arrestuar, ndërsa Dama u shpall në kërkim.

Të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe duke abuzuar me kompetencat e ushtrimit të detyrës, dyshohet se kishin krijuar një mekanizëm korruptiv me qëllim përfitimin edhe në vlera monetare, i cili ka mundësuar dhe sjellë si pasojë ndërtime të shumta të paligjshme ku përfshihen objekte banimi, magazina, objekte biznesi etj, duke shmangur kështu zbatimin e legjislacionit në fushën urbanistike dhe sigurimit teknik të tyre.

Hetimet kanë nisur me një procedim penal të datës 30 qershor 2019, kur prokuroria ka nisur verifikimet për shpërdorim detyre për Agim Osmanin dhe Gani Damën, ndihmës specialistin në Policinë e Durrësit dhe një polic patrulle.