Dekriminalizimi i shpifjes, domosdoshmëri për Lirinë e Medias

590
Sigal

Në takimin me qeverinë e re në Shqipëri, Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias nxit për progres në reformën e medias

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatović, theksoi dje nevojën për ta dekriminalizuar plotësisht shpifjen në Shqipëri. Gjatë një vizite zyrtare dyditore, po ashtu, ajo e nxiti qeverinë e re të vijojë reformimin e transmetuesit publik, të sigurojë aksesin në informacion dhe të bëjë përpara në dixhitalizimin e medias elektronike.  “Transmetuesi publik RTSH duhet të reformohet plotësisht që t’u ofrojë qytetarëve lajme dhe informacione të balancuara, si dhe t’i edukojë e t’i zbavitë”,- tha Mijatović, pas takimit me Kryeministrin Edi Rama.  Ndërsa u bëri thirrje autoriteteve të bëjnë përparim të qartë me dixhitalizimin, ajo tha: “Dixhitalizimi i medias elektronike është i rëndësishëm. Nëse zbatohet plotësisht, ai krijon mundësitë për një pluralizëm më të madh në media. Autoritetet rregulluese audiovizive të pavarura luajnë një rol kyç në këtë proces”.  Mijatović theksoi edhe nevojën për të siguruar pavarësinë e autoritetit të mediave audiovizive, AMA, nga ndikimet politike dhe për të siguruar financimin e nevojshëm të tij. Ndër çështje të tjera që u diskutuan ishin edhe dekriminalizimi i shpifjes dhe masat për të siguruar aksesin e publikut në informacionet zyrtare.  “Vjet, Shqipëria bëri një hap të rëndësishëm me heqjen e dënimit me burgim për shpifjen nga Kodi Penal. Unë ju nxis të bëni edhe hapin tjetër dhe ta dekriminalizoni plotësisht shpifjen”, tha Mijatović.  Po ashtu, ajo tha se nevoja për të siguruar që të gjithë qytetarët të kanë akses të plotë në informacionet zyrtare, sikundër garantohet nga legjislacioni shqiptar, është jetike: “Aksesi në informacion i lejon gazetarët të kryejnë detyrën si roje të publikut dhe të sigurojnë që të gjitha autoritetet të jenë të përgjegjshme e të punojnë në dobi të njerëzve”. Mijatović, gjithashtu, u ofroi autoriteteve mbështetjen e OSBE-së në reformimin e transmetuesit publik, kalimin në transmetimet numerike, sigurimin e pavarësisë së autoritetit rregullues dhe zbatimin e legjislacionit për lirinë e informimit. Gjatë vizitës së saj dyditore, Përfaqësuesja u takua edhe me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ministren për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Avokatin e Popullit, Igli Totozani, si dhe me deputetë të partive në qeveri dhe në opozitë. Sot, Mijatović dhe Ministri i Jashtëm Bushati do të hapin në Tiranë Konferencën e Tretë të OSBE-së për Median në Evropën Juglindore. Mbi 180 gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, qeverive dhe akademikë të rajonit, si dhe ekspertë ndërkombëtarë, do të diskutojnë gjendjen e transmetuesve publikë, autoriteteve rregulluese dhe kalimin në transmetimet numerike në Evropën Juglindore.