Deklarata e fortë e Xhaçkës: Banorët e prekur nga përmbytjet të largohen nga banesat

645
Gjatë një deklarate për mediat, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhacka ka bërë një përmbledhje për situatën që po kalon vendi si dhe masat e ndërmarra për shkak të përmbytjeve. Xhacka i ka bërë një apel të fortë banorëve që rrezikohen nga përmbytjet duke kërkuar prej tyre të largohen nga banesat. Sipas ministres, efektivë të FA kanë mundur të evakuojnë 315 persona deri tani, ndërkohë që pritet rëndim i gjendjes gjatë ditës së sotme, veçanërisht në jug të vendit.
“Po merren masa për menaxhimin e situatës në basenet ne Vjosë, Shkumbin dhe Seman. I bëj thirrje të gjithë banorëve të prekur të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me FA dhe strukturat e emergjencës. Ju lutem bashkëpunoni për te garantuar sigurinë e jetës për secilin prej jush”- tha ministrja.
Deklarata e plotë:
Një natë e vështirë por maksimalisht e menaxhueshme ajo që kaluam.Situatës së pazakontë për shkak të rreshjeve të shiut, Forcat e Armatosura dhe e gjithë struktura shtetëtore i janë përgjigjur me angazhimin maksimal për përballimin e situatës.
500 efektivë të Forcave të Armatosura u angazhuan për menaxhimin e situatës në zonën më të prekura nga moti i keq, kryesisht në qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Gjirokastrës.
Deri në momentin që flasim, efektivët tanë të komandës mbështetëse, forca tokësorë, policia ushtarake dhe batalioni mbështetës i Shtabit te Përgjithshëm kanë mundur të evakuojnë 315 persona.
250 prej tyre kanë qenë të bllokuar në autostradën Tiranë – Durrës, Qafën e Kasharit e Valias, ndërsa pjesa tjetër në fshatrat e Krujës. Vetëm pak më parë efektivët e Forcave të Armatosura kanë evakuar një foshnje 5 muajshe dhe nënën e tij në zonën e llixhave në bashkinë Kruje. Aktualisht në Qendrën Shëndetësore të Komandës së Forcës Tokësore në Zallherr, po marrin ndihmën e duhur 13 personat e evakuar nga FA pak përpara mesnatën në Valias.
Gjatë ditës së sotme pritet rëndim i gjendjes, veçanërisht në pjesën jugore të vendit. Po merren masa për menaxhimin e situatës në basenet e lumenjve Vjosë, Shkumbin dhe Seman ku priten edhe prurje të shtuara. Në disa segmente të këtyre lumenjve po merren masa për të organizuar evakuim të banorëve të rrezikuar, duke filluar nga zonat që preken nga lumi Vjosë.
Dua t’i bëj thirrje të gjithë banorëve në zonat e prekura nga reshjet, të gjithë atyre që banojnë shumë pranë shtretërve të lumenjve, në afërsi të digave apo në zona që, historikisht rrezikojnë përmbytje: ju lutem largohuni menjëherë nga banesat tuaja dhe bashkëpunoni me Forcat e Armatosura dhe strukturat e emergjencës për tu evakuar.E përsëris këtë thirrje pas rikonfirmit nga ana e Emergjencave Civile dhe Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit për shtim të intensitetit të rreshjeve gjatë orëve në vijim, cka mund të sjellë rritje të nivelit të ujit në shtretërit e lumenjve.
E gjithë struktura shtetërore është në këmbë dhe do të jetë pranë jush, ditë e natë për të përballuar situatën e për të garantuar sigurinë e jetës deri në normalizimin e plotë të situatës. Ju lutem Na ndihmoni të përballojmë bashkarisht situatën, bashkëpunimi me ju është garancia më e madhe për të siguruar jetën e secilit prej jush!
Forcat e Armatosura kanë angazhuar kapacitete të reja njerëzore dhe teknike për tu zhvendosur në drejtim të Fierit dhe të Vlorës për të përforcuar dhe mbështetur autoritetet vendore dhe mbi të gjitha për të garantuar sigurinë e jetës për të gjithë banorët e prekur.
Sigal