Degradimi i Autoritetit Kombëtar të ushqimit

630
Sigal

Përparim HALILI

 

Spektakli, ose më saktë “show”- kontroll i zbulimit 2 ditë më parë, i “salçiçeve
me salmonelë”, u propagandua “me daulle” mediatike nga kupola e AKU të Shqipërisë,
për të krijuar falsitetin e radhës se drejtori i ri çam i AKU, që nga zëvendësi
i tij “Mon Kukalesh” i sjellë nga një ministri e deri tek shefja e besuar dhe
“kyç” e protokollit, se gjoja janë hedhur në sulm “për të garantuar sigurinë
ushqimore të popullit”. Se sa e sigurt është siguria ushqimore në tregjet
shqiptare, këtë e di mirë edhe vetë drejtori i çam i AKU, i cili nuk besojmë se
e ha atë sallamin 300 lekë/kg, as domatet, trangujt, specat, patatet dhe mollët
që shiten 3 kilogram-100 lekë! Nuk besojmë, se e ha as atë mishin që përdoret në
“Fast-Foode”, as filetot e pulave që futen nga importi me analiza false që bëhen
për 3 minuta në restorante. Nuk besojmë, se drejtori Dritan Sejko, nuk i ha as pulat
që piqen në zgarat e rrugës, as peshkun që shitet në legenë rruge, as bukën që
ngjyroset, as miellin që prodhohet nga grurë tagji kafshësh, as kadaifin që prodhohet
në Shqipëri me miell skarco, për të cilin jepen urdhra që të futet nga importi me
letra “për biskota”. Nuk besojmë se i ha as çokollatat e importit, për të cilat
prej ish-shefave të AKU u zhvatën 100 milionë lekë që të zhbllokoheshin 1 orë
pas bllokimit! Nuk besojmë se drejtori i AKU, i ha perimet që prodhohen nga
fidanë vrasës, që i ka biznes një zyrtare e lartë, e cila vegjeton prej vitesh
brenda zyrave që ai drejton! Që AKU bën kontrolle ushqimore, kjo nuk është
ndonjë shpikje apo trimëri, mbasi është detyrë për të cilën paguhet “ushtria” e
këtij institucioni e shërbimi “kukull” prej më se 450 zyrtarësh në qendër e në
rrethe, të cilët vishen e pispillosen në aq luks, sa nëse nuk e di se je futur në
zyrat e AKU, mendon se gjendesh në sallonet e ndonjë balloje aristorakatësh! Se
si e kanë siguruar këtë luks ish-“bark-pangopurit” drejtorë, kryekontrollorë,
inspektorë e koordinatorë të AKU, të emëruar me klientelizëm politik, me pagesa
financiare e nepotizëm familjarë, këtë e vërteton tregu, prodhimi dhe importi i
tejmbushur me ushqime të skaduara, me ushqime që prodhohen bodrumeve, me ushqime
me etiketa false (drejtori e di se si prodhohen etiketat false, se është biznesmen
shtypshkronje në Elbasan). Krimin ushqimor dhe fshehjen e tij prej AKU e zbulon
lehtësisht në çdo moment, mjafton të bësh një analizë në grurë, misër, miell, bukë
masive, simite, oriz plastik, niseshte, mish, peshk, të brendshmet e kafshëve e
shpendëve, në pula importi e vendi, ushqime të konservuara, në vezë, bulmetra, pijetore,
“Fast-Food”-et, e deri tek konviktet, kuzhinat e kopshteve e çerdheve të fëmijëve
ku futen, gatuhen e konsumohen produkte plehra dhe vrasëse të shëndetit e jetës!

 

Krimin ushqimor e lejon dhe e fsheh paaftësia e
korrupsioni i shefave të AKU

 

Kush e fsheh këtë krim ushqimor që vepron lirshëm në tregun shqiptar? Sipas
investigimit tonë, rezulton  se krimin
ushqimor në Shqipëri e lejon dhe e fsheh paaftësia profesionale e drejtorëve
qendror e rajonalë, drejtuesve të sektorëve në AKU, kryeinspektorëve dhe
inspektorëve të terreni. Si mund të flitet për profesionalizëm në kontrollin
dhe sigurinë ushqimore, kur zyrat e AKU nga maja e saj e deri në zonën më
skajore janë mbushur me punonjës jashtë profesionit! Si mund të ketë kontroll
të plotë, kur 70% e punonjësve të AKU nuk kanë asnjë
lidhje profesioni me vendin e punës, ndërsa 60% e shefave rezultojnë të skeduar
si skenaristë të fshehjes së krimit ushqimor, kundrejt pagesave korruptive që u
bëhen prej bizneseve, por edhe që atyre u kërkohen dhe u merren me presion
gjobash e bllokime aktiviteti, siç kanë rezultuar shumë raste ditët e fundit.
Si mund të kontrollojë mishin, një shef, apo inspektor i diplomuar për pyje,
mobilieri, polici, fizkulturë, infermieri, informatikë, juridik e muzikë? Si
mund të zbulojë, parandalojë, ndëshkojë e bllokojë krimin ushqimor, një shef
apo inspektor që bën winkend me prodhuesit, tregtarët dhe importuesit e
produkteve ushqimore?! Si mund të zbulojë, parandalojë, ndëshkojë e bllokojë
krimin ushqimor, një shef apo inspektor që vendos e heq gjoba, që njofton
paraprakisht për kontrolle subjektet, që harton akte kontrolli fiktive e
paraqet fletë-analiza false të produkteve, që miraton etiketa false?! Si mund të
zbulojë, parandalojë, ndëshkojë e bllokojë krimin ushqimor, një shef apo
inspektor që ka biznes ushqimi për vete e që këtë biznes e ushtron duke pasur
lidhje tregu me prodhues, importues e tregtarë të tjerë ushqimorë?! Kështu është
molepsur gjendja në AKU. Ka drejtorë, shefa, kryeinspektorë e inspektorë që nuk
kanë lidhje me profesionin e bëjnë sikur kontrollojnë, por ka edhe të zhytur në
korrupsion e të lidhur me biznesin ushqimor! Nuk mund të pastrohet prodhimi,
importi dhe tregu ushqimor, pa pastruar administratën “dru me pre” e “bisht
qeni” që ka uzurpuar drejtimin dhe shërbimin në AKU? vetëm një fakt: pak ditë më
parë janë zhvilluar konkurset për shefat e rinj drejtues të sektorëve të AKU. Çfarë
ndodhi? Drejtorët u vërsulën për të bërë zëvendës të tyre, sekretarët,
kushërirat, shoqet e tyre!  Përse lejohet
ky krim administrativ?! Drejtorët mund të respektojnë të afërmit e tyre me
forma të tjera deri edhe me udhëtime zyrtare jashtë shtetit me lekët e shtetit,
por jo të arrihet të lejohet deri aty sa t’i bëjnë edhe zëvendëse të tyre
zyrtare! A mund të kontrollohet krimi ushqimor në këto raste, me këtë përbërje
administrate?!

Vijon